
Nga Prend NDOJ*/
Atë ditë gushti të vitit 1986 dielli ishte i fortë e gjinkallat zhuzhisnin ndër trungjet e qarreve. Toka etshëm kërkonte ujë, ndërsa fushave të gjëra dukej qartazi se kishte humbur freskia, gjethet e lavitura e bari i përzhitur nën rrezet përvëluese të diellit, bënin që fshati ngado të ndjente lodhjen nga vapa. Duke ju fshehur kësaj vape, tufa delesh të mbledhura kokë më kokë, pasi shuanin etjen te përroi, që si një damar i jepte jetë tërë fshatit, turreshin të mrizonin nën hijet e lisave të mëdhenj që gjendeshin të shpërndarë anëve të arave.
Ai përrua, që lakadredhas binte teposhtë, merrte jetë përtej grykave të thella e i rezistonte mrekullisht vapës. Nuk shuante vetëm etjen e bagëtive, por uji i tij i kulluar si lotët e ndonjë vashe, u jepte jetë arave në brigjet e tij. Me gurgullima, si të kërkonte legjendën e humbur, ecte teposhtë e unë tretja shikimin në udhën e tij. Por pjesa tjetër ishte e zhuritur e sikur kërkonte ndihmë e ujë të shuante etjen e vapën që digjte në çdo anë. Katundi më ngjau i ngrysur e as vetë s’e di pse ëndrrat, përrallat e brigjet të gjitha më ngjanë të humbura, e fjalët të gjitha të shurdhëta. Edhe pse e dija mirë se banorët e këtyre viseve ishin aty e kishin gjurmët e tyre të identitetit që në krijimin e njerëzimit, ndonëse s’i kishin munguar djajtë t’i suleshin nga të gjitha anët ta zhbënin e ta zhbinin, ta zhduknin e zhurisnin si vapa përvëluese e gushtit, t’ia zhduknin fe e atdhe, gjuhë e flamur. Por s’kishin mundur e s’ia kishin arritur pse banorët e këtyre anëve bashkë i kishin festuar gëzimet e bashkë kishin përjetuar e përballuar hidhërimet.
E pra ky është vendi im i të korrave dhe i stuhive, i legjendave dhe dramave të mëdha. I halleve të shumta që shtoheshin edhe më tepër pasi padrejtësisht ishte shkëputur nga trungu amë e gjendej nën pushtimin serb.
Tej, në gji të shkëmbinjve, buronin kroje e gurra me ujë të kulluar. Kosova, një vend i mrekullueshëm e me bukuri mahnitëse, me gryka të thella e legjendare që s’kishte më të bukura në botë, me nëntokë të pasur e me fusha pa fund, që ishin një hambar i vërtetë e ku mund të prodhohej gjithçka. Por që kishte dhe rreziqe të mëdha për bijtë më fisnikë të saj.
Brenda meje zemra i ngjan bukës së posadalë nga furra, teksa në kujtesë sillja pushtuesit që shtrinin shtatin e tyre si një duhi e zezë mbi vendin tim, që e plagosnin e toka, po ta shtrydhësh, pikon gjak. Eh ç’kishte parë e jetuar Gryka e Kaçanikut, ku çdo shkëmb e gur ishte larë me gjak për të mbrojtur atdhe e flamur. Në mendje më vinin melodia dhe fjalët e asaj këngës së bukur, ku thuhet:
Ushton Gryka e Kaçanikut,
morën zjarr këta gurët e malit,
përmbi çallmat e Anadollit
ndizet huta e shqiptarit.
Kurrë nuk çarten kullat tona,
vendit tonë i dalim zot,
tirqe,zhguna e xhubleta
thur i kena me barot.
Hej Kaçanik, o shkëmb e gur,
vritesh e pritesh për flamur,
për flamurin e Skënderit
luftojnë djemt’ e Idriz Seferit…
Këtë këngë e kishte kënduar grupi i Radio Shkodrës gjatë turneut në Kosovë dhe zërat e këngëtarëve të njohur Bik Ndoja,Shyqyri Alushi e Valdete Hoxha kishin ndezur flakë zemrat e një populli të tërë.
Shekuj me radhë kombi ynë kishte përjetuar drama të mëdha e pabesi tragjike, sidomos prej fqinjëve tanë, që s’kishin asgjë të përbashkët as me lashtësinë, as me traditën, as me kulturën, as me fenë tonë të shenjtë, që ishte bërë shpesh mbrojtëse e denjë e qytetërimit dhe kulturës europiane.
Tej shekujve dramat mbi këtë popull të lashtë e të shenjtë ngjanin si legjenda. Gjergj Kastrioti kishte ndalur e prerë hovin e hordhive arabo-osmane që turreshin ta kafshonin e shkatërronin Europën e qytetëruar, siç kishin bërë me arbërit e Arbërinë. E ndërsa maleve të Shqipëris derdhej gjak, fqinjët tanë hartonin pabesi e lidhnin krushqi me Sulltanët e Anadollit. Është i njohur kontributi i madh i shqiptarëve në betejën e Fushë Kosovës në vitin 1389, ku dihet që ishte një shqiptar ai që vrau sulltanin turk. Këto fakte qëllimisht i mohojnë ose fallsifikojnë serbët e lakejtë e tyre, por e vërteta është evidente. Në poezinë e tij kushtuar kësaj beteje historike, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare shkruan:
Fusha e mbytur në gjak e kllapi shumëgjuhëshe
Shtrihej tutje.
Bashkë me ditën, ballkanasit, u thyen. Medet!
Gadishulli i madh u gdhi Evropë e u ngrys Azi.
E nëse ky pushtim, siç pohon Kadare, është nata më e errët dhe më e zezë e historisë së Shqipërisë, pushtimi serb është më i përgjakshmi e më e dhimbshmja plagë e hapur e gjakut e që buronte si gurrat e maleve e të Bjeshkëve të Namura apo të shenjta njëherësh. Çamëria ishte prerë në besë pikërisht prej fqinjëve të jugut. E Kosova vuante nën kthetrat e pabesisë e barbarisë sllave, që turrej të zhdukte e persekutonte, të dergjte burgjeve, të përndiqte, të torturonte e vriste bijtë më të mirë të Kosovës vetëm se ishin shqiptarë e bij shqiponjash legjendare. S’kishte nevojë për të bërë diçka se vriteshin e torturoheshin për të bërat e të pabërat, mjaftonte vetëm të ishe shqiptar….vetëm për ta përmendur “Kosovën Republikë” mbeteshe burgjeve të Serbisë si i ashtuquajtur irredentist për fjalën që ua kishin ndaluar e për të cilën u merrnin jetën.
Të gjithë kishim të njëjtin hall, të gjithë e kishim kokën në rrezik dhe nuk mund të flitet për barazi shoqërore apo të drejta të barabarta, përkundrazi. Mendimet tona të lira, apo që kishin të bënin me interesat e kombit, mund të shpreheshin vetëm me shokët e afërt e konfidencialisht, pasi për to të ikte jeta. Por nuk ishte vetëm kjo, ishin të ndaluar libra të shumtë që i gjenim me mjaft vëshirësi, libra që përmbanin dëshmi apo vlera rreth të vërtetës së kombit tonë. Homerin e letërsisë shqipe e kishin shpallur ndër armiqtë më të rrezikshëm të historisë dhe letërsisë shqipe, as që guxohej të përmendej emri i tij, kështu që veprat e natyrës së “Lahutës së Malcis” qarkullonin fshehurazi dorë në dorë. Në atë kohë te rinia, te studentët besa ishte e plotë, vërtet përmbante në vete atë kuptimin e plotë të besës shiptare, ruhej si një kult që na bashkonte rreth vetes dhe që nuk dyshohej kurrë në të. Me njëri-tjetrin lirshëm qanim hallet e atdheut të robëruar, bënim organizime dhe në çdo shteg që ishte i kapshëm i tregonim armikut që ky popull shumë shpejt do ta shohë lirinë. Shpesh bashkë me guximin vazhdonin dhe ndëshkimet…
Vizioni identik për lirimin e atdheut më kishte afruar më afër me shokun tim jurist Avdi Qevani, me të cilin bisedonim me orë të tëra për vuajtjet e Kosovës, për popullin në mjerim e përndjekjet, për vrasjet e persekutimet barbare nga një regjim i egër që nuk kishte kufi. Regjim që nuk ngopej me djersën dhe gjakun e popullit tonë. Avdiu ishte arrestuar disa herë e gjithnjë priste arrestimin e ndëshkimin e radhës, që mund të ishte dhe fatal për jetën.
Në këto kushte për ne s’kishte rrugë tjetër që t’i shpëtonim kësaj të keqeje barbare e çnjerëzore. Sëbashku vendosëm të largoheshim për pak kohë nga vendi, por ky largim nuk ishte aspak i lehtë për asnjërin, por sidomos për atë që ishte edhe prind. Gjithësesi nuk kishte rrugë tjetër dhe largimi mund të ishte e vetmja shpresë e mundshme për të shpëtuar kokën. Kishim kohë që përbluanim me njëri-tjetrin këtë ide, po s’kishim asnjë bazë ku të mbështeteshim. Dihet që mungonte mundësia e lëvizjes së lirshme, ishte e vështirë të pajiseshe me pashaportë apo me vizë të rregullt. Por ky mendim po konsolidohej gjithnjë e më tepër dhe e shihnim si të vetmen mundësi.
Prej Amerike në Kosovë kishte ardhur M.B e me miqtë e tij të afërt në restorantin e qendrës së qytetit gjendej në një gosti familjare. Ishim të informuar për ardhjen e tij, kështuqë kërkuam të gjenim mundësinë ta kontaktonim e të bisedonim me të. T’i shtrinim dorën e t’i kërkonim që të na ndihmonte të largoheshim për pak kohë. Natyrisht që nuk mund ta sqaronim për kanosjen dhe rrezikun që kishim nga shteti dhe regjimi serbo-sllav, edhe pse largimi ynë për pak kohë ishte i domosdoshëm. Pas përpjekjeve të shumta kishim arritur të gjejmë mundësinë të takohemi.Takimi nuk e kishte pamjen e zakontë të shoqërisë time e më dukej që po futesha në fushën e një tregtie të panjohur apo të pazakontë për mua. Pas një prezantimi të shkurtër, filluam t’i shprehim qëllimet tona, dhe ai pasi e dëgjoi kërkesën tonë e pasi u mendua disa çaste, u shpreh:
“Pas dy ditësh do të nisemi për udhë”.
E dinim mirë se do të ishte një udhë e gjatë, e vështirë dhe e dhimbshme e do të na duhej të linim gjithçka. Kështu, pas dy ditësh, ai me rrjetin e tij të njerëzve kishte zgjidhur çështjen e dokumentacioneve dhe mënyrën e udhëtimit tonë. Po ashtu ai kishte zgjidhur dhe çështjet që kishin të bënin me largimin tonë nëpërmjet aeroportit të Beogradit.
Mua më kapëloi, si mjegulla që të zhyt nëpër ulurima, një ndjenjë emocionale, keqardhje e dhimbjeje, një ndjenjë fajësie. Vetja m’u duk si zog shkretëtire e që s’isha më si ditët e mëparshme. Po si një pikë vese që mbërrin në zgripin e fletës së gjethes dhe pret të shkëputet nga gjethi, brenda meje diçka e padukshme rëndonte në shpirt. Më duhej të lija familjen time të shtrenjtë, vendlindjen e qytetin tim që e dënon dobësinë. E kisha kaq të vështirë të largohesha nga familja dhe të afërmit e mi, aq më tepër ta hapja këtë temë në familjen time e t’ia thoja nënës sime të shtrenjtë. E dija që do t’ia lëndoja zemrën rëndë. Por koha ecte e të nesërmen do të nisesha për udhë. Në lindje vinte udhës së vet mbrëmja e në perëndim dielli kaplonte malet. Muzgu, si një pelerinë e zezë, binte luginave, arave, livadheve, përrojeve, maleve, bjeshkëve. Ndërsa unë sikur isha bllokuar e s’po mundja të gjeja fjalët e duhura. Është e vështirë të përshkruhen ai moment dhe ato çfarë po përjetoja: minutat ecnin e brenda meje ngarkesa emocionale bëhej gjithnjë e më e madhe.
U mblodhëm të gjithë bashkë. Familja ime e shtrenjtë ishte aty, e gjitha rreth meje. E unë duhej të flisja. Po a dilte fjala? Në prag të darkës, me zërin që më dallohej që rridhte me vështirësi e nuk artikulonte si më parë e që qartazi dukej se nuk ishte si gjithnjë, nisa të flas:
-Të dashurit e mi… Kam diçka me rëndësi për të biseduar me ju. Pështyma më ishte tharë në gojë e fjala sikur më ishte lidhur nyje në gërmaz. Sapo vështrimin e kisha hedhur në fytyrën e mpirë të nënës, zemra e së cilës dukej se e parandjente dhe lexonte mendimin tim e në zërin tim që dridhej kuptonte atë që të nesërmen do të ndodhte. – Nuk e di as vetë se sa është e vërtetë e sa do mund të realizohet, por unë për një periudhë të shkurtër kohe edhe prej situatave të krijuara jam i detyruar të largohem nga vendi. Ju thashë se nuk e di as vetë se sa është e vërtetë e këtë ua thashë pse nuk doja që të rëndoja situatën e krijuar. Ju i dini problemet me të cilat ballafaqohem, e pra nëse është e vërtetë, unë nesër më duhet të vihem në udhë për t’u larguar. Më është dhënë një ofertë që të largohem për pak kohë. Por, po ju premtoj që për shumë pak kohë…Këto ishin të gjitha fjalët, aq sa munda të shqiptoj. Zemrën e ndjeja në grykë e lotët ishin gati të buronin, ndërsa familja më vështronte në heshtje.
Asnjëherë s’më është hequr nga mendja e kujtesa ime ai moment i vështirë. Situata në familjen time kishte ndryshuar tërësisht. Fytyrat e njerëzve të mi ishin si të mpira. Në fytyrën e zbehtë në nënës, dhimbja dhe trishtimi dukeshin haptazi ndërsa në sytë e saj kishin marrë jetë dy lot si kristale. Fjalët e mia kishin rënë të papritura, por askush nuk mund të thoshte diçka, aq më tepër të kundërshtonte apo të kërkonte moslargimin tim. I dinin problemet e gjithkush në Kosovë përjetonte momente jo të mira.
Askush s’u kujtua të hajë darkë e askush s’vuri gjumë në sy atë natë. Ndërsa unë ndjehesha si një copë druri që më duhej të lija mbrapa gjithçka. Biblioteka në dhomën time sikur kishte marrë një pamje tjetër, ishte e vetmja pasuri e imja e që nëna e dinte se ishte dobësia dhe meraku im. Për të realizuar atë e për të blerë disa nga librat e mi të shtrenjtë e kisha akoma një kredi të papaguar. Aq më tepër që shumë prej tyre tani ishte vështirë të gjendeshin. Pa folur pastaj për ato revista dhe libra që ishin të ndaluara të lexoheshin në ato kohë dhe që kur ziheshin nga regjimi i asaj kohe jo vetëm zhdukeshin por dhe përndiqeshe e kishe pasoja serioze. Kishte pastaj dhe libra që ishin marrë nga biblioteka e Kishës së fshatit e që kishin vlera të mëdha historike, kulturore e kombëtare. Prifti fisnik i asaj kohe Prek Lazri m’i kishte besuar për t’i lexuar. E hodha vështrimin edhe një herë e sytë m’u mbushën me lot. E thirra vëllanë që ishte më i ri nga mosha, Skënderin, e i lashë porosi të veçantë për to edhe e udhëzova se si të vepronte e ku do t’i shpërndante një pjesë të tyre. Dy prej tyre i mora që të mund t’i lexoja gjatë udhëtimit tim.
Pasi i kisha sistemuar ato pak gjëra të domosdoshme që më duheshin e kisha mundësi të merrja për udhë, mund të them se nata kaloi pa gjumë. E nesërmja zbardhi, por momenti i ndarjes qe edhe më i vështirë. U përshëndeta përmes lotësh me të gjithë njerëzit e familjes. E pastaj u ndala përpara nënës, si të ndalesha përpara një shtatoreje. Do të doja të isha skulptor e të ndërtoja një shtatore pikërisht me shprehjen e dobësisë dhe të madhështisë njëherësh të nënës sime. Do ishte një përmendore e pavdekshme e mallit të nënave që përcjellin bijtë në udhën e kurbetit. U pamë thellë në sy. Nuk kishte nevojë për fjalë. U kuptuam në heshtje. Ashtu në heshtje e përmes një përqafimi të gjatë që do të doja të mos mbaronte kurrë, mora bekimin e saj për udhën e largët. Në rrudhat e saj lexova merakun që ajo nuk e shprehu. Por unë do e merrja me vete, sëbashku me ngrohtësinë e atij përqafimi të paharrueshëm. Po nisesha shtegut të vetëm që më kishte mbetur hapur, por që po më shkëpuste nga rrënjët, nga rrënjët e genit, nga trungu, si shkëputet një gjethe prej pemës që bie e tretet. Por brenda meje ishin gdhendur fjalët e nënës në momentin e shkëputjes nga përqafimi:
-Shko, o bir, po s’më gjete, mos u dëshpëro, ani se jam njeri i harruar në rrugën e vjeshtës. Ani ti s’po shqelmon të kaluarën-përrallat, verbimin mistik të gjyshërve të tu, por mos i harro vendlindjen, atdhenë… Aq sa e rëndonte largimi im, më shumë e rëndonte kur mësoi që do të emigroja përtej oqeanit… Rruga të qoftë e bardhë, biri im, sikur më thoshin sytë e përlotur të nënës sime. Ti shko, bir, po këtë vend mos e harro kurrë. Udha jote është si e mijëra bijve të tjerë të Kosovës, që kanë marrë rrugët e mbarë botës.
Para meje, si në një roman që s’ia dija as fillimin as fundin, jeta merrte një rrugë të re e unë sikur isha bërë dy qenie, njëra ishte trupi e, tjetra, ikur prej tij, ishte shpirti. Trupi që ikte diku në udhën e largët, po shpirti kishte mbetur aty në truallin e të parëve të mi, në atdheun tim, në çdo gur e prag, në çdo arë e livadh, malli për të cilat kishte filluar të më gërryejë që në momentin e parë. Në mendje më vinin përrallat e dëgjuara në fëmijëri e ato të lexuara më vonë, më buçiste forca e eposit të Kreshnikëve e të bëmave të tyre për atdhe. Po ikja i zymtë, sikur isha mbështjellë prej një reje të zezë që vinte bashkë me mua mbushur plot me duhi, me ulërima e bubullima. Një re e zezë fatkobe, siç i kishin ardhur gjithherë retë fatkobe të pushtuesve të lindjes arabë e sllavë, barbarë gjakprishur e bisha që s’jetonin dot pa gjak. E derdhnin gjak të rracës sime fisnike e të shenjtë, të rracës më të bukur e më fisnike të botës për mua. Ishte pikërisht kjo re që më nxiste të merrja udhën e largët e të panjohur.
Edhe pse s’doja të jepesha e mundohesha ta fshihja brenda vetes trishtimin, ndjehesha i vrarë në shpirt e zemra sikur më kishte mbetur pas, atje në pragun e votrës e brenda meje nuk e kishte më ritmin e zakonshëm, po regëtinte përvajshëm.
Në mendje më vinte gjithnjë ai përqafim malli, dashurie, dhembjeje i nënës time të shtrenjtë. Ai lot i kulluar që merrte jetë në sytë e saj të thellë e thinjat e saj që dridheshin. Oh! kisha ofsha me vete e një drithërimë më kishte përshkuar gjithë trupin. Ajo ma kishte falur jetën, më kishte rritur dhe edukuar me shumë mundime që të më kishte pranë vetes si një shkop ku do të mbështetej në ditët e pleqërisë e tash më bekonte me fjalë zemre e lot malli në udhën time përtej shtatë deteve, udhën time atje në një cep të largët përtej oqeanesh dallgëshumë.
Isha krejt i mpirë e dridhesha nëpër ankth, por sirena e trenit më dukej sikur më zgjoi nga kllapia e sikur ulëriti: – nisu tani, s’ke rrugë tjetër. NISU!
Hapat e rëndë kisha nisur t’i hedh në rrugën e panjohur si të kisha gjithë vendlindjen time mbi shpinë. Bari i zhuritur kërciste nën këmbët e mia, ndërsa unë ecja drejt rrugës kryesore. Në të dalë të fshatit e ktheva dhe një herë kryet mbrapa të shoh. Të afërmit e mi, me shikimet e tyre të shtangura, përcillnin ikjen time. Unë po e lija mbrapa vendlindjen time në vapën e zhuritur e do ndjeja mall për të, për pranverat e gjelbërimin e pafund e të mrekullueshëm, për udhën e fshatit e barinjtë e saj urtakë që i doja aq shumë. E zemra ishte aty dhe pse trupi im kishte marrë udhën në ikje. E njerëzit e racës time të zgjedhur të atyre anëve sikur më thoshin: ndalu!, mos ik. Ku po shkon? Zëri i tyre më dukej se më ndiqte nga mbrapa si vaji i një qyqeje ngado në ikje e ajo thirrje më ka ndjekur gjithnjë brenda meje. Kudo e kurdoherë. MOS IK!
Kampet e ndara në luftën e tyre të ftohtë s’e shihnin ralitetin që ndodhte aty në racën time njerëzore, ku drama të tmerrshme gjaku luheshin çdo ditë mbi djemtë më fisnikë të vendit tim. Po unë ç’përgjigje t’u jepja njerëzve të mi e bashkëfshatarëve të mi urtakë për heshtjen e botës së verbër që akoma s’e kishte parë, s’e njihte atë realitet të dhimbshëm e të frikshëm? E unë po shkoja të nisja një jetë të panjohur përtej oqeanit .
Zemra nuk e kishte ritmin e zakonshëm dhe i ngjante një daulleje alarmi që binte pa nda, si të ishte shkëputur prej meje e luhej në dorën e dhembjes e trishtimit, siç luhet një ritëm në dorën e një lodraxhiu.
Marjani, im vëlla (arsimtar në atë kohë), me të cilin asnjëherë s’isha ndarë, më shoqëronte në atë copë udhë në ikje, e kur doja të shkëputesha prej tij sikur më shkulej diçka prej shpirtit. Por edhe në lotët e tij, që gjithnjë mundohej t’i fshihte, shihej ankthi dhe trishtimi, ajo copë e shpirtit që shkëputej e ikte prej tij bashkë me trupin tim. Kështu, pothuajse të heshtur e pa foluar, mbërritëm në zemër të qytetit, para pallatit të kulturës, ku kishim lënë të takoheshim me shokun tim, Avdi Qevani, me të cilin do të nisnim udhën tonë të panjohur.
Asnjëherë në jetën time ajo copë udhë prej fshatit tim të lindjes deri në zemër të qytetit, s’më ishte dukur më e lodhshme e më e gjatë se kësaj here. E në fakt nuk e dija, po mund të ishte dhe e fundit. S’ishte e vështirë të kuptohej pse edhe tek Avdiu lexohej mirë përulja e dhimbjes dhe largimi që ia kishte zbehur krenarinë. Nuk kishte rrugë tjetër e ne kishim menduar se largimi ynë ishte i domosdoshëm e do të ishte i shkurtër, pra vetëm për një a dy vjeçarë.
Disa miq na ftuan për kafe. Edhe ata e vunë re se qëndrimi dhe çehreja e fytyrës time nuk ishte si më parë. Kështu që Marjani u tha për largimin tim. Te të gjithë ndryshoi pamja e fytyrës. Ishim shokë. Shoqëria jonë ishte e pastër dhe e kristaltë, e sinqertë dhe e drejtë. E të gjithë e dinin atmosferën e krijuar në vend. Edhe pse brengosja dukej në fytyrën e secilit prej tyre, asnjëri nuk bënte asnjë pyetje, por veç më përqafonin me përlotje ndër sy. E me zërin që u dridhej më uronin udhë të mbarë.
Anton Mirakaj diçka kërkonte nëpër xhepa e, si e nxori një stilolaps, e drejtoi drejt meje e më tha:
– Merre ta kesh prej meje si dëshmi të respektit. Nuk më qëlloi diçka tjetër por shkruaj derisa t’i mbarojë boja…
Edhe pse koha ecte, kam dashur me gjithë shpirt që ajo të ndalej në vend në ato momente e të qëndroja sa më gjatë me dy vëllezërit, Marjanin, Skënderin dhe shokët e mi, por erdhi minuti e mbërriti tregtari M. B. që kishte ardhur nga Amerika. Ishte me një pamje të zakontë dhe krejt i qetë e pamja e tij tregonte se gjërat i merrte me lehtësi. Na e tregoi gjithë itenerarin e lëvizjes dhe njerëzit që do të takonim.
Në fshatin Xërrxë do të niste udhëtimi me tren drejt Beogradit, ku dikush do të na pajiste me dokumentet e udhëtimit e po ai njeri do të na përcillte deri në aeroportin e atij qyteti. Nga aty do të rrugëtonim drejt qytetit të Amsterdamit. Në kryeqytetin hollandez do të merrnim linjën ajrore për në Meksikë, ku do të na priste një tjetër njeri, i cili do të na mundësonte kalimin në Amerikë. Gjithçka në dukje ishte në rregull, por udha vade nuk ka e nuk i dihej. Megjithatë ne e kishim vendosur e tash ishim nisur udhës pa kthim.
Kështu unë, Marjani, Skënderi, Avdi Qevani dhe shoku ynë i përbashkët, Osman Tafa, u nisëm të gjithë së bashku për në fshatin Xërrxë, ku gjendej një stacion i vjetër treni, që mua këtë herë më dukej krejt i mjerë, i zymtë i shkretë. Marjani u kujtua të merrte nga një pije freskuese, që në atë moment ishte më e domosdoshme se asgjë. U dëgjua sirena e trenit, që e shoqëronte një fërfëllimë tymi i zi, që dilte shtëllunga – shtëllunga prej lokomotivës. U përshëndeta përlotshëm me vëllanë, Skënderin dhe Osman Tafën, mikun dhe shokun tim të pandarë prej jetës sime që nga fëmijëria e hershme dhe pse tashmë kanë kaluar tridhjet e pesë vite pa e takuar. E kështu treni, si një përbindësh që na kishte marrë me vete, mori udhën drejt Beogradit.
Unë e Avniu, të heshtur, vështronim anash rrugës, si të donim të merrnim me vete mallin, aromën e gjithçka në ato momente ikjeje. Kishte nisur kështu udha jonë me Avni Qevanin, por me ne, si një shqipe krahëthyer udhëtonte dhe Marjani, që kishte vendosur të na përcillte deri në Beograd. E kishim bërë një copë të mirë udhë në heshtje të plotë, por tash nuk ishte më koha që të shfaqej dobësimi im, as trishtimi, e duhej ta merrja veten e burrërisht duhej të triumfoja, duke sfiduar gjithë vështirësitë që do të shfaqeshin në udhën e re të jetës. E unë do të përulesha vetëm nëse mortja do të më mundte.
E ngrita kryet dhe nisa bisedën që tash nuk doja të ndalej më mes nesh. Marjani, si të kishte lexuar mendimin tim, filloi të tregojë grimca humoristike e, pavarësisht ngarkesës së madhe emocionale, shpesh ia jepnim të qeshurës.
Pasi mbërritëm në Beograd, ku do të na priste personi që do të na dërgonte deri në aeroport dhe që do të na pajiste me pashaporta, morëm vesh se bashkë me ne do të ishin dhe dy kosovarë të tjerë. Të gjithë djem të shkolluar e të diplomuar në universitete të ndryshme. Të gjithë iknin pse jeta e tyre ishte në rrezik e atë udhë e merrnin duke vënë jetën e tyre në rrezik, pa pasur asgjë të sigurtë e pa ditur çfarë do t’iu surprizonte jeta e re.
Mark Hajdarin, që ishte diplomuar në Universitetin Bujqësor për Agronomi, e kisha njohur edhe më parë, e ai ishte njeri me kulturë e dije të gjerë. Në fjalorin e tij, e sipas tij, nuk duhej të ekzistonte asnjë fjalë që nuk duhej thënë. Ja, këta ishin lulja e rinisë, e cila detyrohej të braktiste vendlindjen, Kosovën, për shkak se jeta e tyre vihej në rrezik pikërisht për idetë që kishin për një Kosovë të pavarur e Republikë. Edhe pse më vinte keq për ikjen pikërisht të djemve të shkolluar, u gëzova pse mendova që këta njerëz do të ishin dhe shoqëria ime e re në Amerikë.
Nuk më është shqitur kurrë nga mendja ai moment ndarjeje me Marjanin në Beograd, që për mua, e jam i sigurt se dhe për atë, ka qenë një moment shumë i vështirë. E kisha përqafuar shpejt që t’i qëndroja besnik burrërisë e që të tjerët të mos vinin re dridhjen e shpirtit. Por ajo ndarje e shpejtë ishte si ai tehu i mprehtë i thikës, dhimbja e të cilit ndihet më vonë.
Personi që na priti në Beograd dhe që na pajisi me pashaporta ishte një tregtar nga një fshat i Pejës. Ai kishte shkuar shumë vite më parë në Amerikë e, nëpërmjet njerëzve të tij, na dërgoi në aeroport, ku do të na priste një tjetër person. Aty na ndanë në dy grupe. U ndamë me Avniun dhe nuk jemi parë më gjer në Amerikë. Personi që na priti në hyrjen e aeroportit ishte një grua. Ajo, pasi mori pashaportat tona, u largua disa çaste e pas pak kohe na tha të drejtoheshim drejt aeroplanit që do të fluturonte për në Amsterdam.
Bashkë me avionin kisha marrë tashmë për herë të parë në jetën time udhën e qiellit. Edhe pse isha i lodhur nga pagjumësia, por më së shumti nga përjetimi i pazakontë i ikjes e duhej të flija pak kohë, të bija në qetësi e të largohesha nga gjithçka kisha lënë pas, fillimisht nuk më kishte zënë gjumi dhe kisha dashur që të njoh atë komoditet të ri dhe atë udhëtim të ri. Por pas pak lodhja kishte bërë të vetën e më kishte kapluar gjumi. Kështu që atë udhë e kisha bërë në gjumë. Tani dëgjoja rrallë ndonjë fjalë në shqip e më duhej të flisja frëngjisht, gjuhë në të cilën kisha njohuri nga që e kisha mësuar që në shkollë. Fatkeqësisht anglisht dija më pak edhe pse ajo tash ishte gjuha që do më duhej më shumë.
Në Amsterdam do të qëndronim një natë, pse të tilla ishin kombinimet e linjave ajrore e ne na duhej të ndërlidheshim me njerëzit e duhur siç e kishim lënë që në Kosovë. Kështu atë natë e kaluam krejt si të ishim turistë në hotel në Amsterdam të katërt së bashku. Por pa zbardhur mirë dita të gjithë ishim ngritur e sëbashku vizituam, duke shfrytëzuar maksimalisht çdo minutë dhe mundësi, qytetin e Amsterdamit. Ai është një qytet i bukur e modern, mjaft i preferuar nga turistë që vijnë nga e gjithë bota. Rrugët buzë ujrave, shtëpitë karakteristike me ngjyra të ndezura, lëvizja e turistëve e bëjnë atë një qytet shumë të gjallë e tërheqës. Kaloja bashkë me shokët rrugëve të tij, por emocionet dhe të panjohurat e udhëtimit që do të vazhdonte në mbrëmje, sikur ma zbehnin kënaqësinë që provonim. Në mbrëmje, pasi morëm një taksi, që na dërgoi deri në aeroportin e atij qyteti, e nisëm sërish udhën si zogj të natës nëpër terr drejt Meksikës, duke e rritur kështu gjithnjë e më shumë largësinë me Gjakovën time të dashur me Kosovën e Shqipërinë nënë.
Kisha menduar se ai udhëtim do të ishte mjaft komod e se do të kalonte pa shumë lodhje, pasi me vete kisha dhe dy libra që mund të ma bënin më të lehtë udhëtimin tim. Por orët e udhëtimit s’kishin të mbaruar. I kisha lënë prapa Bjeshkët e Namuna dhe malet e mia të bekuara, grykat e shenjta e legjendëshumta të Kaçanikut e Caralevës. Të mahnitshmen grykë të Rugovës, burimin e Drinit të Bardhë, malet, bjeshkët, arat livadhet, po mbi gjithçka njerëzit e mrekullueshëm të racës time njerëzore e tash gjendesha mbi oqean e çdo kilometër i udhëtimit të atij aeroplani po e shtonte shkëputjen time nga vendlindja e atdheu im. Këtë gjendje timen shpirtërore mund ta kuptojë vetëm ai apo ajo që e ka ndërmarrë vetë këtë rrugë. E di,për fat të keq, përgjatë historisë, qindra e mijëra shqiptarë janë detyruar të marrin rrugët e kurbetit. Nuk jemi më kot 7 milionë në 5 kontinente. E të gjithë ata e kanë përjetuar atë shkëputje të dhimbshme nga toka nënë, e kanë ndjerë shpirtin copë e grimë rrugëve detare, tokësore apo qiellore nëpër të cilat i janë drejtuar një fati të ri. Edhe atje në hapësirat qiellore mbi oqean më shfaqej para meje fytyra e verdhë dhe lotët në sytë e nënës time të shtrenjtë. Brenda meje ndjeja sikur më merrte me mall në gji, sikur më ngrohte e më bënte shoqëri përqafimi i saj i paharruar dhe i bekuar. Por sa mendoja se largësia me të shtohej, zhurma e aeroplanit më dukej si një simfoni e trishtë. As vetë s’e di se si ai përqafim malli i nënës time m’u bë si brengë e një lot mori jetë në bebëzën e syve të mi.
Në xhepin e këmishës e mora stilolapsin që më kishte dhuruar shoku im Anton Mirakaj e fillova të shkruaj në një letër poezinë “Lotë mbi oqean” e ky shumë vite më vonë u bë dhe titulli i librit tim të parë me poezi. Eh. Vetëm oqeani e di sa pika lotësh të tjerë kanë rënë mbi të,ashtu si lotët e mi.
Pas atij udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, më së fundi mbërritëm në Meksikë. Një shtet i madh latinoamerikan, me hapësirat e pa mata që për ne ballkanasit duken irreale, me kontrastet e jetës së vet, ku resortet përrallore për pushime, ku shkojnë të pasurit e globit, bien në kontrast me lagjet periferike të qyteteve tërë baraka, varfëri e mizerje. Nga aeroporti i Meksiko Citty morëm një taksi që na dërgoi në hotelin e rezervuar për ne. U vendosëm në “Hotel Executivo”, ku ishte e garantuar gjithçka. Dhoma jonë ishte në katin e trembëdhjetë. Pas një pushimi, që ishte më se i nevojshëm pas atij udhtimi të gjatë, zbritëm në katin e parë të tij, ku gjendej kuzhina e mund të provonim e shijonim ushqimet e shumëllojta. Por mua aromat e shumta të pigmenteve ushqimore, që nuk kishin aromën dhe shijen e natyrës me të cilat isha rritur e isha mësuar të ushqehesha, më bënin të mbetesha pa ushqim. Pavarësisht larmisë dhe shumëllojshmërisë së ushqimeve, unë nuk kisha asnjë që të mund ta vija në tavolinë e të ushqehesha me të. Uji përmbante një aromë të rëndë që më pengonte jashtëzakonisht shumë, kështu që nuk konsumova asgjë. O zot,sa do kisha dashur ta shuaja etjen me ujin e burimeve tona të mrekullueshme apo të ndalesha te gryka e pusit, të hidhja kovën e të nxirrja ujin e kulluar si lot. Eh, por ato kishin mbetur kaq larg tashmë e unë po filloja të provoja shijen e hidhur të jetës së emigrantit. Të nesërmen, që të mos mbetesha pa ngënë, kërkova vezë që doja të ishin të papërziera me asgjë tjetër. Por prej mungesës e vështirësisë së komunikimit, ata të kuzhinës bënin të vetën e kështu mua m’u desh që me vështirësi të konsumoja diçka që të siguroja funksionin bazë të organizmit. Me mendimin se uji i gazuar mund të ishte një zgjidhje dhe se gazi do të largonte sadopak aromën e pakëndshme të ujit, kërkova ujë të gazuar.
Në këtë situatë krejt të pakëndshme për mua, personi që kishte marrë përsipër të bënte të mundur kalimin e kufirit nga Meksika për në Amerikë na lajmëroi që ne duhej të prisnim për disa ditë në Meksikë. Ndonëse situata ishte krejt e pakëndshme dhe e paparashikuar e tek ne kishin nisur të shfaqeshin të panjohura që rrugën tonë e kishin ngërthyer mes hallesh, shumë shpesh triumfonte shakaja e gjithnjë harmonia vëllazërore. Kështu gjithë ditën patëm mundësi të shëtisnim në qytetin e Meksikos.
Duke qenë se unë po pija vetëm ujë të gazuar e nuk po konsumoja asgjë tjetër, fillova të kem problem me shtangimin e muskujve të stomakut. Për fatin tonë të keq personi që do të na kalonte në Amerikë ishte kapur nga forcat e kundra emigracionit amerikan e për ne u krijua një situatë e re krejt e vështirë.
Kështu mbetëm në një udhëkryq, pa mundur të ndërmarrim ndonjë hap më tej apo të vendosnim për një zgjidhje të situatës në të cilën gjendeshim. Jashtë çdo parashikimi dhe asaj që na ishte premtuar, na u desh të rrinim për pesëmbëdhjetë ditë në Meksikë, pra në kryeqytetin Meksiko.
Nga leximet e mia e dija që ky qytet për hapësirën e tij metropolitane me gati 34 milion banorë është i dyti pas Tokios. Sa dëshirë do të kisha që për disa ditë të bëja i qetë turistin, të njhesha me vlerat e shumta kulturore të këtij metropoli, me qytetërimet maya. Ky qytet kaq i madh është i teti në botë për pasurinë.Një qytet kontrastesh të habitshme midis 500 grataçielave, pallateve e hoteleve luksoze e kasolleve dhe lagjeve të varfra ku uria e sëmundjet bëjnë kërdinë. Qytet trafiqesh të shumta, jo vetëm të Amerikës latine, por të të gjithë globit. Por si mund të bëja i qetë turistin, pa ditur çfarë po ndodhte e cili ishte e do të ishte fati ynë? Dy nga shokët tanë ishin të martuar e në Kosovë kishin lënë bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Ndaj gjithnjë mundoheshim të shmangnim tensionet, që ishin tashmë të natyrshme e që mund të vinin në rrezik jo vetëm udhëtimin e qëllimin tonë, por edhe vetë jetën tonë.
Kjo situatë vështirësohej dhe më shumë nga pamundësia e komunikimit me familjet, të cilat nuk kishin tashmë asnjë informacion. E për shokët tanë që ishin të martuar shqetësimi ishte mëse i arsyetuar sesa për ne. Por tashmë ne ishim bërë shokë të pandarë me njëri-tjetrin, kështu që u mblodhëm e biseduam të gjithë bashkë që të mund të gjenim një zgjidhje të pranueshme e të mundshme për t’u realizuar. Vendosëm që të bëjmë një hartë e një plan udhëtimi e duhej t’i afroheshim sa më shumë kufirit nëpërmjet mjeteve të transportit publik. Për t’u orientuar në udhëtimin pas kësaj faze, që do të ishte në vende malore dhe në këmbë, do të detyroheshim të blenim një busull e kjo ishte e vetmja zgjidhje, edhe pse ky plan kishte me vete gjithashtu shumë rreziqe të tjera të paplanifikuara, të pamenduara. Ishim krejtësisht në një botë tjetër,jo thjeshtë në një territor të panjohur.
Në ditën e gjashtëmbëdhjetë, kur durimi ishte shuar, në derë trokiti njeriu që do na udhëzonte në rrugën tonë dhe ndërpreu në mes planin tonë dhe rrugën plot rreziqe. Ai, pa na lënë më asnjë sekondë kohë tha: Tani menjëherë do të nisemi. E ne menjëherë u nisëm, nga qyteti Meksiko për në një aeroport afër kufirit, duke bërë thuajse dy orë udhë. Personi që na shoqëronte nuk rrinte afër nesh, por vëzhgonte lëvizjet tona prej së largu. Ne nuk po kuptonim qëndrimin e tij larg shoqërisë sonë gjatë udhëtimit. Natyrisht nuk mund ta fsheh, por më dukej injorant e i papërshtashëm për t’u shoqëruar me të.
Pasi dolëm nga aeroporti na priti një meksikan trupshkurtër me një kapele sa një rrotull qerreje në kokë e që bërtiste. Na uluriti që shpejt të futeshim në një makinë të madhe me ngjyrë të çuditshme e që i jepte pamje të zymtë. Dukej se ai njeri ishte i shqetësuar, se vështronte nga të katër anët e dukej qartë se kishte frikë se mos e ndalonte ndonje agjent i emigracionit. Pas një ore udhëtimi na afroi afër kufirit e aty na priste një meksikan tjetër që na afroi afër lumit Riogrande. Bazamenti i lumit ishte i shtruar me beton e uji lëvizte me shpejtësi shumë të madhe. Gjerësia e lumit ishte diku mbi njëzet metra. Nuk kisha frikë nga uji pasi not dija mirë. Në bregun e lumit priste një tjetër meksikan që mbante një gomë traktori e që e tërhiqte me litar nga ana tjetër e lumit. Lëvizjet tona kishin marrë pamjen e një filmi të Teksasit që e luanin aktorët maksikanë. Na sugjeroi që të shtrihemi përmbys mbi gomën që do të tërhiqej nga ana tjetër nga dikush. Kur këmbët u shkëputën nga bregu, gomën e mori shpejtësia e ujit saqë me zor e mbanin dy meksikanë që e tërhiqnin gomën me litar nga ana tjetër e lumit. Kështu që të katër, dy nga dy e kaluam lumin.
Para nisjes nga Kosova, asnjëherë nuk e kisha menduar se rruga jonë do të kalonte përmes aventurash të rrezikshme, ku jetën tonë e kishin në dorë njerëz krejt të panjohur që mund të bënin çfarë të donin me ne. Me sa duket dëshpërimi nga njëra anë, por edhe besimi dhe shpresa nga ana tjetër bëjnë që jeta e emigrantit të varet shpesh në një fije peri për të arritur atje ku ëndrra troket në dyert e fatit apo të fatkeqësisë. Për fatin tonë të mirë, me gjithë të panjohurat e shumta të deritanishme, po spostoheshim gjithnjë e më shumë drejt pragut të ëndrrës.
Pas kalimit të lumit kishim mbetur në një zonë neutrale, pa mundur të kalonim telat e kufirit amerikan. Pas një vështrimi të thellë e të vëmendshëm, nuk vumë re ndonjë levizje makine apo njeriu, por prapë duhej të bënim kujdes, pasi mund të ishte ndonjë makinë e forcave të antiemigracionit apo roje të kufirit. Tashmë shqisat tona ishin mprehur gjithnjë e më shumë, madje na ishte zhvilluar një shqisë e re në formën e një antene të padukshme,që na paralajmëronte për çdo rrezik. Pas përpjekjeve të shumta e vëzhgimit të kujdesshëm erdhi momenti dhe ne e kaluam kufirin dhe hymë në tokën amerikane.
Toka amerikane. Ëndrra dhe shpresa e miliona njerëzve nëpër botë. Më shumë se 6 shekuj më parë atë e kishte zbuluar Kristofor Kolombi. Por ne po na dukej sikur po e zbulonim tani këtë kontinent të madh e të pasur, ku po ngulnim këmbën për herë të parë bashkë me shpresat tona për të ardhmen.
Tashmë, si të na kishin hedhur me parashutë, ndodheshim të vetëm aty. Kishte mbaruar gjithçka me njerëzit që na orientonin,e tashmë secili prej nesh apo dhe të katërt së bashku nuk kishim më asnjë person që do të mund të na orientonte apo shoqëronte më askund.Tanimë ishte frika që ende ishim në zonë kufitare dhe në çdo moment mund të ndodhte që të ndesheshim me rojet e kufirit apo agjentët e emigracionit…Përbuzë kufirit me Meksikën, në tokën amerikane shtrihet një autostradë që ne duhej ta kapërcenim. Por për të kaluar atë duhej kujdes i madh pse kishte lëvizje të shumta dhe shpejtësia e makinave ishte e madhe. Pasi e kaluam autostradën, u futëm mes njerëzve, duke u munduar të mos binte në sy prezenca jonë nga një udhëtim i parregullt, kështu që filluam të flasim e qeshnim si të mos kishte ndodhur asgjë e pazakontë. Kaluam afër një fushe sporti e ne thuajse po e shijonim si gjithë të tjerët atmosferën e lojës. Ashtu, duke ecur me një ritëm të ngadaltë, hymë në një fshat, ku një njeri në oborrin e tij rregullonte diçka në një makinë. Pasi e përshëndetëm, ashtu si mundëm i kërkova që të na çonte në aeroport. Ai kërkoj 100 dollarë e ne ramë dakort me të. Hypëm në makinën e atij fshatarit, i cili, pa vonuar shumë, na dërgoi gjer në aeroport, ku të katër së bashku mendonim që do të hypnim në aeroplan në drejtim të Nju Jorkut. Pasi hymë në aeroport nga çanta nxora një xhamper dhe e lidha për mes, që të marr pamjen e një djaloshi që shëtiste sipas dëshirës e jo për ndonjë hall siç në fakt ne ishim. Edhe pse nuk dija të lexoja në gjuhën angleze, bleva gazetën që të merrja pamjen e një njeriu vendas që udhëton për çështje normale.
Të ulur në rendin e ndenjëseve nisëm të bisedonim e bëmë sikur “lexonim gazetën”, si të ishim katër “turistë” të ardhur në aeroportin El Paso për të marrë një rrugë të këndshme pushimesh. Pasi qëndruam pak dhe morëm veten, u ngrita dhe ecja mengadalë dhe kërkoja sportelet, që të mund të bënim rezervimet e biletave për në Nju Jork. Në një nga daljet lexova që shkruante New York. Shkova dhe po bisedoja me shokët: Atje është vendi ku ne duhet të bëjmë rezervimin dhe të udhëtojmë për në Nju Jork. Tani problemi ishte gjuha angleze. Aty e kishim të qartë se nëse gabonim do ta pësonim shumë keq, pasi ende ishim pothuaj në zonë kufitare dhe vende të tilla e dinim që kontrollohen shumë nga agjentet e emigracionit. Biseduam të gjithë sëbashku dhe i bashkuam fjalët më të duhura që dinim që të mund të bënim rezervimin e biletave.
Iu afruam sportelit. Me një buzëqeshje të lehtë e përshëndeta ëmbël sportelisten, dhe pastaj ju drejtova saktësisht me këto fjalë: “Four tickets linea New York”. Dëgjova që më tha “Okay”. Kjo “okey” më gëzoi shumë dhe më dha pak shpresë që do të kalonim me sukses situatën para së cilës ndodheshim. Pastaj sportelistja më kërkoi pashaportat. Ia dhamë të katër. I mbajti në duar dhe për pak kohë i shfletonte të gjitha me radhë. E kisha kuptuar që kishte filluar dyshimi. M’u drejtua: “Visa?” Nuk dinim më të komunikonim apo të sqaronim për më tutje. Por e dinim që nga tani do të kishim probleme, pasi ne nuk posedonim viza hyrëse për në Amerikë. Na dha shenjë që të presim pak. U ulëm që të prisnim një përgjigje,ndonëse në fakt e dinim se cila ishte ajo.
Pas pak minutash pranë nesh erdhën tre persona. Me një gjuhë shumë të butë e komunikuese u prezentuan dhe na bënë me dije që ne duhet të shkonim pas tyre. Kështu, pa rënë në syrin e publikut, të shoqëruar të gjithë sëbashku, shkuam në një dhomë të emigracionit, ku ata kërkuan gjithë informacionin e duhur nga ne. Pas sa orësh dy policë me uniformë më ndryshe na morën dhe na çuan në një dhomë të ngushtë me katër shtretër njëri mbi tjetrin, me një dritare që dukej si një frëngji. Po të mos ishim në Amerikë do mendoja se na kishin futur në burg. Aty na lanë tërë natën. Nuk më merrte gjumi asnjë minutë. Ndihej shumë edhe mungesa e ajrit. Nuk kishim as hapësirën e mjaftueshme për lëvizje. Mendoja që po të na linin për shumë kohë në këtë dhomë jeta jonë do të përfundonte.Vërtet me kaploi një ndjenjë e keqe. Nuk kishte mbetur asnjë ndjenjë gëzimi që të na sillte të paktën një buzëqeshje. Impakti me tokën amerikane kishte filluar në një mënyrë që na dukej e pashpresë. Nata e parë amerikane ishte më e gjatë se odisea e udhëtimit që kishim bërë për të arritur deri këtu.
Por të nesërmen na morën dhe na dërguan për një intervistë të gjatë, ku përkthente një përkthys nga jugu i Shqipërisë. Aty ne e shprehëm tërë mllefin tonë, duke treguar hollësisht vuajtjet që kishim përjetuar e përjetonim nën pushtetin jugosllav. Folëm edhe për rrezikun që na kanosej në atë vend nga ai regjim.Treguam me fakte dhe dëshmi vuajtjet dhe zërin e mbyllur që nuk mund të depërtonte jashtë vendit për ta demaskuar pamjen e rrejshme të shtetit jugosllav që aq mirë e kishte stolisur para syve të botës. Duke i dëgjuar me radhë vuajtjet dhe problemet e kombit tonë,ata filluan të na trajtonin ndryshe, në mënyrë shumë më njerëzore. Aty e vërejtën që rangu ynë nuk ishte i njëjtë me atë të njerëzve që thyejnë kufinjtë për të ndërruar një vend apo për një standard më ndryshe. E kuptuan që ishte çështje për të shpëtuar jetën. Iu dhamë të kuptojnë që vetëm një shtypje e fortë e bën një intelektual të braktisë atdheun e të marrë një udhëtim të tillë me gjithë këto vuajte. Udhë që nuk i përket natyrës së njerëzve të arsimuar siç ishim ne.
Pas asaj interviste të gjatë nënshkruam të gjitha të dhënat. Pas atij momenti gëzonim një respekt më të veçantë. Na bënë kontroll të rregullt mjekësor, çka ishte i detyrueshëm për të gjithë ata që kalonin nëpërmjet zyrave të emigracionit. Pas këtyre procedurave na dërguan në një kamp. Aty na dhanë uniformat e kampit dhe caktuan shtretërit ku do të flinim. Ne të katërt i kishim paksa më veçmas nga të tjerët. Ishim të vetmit shqiptarë aty e dallonim nga komunitetet e tjera edhe nga pamja, dhe gjithçka tjetër, por gjithësesi ne rrinim të pandarë. Kohën e kalonim duke lexuar, luanim shah e shihnim filma.Të tjerët luanin futboll.
Falë dëshirës time të flaktë që të luaja futboll, kërkova nga ata që ishin të një rrace e që luanin bashkë që të më pranonin edhe mua të luaja në mesin e tyre. U gëzova që më pranuan të luaja sepse loja e futbollit më mungonte prej kohësh. Lojën e futbollit e fillova me shumë dëshirë. Por ajo dëshirë u shua shumë shpejt, askush nuk luante me mua, nuk ma pasonte topin askush. Mbeta i vetëm në lojë, isha i inatosur, nga mllefi e kapa topin dhe e hodha përtej telave të kampit. Ata tentuan të më sulmonin. Falë zhvillimit tim fizik, që ishte shumë më i fuqishëm krahasuar me zhvillimin e tyre, nuk ndodhi ndonjë e keqe.
Aty qëndruam për afër dy javë. V. Gj. ishte me moshë më i riu ndër ne, njeri shumë i sinqertë dhe i afërt. Në çdo kohë ishte i gatshëm, me humorin e tij të na bënte të qeshim e mbante ndër ne gjallë shpirtin e humorit. Në një mëngjes dëgjova që në autoparlant thërritej emri im dhe i dy shokëve të tjerë. Na lajmëruan që duhej të paraqiteshim në zyrën e oficerëve të emigracionit. Ata na bënë me dije që duhet të bëheshim gati pasi atë ditë do të liroheshim e do të ishim të lirë të vijonim rrugën tonë. U gëzuam shumë për një moment, po kur u ktheva në dhomë pashë shokun tonë V. Gj., që nuk ia kishin thirrur emrin. Ai pra nuk do të lirohej. Ishte njeri i fortë, i përmbajtur. Gjithësesi vura re se u ndje i lodhur e i vrarë në shpirt, me një pamje të trishtuar. Kishte arsye, pasi do të mbetej i vetmi shqiptar në kamp, pa njohuri të gjuhës për komunikim me njerëzit që e rrethonin. Të mbeteshe i vetëm ishte tejet e rëndë dhe e vështirë. E pashë pamjen e tij e nuk doja ta shihja në atë gjendje.
-Unë nuk do të dal nga këtu gjersa të dalim së bashku,- ju drejtova.
Pas një bisede dhe përpjekjeve e këmbënguljes së tij, ai më tha:
-Nëse nuk lirohesh tani, ty do të të kthejnë pas. Ndërsa mua pas disa ditëve do të më lirojnë, kështu që ti duhet të dalësh dhe të vazhdosh më tej.
Këmbëngulja e tij ishte e fortë, ma mbushi mendjen dhe e pranova lirimin. -Të premtoj që, sapo të takohem me njerëzit e duhur, edhe ti do të lirohesh menjëherë,- i thashë. Edhe pse isha i shqetësuar bashkë me shokët e mi, ne të tre e lamë portën e kampit.
Pa e ditur për ku e në një drejtim të panjohur, ashtu ne ecnim në këmbë, kur një makinë ndaloi afër nesh. Ishte avokatja, që kishte marrë përsipër kujdesjen për lirimin tonë, e cila na dërgoi deri në aeroport dhe na i dha biletat e udhëtimit nga El Paso në Dallas dhe pastaj për në New Jersey.Tani në El Paso gjendeshim në të njëjtin vend, në aeroportin ku para 15 ditësh na kishin ndaluar. Por tani më të lirë, u prezentuam natyrshëm para sporteleve, duke paraqitur dokumentacionin që na kishte lëshuar zyra e emigracionit. Në mbrëmje vonë, pas 5-6 orëve pritjeje në aeroport, u nisëm nga El Paso për në Dallas. Të gjitha të hollat i kishim shpenzuar gjatë qëndrimit në kamp. Avokatja, që e kishte bërë rezervimin e biletave, ishte një avokate vendase dhe ajo, për një çmim më të lirë, kishte bërë rezervimet me pritje të gjata nëpër aeroporte dhe pa shërbim ushqimesh në aeroplan. Të nesërmen mbërritëm në Dallas. Ishim të uritur, pasi që nga mëngjesi i ditës së kaluar nuk kishim ngrënë asgjë.
Fluturimin tjetër e kishim në mbrëmje për në New Jersey. Shoku M. H. e pinte duhanin, por kishte dy ditë që nuk e kishte ndezur asnjë cigare. Më tepër e rëndonte mungesa e cigares se sa e ushqimit. M.H. kërkoi nëpër gjepa dhe mblodhi ca cent që i bashkoi për të blerë një ëmbëlsirë sa një petull e vogël, që e ndamë në tri pjesë. Ajo ishte mëngjesi, dreka dhe darka. Pritëm me padurim të hynim në aeroplan, që të paktën të ushqeheshim sadopak gjatë shërbimit me ushqime në avion. Por ndodhi krejt ndryshe. Në kohën kur të gjithëve po u shërbeheshin ushqime, ne nuk na ofruan këtë shërbim. I bëra pyetje stiuardesës pse nuk na shërbenin dhe ne si gjithë të tjerëve. Mendja më thoshte se asnjë në aeroplan nuk e kishte më të nevojshme se ne një shërbim të tillë. Ajo më sqaroi se në biletat tona nuk përfshihej edhe ushqimi, por vetëm rrugëtimi. Kështu nisi dita e tretë pa ngrënë, përveç një mëngjesi të dobët që kishim ngrënë kur ishim në kamp. Në Amerikën e shekullit të njëzetë, më dukej absurde një gjë e tillë. Çfarë mikpritjeje kjo e amerikanëve…E kjo na ndodhte pikërisht ne shqiptarëve, që për mikpritje shquhemi në gjithë botën e jemi gati që të rrimë vetë pa ngrënë e kafshatën e vetme t’ia ofrojmë mysafirit.
Kur arrita në New Jersey, iu drejtova personelit të informacionit, i cili më bëri të mundur që të kontaktoja me të afërmin tim A. N., që më priste në Bronx. Ai më rekomandoi që të merrja një taksi dhe më tregoi adresën e një kushëriri të dajës T. D. për ku po udhëtonim. Taksisti, pasi e kaloi New Jerseyn, e humbi rrugën, kështu që filluan orët e vona të mbasdites e ne endeshim rrugëve ende pa ngërne. Kur muzgu kishte filluar të mbulonte qytetin e Bronxit ne u gjendëm para shtëpisë, ku të afërmit tanë po na prisnin prej disa orësh.
Pritja ishte madhështore, e ngrohtë e vëllazërore. Plaku 70 – vjeçar më pyeti për të madh e për të vogël një për një. Gjatë bisedës mendja më kalonte herë pas here se sa do të zgjaste koha që të na shërbenin kafe, pasi e dija që sipas traditës së pari do të na shërbenin nga një kafe. Ardhja e kafes qe dhurata më e mirë për momentin.
Pasi hëngrëm mirë dhe u çlodhëm bisedat u gjallëruan. Në pamjen e plakut dallohej malli për vendlindjen, që e kishte braktisur shum vite më parë. Ishte moshatar i babait tim. Kishte mall të bisedonte për të kaluarën e familjes së tyre, familja Dakaj, që vërtet ishte një shtyllë e fortë me një histori që nga Zahrishti në Shqipëri, ku të parët e tyre ua kishin kthyer pushkën pushtuesve turq. Nga humbja e betejës me pushtuesit , Dakajt ishin detyruar të braktisnin vendin e tyre dhe të lëviznin fshehtas nëpër disa fshatra të Rrafshit të Dukagjinit dhe pastaj, më vonë vunë themelet e jetesës në fshatin Poterq, ku jetojnë edhe sot. Po të njëjtën gjë ata vazhduan kundër pushtuasit serb. Unë, si nip i tyre, dëgjoja me ëndje kur daja Tomë tregonte ngjarjet dhe trimëritë e asaj kohe. E në veçanti ngjarjen e vrasjes së një pylltari serb sëbashku me njerëzit e tij. Ky serbi, në pushtetin e asaj kohe famëkeqe të Rankoviqit, e kishte shtuar shumë zullumin ne disa fshatra të lugut të Drinit. Njerëzve iu kishte ardhur në majë të hundës prej tij e njerëzve të tij. Si gjithmonë, dera e Dakajve pushkën e kishte në thumb për armikun. Edhe kësaj radhe Dedë Daka, Martin Daka, sëbashku me dhëndrrin e tyre, Rrustem Sokolin, dalin dhe e vrasin pylltarin famëkeq serb dhe sa të tjerë të sojit të tij. Por ndonjë spiun dhe lake i serbëve e kishte çuar lajmin në UDB-në e Pejës, duke dhënë emrat e vrasësve.
Që të tre u arrestuan e i çuan në burgun famëkeq të Pejës. Torturat mbi shqiptarët ishin ndër më çnjerëzoret, duke i lënë në ujë që ngrinte akull gjatë natës. Kur shkrinte, sëbashku me akullin ikte edhe lëkura e këmbëve. Ngjarje për të cilën isha i mirëinformuar, sepse nga ato pasoja të vuajtjeve i kishte ardhur vdekja babait tim, Rrustem Sokolit.Ai tregonte se si e kishte shitur të tërë pasurinë familja Dakaj, vetëm për t’ju ardhur në ndihmë që të shpëtoin nga pushkatimi dy nga Dakajt dhe miku i tyre.
Me tema të tilla plaku nuk dinte të ndalej, ndërsa unë e kuptoja që ai me këto biseda lironte energjinë e mallit dhe të vuajteve të së kaluarës së tij. Por orët ishin të pakta për ta shprehur mllefin që kishte ndaj shkaktarëve të atyre vuajtjeve. Pas një pushimi dhe çlodhjeje, pas darke u ndamë me të dy shokët, pasi edhe ata do të shkonin te të afërmit e tyre që ishin në New Jersey.
Atë natë e kaluam pa gjumë gjer në orët e para të mëngjesit…
Të nesërmen mendonim që unë, sëbashku me djalin e axhës, i cili kishte ardhur nga Detroiti për të më takuar në New Jersey, të niseshim për në Detroit. Por unë kërkova që, para se të niseshim, të takohesha me shokun dhe bashkëvendasin tim, prof.Marjan Shabanin. Njeri i përndjekur politikisht nga vendlindja. Me të dëgjuar se kam mbërritur në New Jersey, erdhi dhe më takoi. Kishin kaluar afër 3 vite që nuk e kisha takuar. Komunikimi i vetëm gjatë kësaj kohe ishin shkrim-këmbimet dhe ndonjë herë rrallë me telefon. Këtë takim e prisja me padurim pas kaq vitesh . Pas një përqafimi vëllazëror, pas pak kohe filloi biseda për shumë gjëra që na rëndonin. Ai ishte intelektual i mirëformuar dhe atdhetar i zjarrtë. E kur ne po bëheshim gati të niseshim për Detroit, ai na u drejtua me një qëndrim të prerë: – Pa asnjë diskutim sonte jeni në shtëpinë time. Them të vërtetën atë edhe e dëshiroja, pasi kisha një kërkesë urgjente e për këtë më duhej ndihma e tij. Shkuam ata natë te prof. M. Sh., i cili na priste bashkë me të dy vëllezërit e tij. Në shtëpinë e tyre kishte ftuar edhe disa vendas të tjerë nga trevat tona, që të na bënin shoqëri atë natë. Kaluam një mbrëmje të këndshme me biseda të larmishme, që nuk kishin të ndalur e të gjitha përshkoheshin nga malli për atdhe. Ai kërkonte të hapnim tema edhe më të imta, të informohej sa më gjerë mbi gjithçka e mbi ngjarjet e ndryshme që zhvilloheshin në vendlindje. Bisedat zunë vend në shtratin e tyre aq rrjedhshëm, thuajse po i vazhdonim nga e djeshmeja e jo që kishin kaluar kaq vite.
Gjatë tërë kohës që bisedonim nuk më ishte shqitur nga mendja e po ndihesha i obliguar të gjeja një mënyrë të ndihmoja shokun tim V. Gj. që kishte mbetur në kamp në El Paso. Aq më tepër që unë i kisha dhënë fjalën që në rastin e parë që do të më jepej mundësia të takohesha me njerëzit e duhur do ta ndihmoja. Në orët e vona të asaj mbrëmjeje,të ftuarit u larguan dhe mbetëm unë, i afërmi im dhe tre vëllezërit Shabani që ishin të së njëjtës shtëpi.
Pasi mbetëm vetëm ne, pas mesnate, kur biseda kishte marrë një temp të qetë, unë e mora fjalën dhe ju drejtova: u gëzova që ju pashë dhe që qënkeni mirë të gjithë. Sikurse edhe ju që para nesh e keni lënë atdheun e keni marrë rrugët e emigracionit pa dëshirë por prej dëbimit e dhunës së egër, ashtu edhe unë kam ardhur në këtë shtet nga halli e jo nga dëshira. Profesori e dinte mirë pasi mes nesh kishte pasur një letërkëmbim të rregullt edhe më parë kur unë gjendesha në Kosovë. Por mbi gjithë të tjerat, sot kam dhe një hall të veçantë. Kam lënë një shok në kamp në El Paso. Atij i duhet ndihma e avokatit, të cilit i duhet paguar një shumë të hollash që ta nxjerrë nga kampi. I kam dhënë fjalën se, në rastin e parë që do të kem qoftë dhe një mundësi, do ta ndihmoj. Të hollat e para që unë do mund t’i fitoj në këtë shtet do t’i kthej menjëherë, pa marrë parasysh se sa do të duhet shuma.
Pa e përfunduar mirë fjalën, më ndërpreu vëllai i madh i Profesorit,Mhill Shabani.
-Si quhet shoku dhe cila është adresa e qëndrimit në kamp?
Nxora dokumentet e lëshuara nga zyra e emigracionit të El Pasos dhe ja treova.
-Kumbarë, kjo është punë e kryer, ti mos u merr me këtë punë,- më tha qartazi. – Nesër ai do të lirohet.
Mora frymë i çliruar nga një barrë që më rëndonte e më kishte ngërthyer si darë. Isha i lumtur pa fund që dhe ai nuk do të ishte i vetëm në atë kamp pas ditës së nesërme.
Kaluam atë natë me një mikpritje që nuk harrohej kurrë.
Gjatë nëpër mendime e shpesh më vjen ai udhëtim i fillimit të jetës sime përtej detesh e oqeanesh e ajo natë e bardhë kur më kishin thënë se shoku im do të lirohej nga kampi e gjithnjë kam menduar se populli ynë mrekullisht ka cilësi fisnike e të mrekullueshme që nuk i gjen kund tjetër në botë. Pas asaj darke të mrekullueshme e heqjes së atij pengu për mikun tim, të nesërmen bashkë me A.N. u nisëm për në Detroit.
*Autori jeton në New York. Marrë nga libri me esse në proces botimi.