Nga ANTONIO CARIOTI
“Corriere della Sera”, 12 nëndor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika
Winston Churchill është një mit, ende I bleruar nga kinematografia, por edhe një shënjestër, sepse personazhi kishte cilësi mjaft të papëlqyeshme për ndjeshmërinë e ditëve tona, të mprehura nga kaqë dhjetëvjeçarë paqeje, në të cilët është humbur në shumë drejtime kahu i asaj se sa tragjike është historia.
Shkëlqim e poshtërsi, libri i Erik Larsonit, sot në shitje së bashku me “Corriere”, na e tregon në çastin më të vështirë e njëkohësisht më të lavdishëm të karierës së tij tepër të gjatë politike: kur u thirr për të udhëhequr Britaninë e Madhe, ndërsa armatat e Adolf Hitlerit po përpinin Francën, në majin e vitit 1940, e për një vit Vendi i tij u gjend në luftë i vetëm kundër fuqive të Boshtit (Gjermanisë i ishte shtuar edhe Italia fashiste) që zotëronin Evropën kontinentale.
Nuk bëhej fjalë vetëm për të përballuar sulmet e aviacionit gjerman që synonte të asgjësonte forcat ajrore britanike, në pritje të një mësymjeje përtej Manshit, në të famëshmen “betejë të Anglisë”. Ishin edhe nëndetëset e Rajhut të Tretë që godisnin flotën e madhërisë së tij. N’Afrikën e Veriut luftohej për kontrollin e Mesdheut; deri sa bëhej fjalë për të përballuar italianët, gjithshka shkonte si në vaj për trupat e Komonuellthit, por në fillim të 1941 zbarkoi në Libi gjenerali i shkëlqyergjerman Erwin Rommel dhe kundër Trupës së tij Afrikane qe krejtësisht një muzikë tjetër.
Churchill-i, n’atë vit të tmerrshëm ndërmjet 1940 dhe 1941 i treguar nga Larsoni, më parë se Hitleri të hidhej në aventurën e çmëndur për të sulmuar Bashkimin Sovjetik, pati meritën t’a mbante timonin drejt, të mos i lëshonte pe miklimeve të Gjermanisë, që do të kishte dëshiruar me qejf të përfundonte një paqë të veçantë me Londrën, për t’i kthyer pastaj të gjitha fuqitë e saj ushtarake drejt lindjes. Disa – zakonisht në Itali të përmalluarit e Duçes – i a quajnë një faj, ashtu sikurse e padisin për përkulje kundrejt Josif Stalinit.
Në të vërtetë Churchill-i kishte kuptuar karakterin e thellë të regjimit të Hitlerit, me të drejtë e quante një kërcënim vdekësor për vlerat e Perëndimit liberal, edhe të ndërpretuara në kahun konservator. Kur diktatori gjerman i bëri favorin e hedhjes në një sipërmarrje të kuturisur në fushat e pakufishme ruse, ai nuk mund të mos përfitonte edhe me çmimin për të shtrënguar një aleancë me despotin e Kremlinit, ai që ishte një kundër komunist granitik i orës së parë. Nga ana tjetër synimi kryesor i kryeministrit britanik ishte një tjetër, siç vëren me të drejtë Larseni: të tërhiqte në luftë nga ana e tij Shtetet e Bashkuara, fuqinë industriale të saj ai, me të drejtë, e shihte si siguri të fitores. Nuk qe një ndërmarrje e lehtë, sepse në Shtetet e Bashkuara izolacionizmi kishte themele të qëndrueshme: u desht sulmi i pabesë japonez në Pearl Harbor për t’i bindur të rrëmbenin armët.
Por sot paditë mbizotuese mbas vdekjes së tij janë të një tjetër mënyre nga ato të së djathtës skajore. Në tabanin e një përmendoreje të tij kanë shkruajtur epitetin çnderues “racist”. I vishet atij kryerja e një gjenocidi gjatë luftës së Dytë botërore, lenia të vdesin urije bengalezët për t’i dhënë përparësi skajore synimeve luftarake.
Në të vërtetë paditë që kanë të bëjnë me zinë e bukës që efektivisht goditi Bengalën ndërmjet 1943 dhe1944, janë zmadhuar gjërësisht, ndërsa i a vlen të ndalohet mbi sulmet kundër këndvështrimit të botës nga ana e Churchill-it, që sigurisht ishte një njeri që besonte në “misionin qytetërues” të Perandorisë britanike – “barra e njeriut të bardhë” për të cilën fliste Rudyard Kiplingu – dhe kishte paragjykime të rënda kundrejt popullsive jashtë evropiane, edhe se çmonte shumë vlerat e ushtarëve hindianë, të mobilizuar nën simbolet e Londrës.
Fakti që të matet me metrin e sotëm një udhëheqës i lindur në 1874 do të thotë të bihet në një anakronizëm të hapur, duke harruar se çdo epokë ka bindjet e saj të përhapura dhe gabimet e saj. Veçanërisht në rrafshin historik nuk mund të ngatërrohet evroqëndërsia e tetëqind-nëntëqindit, e themeluar mbi një ide të përparimit, ndoshta e patëkeq e sigurisht e padrejtë kundrejt popujve afrikanë dhe aziatikë, me ideologjinë raciste që i ndan qëniet njerëzore në eprorë e më të ulët, jo për çështje zhvillimi qytetar por mbi bazën biologjike duke vënë në lëvizje mitin e gjakut.
N’ato ditë të 1940-ës e 1941-shit, ndërsa përgatitej Shoah-u, Churchill-i ishte rrjeshtuar me të gjithë energjitë e tij në anën e kundërt të racizmit. Një thyerje e tij do të kishte hapur pritmëri të tmerrshme, njëherë që e gjithë Evropa do të ishte fuqimisht në dorën e çfarosësve të Auschwitz-it. Kryeministri britanik kishte të meta e dobësi, siç nënvizon Larson në librin e tij, por n’atë luftë titanike ai qe mbrojtës i lirisë. Jo vetëm të asaj të britanikëve, por asaj të gjithë njerëzve, përfshirë italianët e gjermanët armiq të tij.
“Corriere della Sera”, 12 nëndor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika