
Prof. Dr. Skender Asani/
Sot, në ditëlindjen e Gonxhe Bojaxhiut, Shkupi i saj u bë sërish pikënisja e një udhe që i përket njerëzimit. Promovimi dinjitoz i veprës “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, të autorëve Prof. Dr. Skender Asani dhe Dr. Albert Ramaj, nën recensionin e Dom Lush Gjergjit, nuk ishte vetëm një ngjarje kulturore, por një takim i shtetit, akademisë, diplomacisë dhe besimit rreth një figure që vazhdon të bashkojë. Nën përkujdesjen qeveritare dhe në praninë e krerëve qeverisës nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, tre rektorëve të universiteteve shqiptare në Maqedoninë e Veriut, korit diplomatik, kreut të Bashkësisë Fetare Islame dhe personaliteteve të shumta, libri dhe ekspozita me dokumente autentike dëshmuan udhën e jashtëzakonshme të transformimit të Gonxhes shkupjane në Nënë Terezën universale.
Mesazhi ishte i qartë: ajo nuk u bë universale duke harruar rrënjët, por duke i shndërruar vlerat e marra nga familja, besimi dhe Shkupi shumëfetar e shumëkulturor në dashuri për çdo njeri. Gonxhja u nis nga Shkupi kur bota ende nuk e njihte; Nënë Tereza iu kthye atij pasi e kishte njohur gjithë njerëzimi. Sot, libri dhe ekspozita i bashkuan këto dy skaje të udhës së saj: nga Shkupi drejt botës, nga rrënja drejt universales, nga njeriu drejt njerëzimit.