Nga Eugjen Merlika/
Çdo qeveri që nuk bën asnjë hap përpara, duhet gjykuar me urtësinë më të madhe; por një qeveri që bën hapa mbrapa, duhet dënuar gjithmonë pa asnjë mëshirë”
L.Börne (1786 – 1837) shkrimtar politik gjerman/
Vendimi i kryeministrit grek, Alexis Tsipras, për të ndërprerë bisedimet me huadhënësit botërorë dhe për të zhvilluar një referendum, me shumë rëndësi për qytetarët e vendit të tij, mbi vazhdimin e qëndrimit në Eurozonë dhe në BE, apo daljen nga këta institucione shpejtoi përfundimin në çfarëdo kahu të së famshmes “krizë greke”. Që nga viti 1995 deri në 2009, për afër 15 vjet, të ardhurat për frymë të shtetasve grekë u rritën nga 47 në 71 për qind të atyre gjermanë. Kjo u bë e mundur me një grumbullim të pashembullt borxhi, siç kishte ndodhur në vitet 80, në Itali. Nga 2010 deri në ditët tona raporti ndërmjet të ardhurave të grekëve e gjermanëve, është kthyer në shifrat e vitit 1995, një tregues i vlerave reale të ekonomive të dy Vendeve. Përpjekja për ta zvogëluar ndryshimin në mënyrë të sajuar, duke tjetërsuar të dhënat e bilancit në dobi të borxheve e duke rritur nivelin e asistencës së popullsisë, përtej çdo krahasimi me Vendet e zhvilluara të kontinentit, me qëllimin e vetëm të klientelizmit e fitimit të votave për pushtet, solli një gjëndje financiare të pakontrollueshme dhe e detyroi ish Kryeministrin Papandreu të bëjë të njohur problemin. Ai problem, në këta gjashtë vite, ka zënë një nga vendet e para në rendin e ditës së institucioneve evropiane.
Që atëherë Bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e saj financiare kryesore, së bashku me qeveritë greke, hartuan një plan riorganizimi të financave greke, duke synuar pakësimin e harxheve të shtetit e baraspeshimin ndërmjet tyre të të ardhurave. Si të gjitha programet e këtilla, edhe ai grek pati masa shtrënguese në drejtim të sakrificave të domosdoshme për shëndoshjen e gjendjes. U ndërhy në shumë sektorë të jetës ekonomike dhe administrative të Vendit me masa të arsyeshme, edhe se të dhimbshme, por rezultati qe që më 2014, Greqia doli nga rënia ekonomike, duke patur një rritje të PPI prej 0,6%, pra një fillim të daljes nga tuneli i gjatë i krizës. Sot, mbas gjashtë muajsh Greqia është në falimentim, mbasi nuk është në gjendje të paguajë këstin prej 1,6 miliard € FMN.
Qeveria e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të janarit 2015, e kryesuar nga ish anarkisti Tsipras e filloi punën e saj me premtimin për të rikthyer gjendjen e para reformave të viteve të fundit, premtim që i përcaktoi edhe fitoren në garën zgjedhore me 36% të votave. Duke mbajtur para sysh se në këta vite, edhe vende të tjera europiane, të vogla si Qipro, të mesme si Portugalia dhe Irlanda, apo të mëdha si Italia e Spanja, u përballuan me terapinë e korrigjimeve të bilanceve shtetërore e të reformave të ndryshme, të domosdoshme për pakësimin e harxheve publike, qeveria greke, e përfaqësuar nga Kryeministri dhe ministri “dandy marksist” i financave Varoufakis, prej pesë muajsh, në bisedat e pafund me institucionet huadhënëse, mundohen të shpalosin “dredhinë” e famshme të homerikut Odise, për të mos paguar borxhet, madje për të marrë të tjera. Në fakt BQE, gjatë këtyre muajve, ka vazhduar të injektojë në bankat greke jo pak, por 89 miliard €.
Qeveria greke, në lojën e saj të bixhozit me Evropën, për të blëfuar sa më shumë, nxjerr herë pas here letrat e saj që fillojnë nga gjendja e rënduar ekonomike, për shkak të udhëzimeve të “trojkës” në vitet e shkuara, tek “apokalipsi” evropian mbas daljes së mundshme të Greqisë, tek trysnitë e tërthorta me sfond gjeopolitik, duke kërkuar spondat në fuqitë e mëdha ekonomike si SHBA, Rusia apo Kina, të cilat sugjerojnë se duhet arritur “marrëveshja pragmatike”, simbas Presidentit Obama. Këta “të interesuar” për fatin e Greqisë që po “merret nëpërkëmbë” nga rreptësia e burokratëve të Brukselit, harrojnë se për të bërë marrëveshje duhen dy palë e secili të heqë dorë nga diçka në dobi të tjetrit e, nga ana tjetër, nuk kanë derdhur deri tani asnjë qindarkë për t’u a falur grekëve, ndonëse e mëtojnë këtë veprim nga Eurozona apo Komisioni evropian.
Këtyre shfaqjeve të politikës së madhe i shtohen lëvizjet e të majtave perëndimore ish komuniste të cilat, humbjet e tyre të dukshme në opinionet publike mbas rënies së komunizmit, mundohen t’i kompensojnë me lëvizje të reja kundër sistemit Evropë, që gjejnë çuditërisht votues në shumë Vende, kryesisht në Itali e Spanjë. Këto lëvizje, me emra rastësorë si Podemos apo Pesë yjet, kanë vënë në qendër të simbolikës së tyre luftën për “ndryshimin” e Evropës, duke patur si model fitues në kontinent Syrizën dhe Tsiprasin. Të gjithë këta do të jenë të dielën në Athinë, për të festuar “fitoren” mbi Evropën e “rregullave të ngurta të financës”, simbas tyre, në fakt të “ruajtjes së parimeve, të cilët nëse do t’i mohonim, qoftë edhe për një çast, do të vuante dëmet në kohë afatmesme e afatgjata”, siç u shpreh këto ditë Kancelaria Merkel.
Syriza e Tsiprasi janë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre kontinental, në pararojë të forcave të reja në emër, por tepër të vjetra në mendësi e që, së bashku, përfaqësojnë detashmentin kryesor të sulmit kundër Evropës së Bashkuar, ëndrrës mijëvjeçare të banorëve të saj. Me një vetëkënaqësi të justifikuar Kryeministri grek i u drejtua me këto fjalë idhtarëve të së majtës skajore, të mbledhur në teatrin Valle të Romës: “Berlinguer, Togliatti, Gramsci. Vite të tëra ne kemi vështruar nga e majta italiane. Tashmë gjërat kanë ndryshuar e jeni ju që shihni nga ne.”
Që një lider ballkanik t’i drejtohej kështu një pjese të Evropës do të ishte motiv krenarie gadishullore edhe për të tjerë banues të rajonit, edhe për ne. Do të ishte kështu, nëse ai do të përfaqësonte forcat vërtetë pozitive të këtij rajoni që kërkojnë sot vendin e tyre në Evropën e Bashkuar. Por, vaj medet, ai është “maja e diamantit” të forcave shkatërruese të Evropës, të atyre që kërkojnë një bashkësi pa rregulla, ku ato t’i shkruajë çdo Vend e çdo qeveri, simbas pikëpamjeve e interesave të tyre, ku të mos vlerësohet merita, korrektësia dhe ndershmëria, por aftësia për të gënjyer, për të abuzuar me pushtetin e për të zhvatur sa më shumë nga bashkësia.
Në këtë betejë qeveria greke e sotme ka edhe mbështetjen e njëfarë të “djathte”, që sheh në emigracionin dhe rregullat e Bashkësisë të gjitha të këqijat e kësaj bote e që, nëpërmjet përfaqësuesve të ndryshëm të saj si Marine Le Pen, Nigel Farrage, Matteo Salvini etj., nuk synojnë tjetër objektiv veçse të luftojnë me të gjitha mjetet kundër pranisë së Vendeve të tyre në BE, kundër çdo përpjekjeje të kësaj të fundit për të fuqizuar e funksionuar institucionet e saj. Deri tani këto forca janë në pakicë, por do të ishte një ditë e zezë për Evropën, ajo në të cilën ato do të kishin shumicën në të. Në sajë të mosbesimit te politika, gjë që le gjysmën e qytetarëve pa votuar, nuk do të ishte çudi e madhe që një mundësi e tillë të vërtetohej.
Evropa i ka kërkuar Greqisë në këta vite, për të ruajtur pjesëmarrjen e saj në të e bashkëpunimin disa veprime :
Të fillojë pakësimin e borxhit publik prej 242 miliard €, 44% të të cilit e mbajnë shtetet e bashkimit : Gjermania (27%), Franca (20%), Italia (18%) dhe Spanja (11,9%), që të kthyera në shifra bëjnë disa dhjetëra miliardë €. Madje edhe shtete të vogla e të varfra si Estonia e Lituania, për t’u futur në Eurozonë kanë paguar kuotën e tyre të borxheve kundrejt Greqisë, 60 milion € secila.
Të kryejë reformën e pensioneve simbas modeleve evropiane të daljes në moshën 65 e 67 vjeç, me përjashtim të punëve të rënda.
Të ardhurat nga taksat duhet të kapin 1% të PPI, ndërsa grekët ndalen në 0,93%. Tatimi mbi vlerën e shtuar duhet të jetë 23% për restorantet e catering, ndërsa 13% për produktet ushqimore, energjinë, hotelet dhe ujin. Për ishujt qeveria greke nuk pranon të heqë dorë nga 30% i reduktimit të TVSH për bizneset e, ndoshta, në këtë pikë ka njëfarë të drejte.
Të reduktohen shpenzimet për mbrojtjen që, në raport me numrin e popullsisë, janë më të lartat në Evropë.
Këto ishin disa nga pikat e diskutueshme e në to nuk më duket se ka një prirje “poshtërimi të Greqisë”, siç shprehet në mënyrë demagogjike Kryeministri grek.
Lajmet e fundit thonë se qeveria greke ka pranuar kushtet e fundit të huadhënësve, duhet parë se sa është e vërtetë. Por sido qoftë, fakti i braktisjes së tryezës së bisedimeve e kalimit në parlament të propozimit për referendumin, një pranim i tillë nuk është në logjikën e gjërave. Ai tregon se ka pak seriozitet e shumë dhelpëri e teatralizëm në qëndrimin e saj. Tani që i është nënshtruar gjykimit të popullit të saj duhet të presë atë. Është një hipokrizi e madhe deklarata në televizion e Tsiprasit, kur fton të votohet Jo dhe shton se kjo nuk do të thotë dalje nga Eurozona. Ka shumë të drejtë Kryetari Junker, që çdo bisedë e shtyn mbas 5 korrikut.
“A kështu qeveriset një Vend i madh? Greqia nuk meriton diçka më të mirë se ky demagog zjarrvënës?” pyet filozofi e publicisti frëng, Bernard Henry Levi. Tsipras, ikona e re e komunistëve evropianë, ka marrë pjesë në protestat e dhunshme të zhvilluara në Gjenovë më 2002 kundër G8-s, kur qeveriste Berluskoni, duke e kthyer në flakë e shkrumb gjysmën e qytetit.
Më 5 korrik grekët do të shprehen nëse duan të qëndrojnë në Evropë, duke bërë sakrificat e nevojshme, apo duan të nisin një udhëtim të panjohur me humbje të mëdha për çdo qytetar, të drejtuar nga Odiseu i ri, Alexis Tsipras. Populli grek njihet në historinë e njerëzimit si populli me nivelin masiv kulturor më të lartin që ka ekzistuar. Sikur të tregonte një të dhjetën e asaj urtësie të lashtë ai do të votonte për Evropën, megjithë vështirësitë që ka para, të cilat nuk i a ka sjellë ajo, por partitë e njerëzit që ka votuar vetë në këta dhjetëvjeçarë.
Do të ishte një shërbim i madh që do t’i bënte së ardhmes së tij, të Ballkanit dhe të vetë Evropës. Me gjithë armatën neokomuniste që është duke propaganduar për të kundërtën e saj, besoj se 5 korriku 2015 do të mbetet në historinë bashkëkohore të Greqisë dhe kontinentit si një ditë e madhe e historike, një ditë shpresash për të sendërtuar ideale të larta e qëllime të përbashkëta.
I urojmë me gjithë zemër popullit fqinj grek, me të cilin na ka bashkuar e ndarë historia, një të ardhme të bukur në Europën e Bashkuar, në të cilën duhet të gjejmë të gjithë shtëpinë tonë të përbashkët.