nga Albert HABAZAJ*/
Fluturuan pesë vjet pa njeriun që emetonte dashuri, mirësi, dituri, pa uratën e Perëndisë, dritërorin Kristaq Shtëmbari. Pesë vjet e kaluar sa pesë minuta e më pak! Ky imazh krijohet kur njeriu, të cilin kujton ka lënë pas emër të mirë, gjurmë të pastra, respekt të pashlyeshëm, falë punës fisnikërisht shëmbullore si model i qytetarit dhe intelektualit, që s’mund të harrohet. Më kujtohet kur u përkujtua në qytetin e Fierit Jeta dhe Vepra e Shkrimtarit dhe Mësuesit të Popullit Kristaq Shtëmbari. Në atë përkujtimore ishin të pranishëm shokë dhe miq të tij, por gjithashtu edhe përfaqësues të pushtetit dhe forcave partiake. Referuesit për jetën dhe veprën e tij sollën kujtime dhe mbresa nga veprimtaria dhe jeta e profesorit. Portreti i tij qe bërë si një pjesë e pandarë e jetës dhe shoqërisë fierake, e cila ngushëlloi përzemërsisht familjen Shtëmbari për humbjen e të dashurit të tyre, por dhe të njeriut që ka lënë gjurmët e tij në këtë qytet. Edhe Vlora, Berati, Lushja e ndjen këtë dhembje që shkakton mungesa e profesorit fjalëmbël e mendimkthjellët. Unë e kam patur mik të ngushtë dhe shkova me dhembje pranë familjes së tij për të vënë supin e nderimit nën trupin e MËSUESIT, për t’i lehtësuar sado pak familjarët në ngritjes e peshës së humbjes të njeriut më të dashur për ta dhe mora pjesë me gjithë qytetin kur e përcollën. Në veprimtarinë e nderimit kushtuar Atij kumtova këtë dedikim, të cilin kam dëshirë, që nëpërmjet gazetës “Dielli” t’ia përcjellë shqiptarëve kudo që janë për mesazhet e respektit ndaj mirësisë dhe diturisë që shpërndan zemrave njerëzore:
I paharruar kujtimi i Mësuesit të Popullit, profesor Kristaq Shtëmbari!
Kristaq Shtëmbarin, të mërkurën e 29 gushtit (2007: shën. i sotëm- A. H.), që në mëngjes e pashë të fluturonte për në Parajsë. Si aeroport përdori Londrën, sepse ishte tek fëmijët, tek djali dhe e bija, tok me Lenën, zonjën e tij të nderuar e tepër të përkujdesshme. Iku një dritan i diturisë, një burrë vital i gjelbërishtes së krijimit, një spaletë morale e kombit, një zambak i bukur i këtyre viseve të pastra pellazgo-iliriko-arbrore. E pabesueshme! E tmerrshme! E rëndë! Por hyjnisht fisnike! Po më ikin gjithë këta miq të vyer, visare që i kam flori e kaluar floririt. Më iku Jorgo Bllaci, më iku Frederik Reshpja, më iku Kadri Roshi – Ezopi shqiptar, më iku Sulejman Pitarka, më iku Teta Ollga – Violeta Manushi, më iku Nermin Vlora me Renzo Falaschin, më iku Azem Shkreli, më iku Dafina e Kombit – Ali Podrimja e rrjedh si Lumë shpirtit tim (shën. i sotëm- A. H.), më iku bashkëmoshatari e shoku i klasës, Simon Kasa, si dikur, gati para 30 vjetësh Kastriot Gjini im i Tërbaçit, i Vithkuqit, i rinisë e gjithë Shqipërisë.
Ç’po ndodh kështu?…Jo, jo…Kjo është e padrejtë. Do të protestoj te Zoti. Nuk mund të bëj një shkrim të plotë për Mësuesin e Popullit Kristaq Shtëmbari, se po më veshin sytë lotët e dhembjes. Pse, o profesor Kristaqi? Pse e bëre këtë? Kaq shpejt… Si e lamë? Do të vije këtë vere tek unë, në shtëpinë time në Ujë të Ftohtë, (atje ku bashkohen e ndahen dy detet: Adriatiku dhe Joni) të kaloje verën me zonjën fisnikrisht brilante, Lenën që të deshi aq shumë. Qetësi, gjelbrim, ujë mali, ajër i pastër, jod deti, ishull, gadishull, Vlorë, Kaninë, Flamur, Pavarësi, ullinj, limon, portokalle e poezi, ashtu si i le në gusht të 2005-s e 2006-s, ashtu i ke dhe sot e mot, o i ndritshmi profesor! Fati më bëri nder të madh që ti personalisht e familjarisht ke qenë mik sipëror imi e fatmirësisht i familjes sime. Çdo fjali që shqiptonte gjuha e mendjes tënde qe një syth që zbukuronte lastar të gjelbër të kopshtit tënd dituror.
Profesor! Ikja jote s’më dhemb vetëm mua, familjes time, njerëzve të mi e miqve të letrave, Vlorës, Fierit, Lushnjës e Beratit. Ikja jote i dhemb gjithë Shqipërisë, kulturës sonë qytetare, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sepse ishe kryetar i LSHA për Fierin dhe anëtar i kryesisë së LSHA të Shqipërisë për një kohë të gjatë. Ti je një nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Tok me Thoma Delianën, Androkli Kostallarin, Mahir Domin, Eqerem Çabejn, Idriz Ajetin, Dhimitër Shuteriqin, Aleks Budën, Rexhep Qosen, Shaban Demirajn, Emil Lafen, Jup Kastratin, Ali Abdihoxhën, Josif Ferrarin, Ajet Bytyçin, Bedri Dedjen, Besim Bokshin, Dalan Shapllon, Dritëro Agollin, Kol Ashtën, Jani Thomajn, Jakov Xoxen, Jorgo Bulon, Koço Bihikun, Lasgush Poradecin, Mehmet Çelikun, Petro Janurën, Qemal Haxhihasanin, Sofika Adhamin, Bajram Hajrullajn, Stefan Priftin, Sterjo Spassen, Shefqet Musarajn, Llazar Siliqin, Ismail Kadarenë, Zihni Sakon, Xhevat Lloshin, Fatmir Gjatën, Jorgji Gjinarin, Sefedin Sulejmanin, Mërkur Alimerkon, Anastas Dodin e të tjere mendimmençur të dëgjuar, në krye të faqes 32 të “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1973, lexoj se në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 25 Nëntor 1972, është firmëtar, i 53-ti në renditje, Kristaq Shtëmbari, përgjegjës i Kabinetit Pedagogjik, Fier.
Kristaq Shtëmbari la pas një emër diellor si njeri për brezat. Ai la një mendim sa shkencor aq dhe demokratik, sepse qe i lidhur përjetësisht me traditat tonaetnokulturore, artistike e letrare. Për dekada me radhë ka qenë ambasador i vërtetë i kulturës, por edhe konsull i letrave në qytetin e Fierit, siç e cilëson saktësisht edhe prof. dr. Adriatik Kallulli. Tek ai shkriheshin në një masë organike të fortë Intelektuali, Krijuesi, Njeriu, sepse spikaste profesor Kristaqi për një virtyt të veçantë: ALTRUIZMIN JETËSOR. Ai la pas vepra me peshë për kulturën shqiptare si librin me gjurmime, studime e kritika “Udhëve të hapësirës letrare”, monografinë “Vite që shkuan…” për Jakov Xoxen, njerin nga etërit themelues të prozës moderne shqiptare, tok me Petro Markon. Me dashuri artistike shkroi dhe një libër tjetër të bukur “Djemtë e Apolonisë”. Ndjente përgjegjësi hulumtuese, kërkimore-shkencore, si studiues e krijues; ndjente dhe një detyrim të madh qytetar, ndoshta edhe nga thirrja e gjakut që i rridhte i pastër në deje që prej kulturës mesjetare të të parëve të tij: Muzakajve të Myzeqesë me Andrean II e Teodor Muzakën e dëgjuar në histori. E kishte merak shumë një monografi të mirë e të plotë për stërgjyshërit e tij e krenaria i qëndronte bukur, thjesht, madhërishëm në sy, në ballë, në tërë qenien e tij që e shquante si FISNIK të LETRAVE.
“Do t’i kushtoj rrënjëve të mia, Muzakajve, që dhe ti Berti po më ngacmon, pjesën e jetës që kam përpara” – më thoshte ato ditë gushti të vitit 2005, kur më erdhi si Mysafir i Veçantë në shtëpinë time në Ujë të Ftohtë. Profesor Kristaqi qe fjalëmjalt e shpirtbehar dhe do të ngelet në kujtesën time si një bredh i ngarkuar me dituri. Fjala e tij do të ligjërojë e kthjellët, e kulluar e plot yndyrë arbrore. Ai do të kthehet nga Anglia, se mua më ka marrë malli. Këtë verë nuk më erdhi. Parvjet më la një libër të tij dhuratë, me atë shkrim kaligrafik: “Bertit…, poetit të veçantë me zë të përveçëm, me respekt Kristaq Shtëmbari (Firma) ”. Më la dhe disa mendime për vjershat e mia, të cilat me mirënjohje i vendosa si përshëndetje në fillim të vëllimit poetik “Mërgata e Luleve” që i mirënjohuri botues, poeti universal i Shqipërisë së Sotme, Petraq Risto më botoi më 30 Dhjetor 2006, në shtëpinë e tij botuese “Globus R.”
Më 28 Gusht 2006 kemi një kujtim të bukur, të papërsëritshëm: E gdhimë thuajse tërë natën me yje duke folur me zjarr e respekt për letërsinë me Koçi Petritin e Kristaq Shtëmbarin. Pimë raki rrushi shoqëruar me meze sinqeriteti. E mali na hidhte fllad. E deti na niste valë. Formohej një iso e magjishme sikur dilte nga Epi i Gilgameshit, nga Këngët e Kreshnikëve apo Labërishtja shumëzërëshe (Isopolifonia, si i thonë sot). Në fakt ajo harmoni krijohej nga Akrokeraunet pellazgjiko-ilirike, që janë, ja këtu, sipër, mbi ballë të Vlorës. Me nderim u këndon edhe Homeri vargmaleve të Vetëtimës – Akrokerauneve… E…,
po atë natë Aldi, djali im i madh na bëri një fotografi të treve. Një visar i paçmuar për mua, dalur me dy profesorë të nderuar.
E kishim lënë me shkrimtarin e njohur, të mirin Maku Pone, që kur të vinte Kristaqi në Fier, do të pinim të tre një kafe dashamirëse dhe do të bënim një bisedë për dukuritë e sotme letrare, në studion e TV Apollon, ku profesor Maku është shef i departamentit të informacionit.
Në celular kam emrin Kristaq Shtëmbari me numrin 0692920887. I bie. Nuk më del. Unë pres. Besoj se do të më përgjigjet. Sidoqoftë unë nuk do ta heq nga celulari im asnjherë numrin 0692920887…
FLAKADAN PRINCOR
-elegji për Mësuesin e Popullit, profesor Kristaq Shtëmbari-
nga Albert ABAZI
Muzakajt e famshëm kishin lënë në Myzeqe
Një pinjoll të ndritshëm për Principatën e Shkrimit.
Një ditë shkreptiu një rrufe në qiell pa re:
Dhe korifejt qenkan martir të Flijimit…
Një mik, sa zbrita nga shtëpia në Ujë të Ftohtë,
më dha një lajm, që m’u mblodh lëmsh në grykë:
Iku Kristaq Shtëmbari në Anglinë e largët sot.
Dritë la pas edhe kur ai mbylli sytë…
Pse u gdhi e lagur e Mërkura e 29 Gushtit?
Mjekra më dridhet si zemra e zogut në borë…
Pse zëri im do të klithë e del pa tingull?
Ç’stuhi e shoi flakadanin princor?
Dy detet e kripur të Vlorës më rrodhën faqeve
Dhe ndjenja m’u hollua si fija e barit,
Ulën petalet lulet lëndinave e parqeve,
Çdo qelizë e trupit tim ia plas të qarit!…
Se qe delegat hyjnor i Kongresit
të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe;
me Çabejn, Budën, Kostallarin
si vesa e mëngjesit.
Iku me shkëlqime të bardha e fisnike.
E pret atje Jakov Xoxa e Lasgushi.
Iku i qetë, se la dritanë dhe për ne.
Si shenjtor detyrat e tij i përmbushi.
Pishtarin e mban një Dritëro, një Kadare…
Dhe sot e gjthmonë emrin e profesor Kristaq Shtëmbarit e mban një shkollë e mesme në qytetin e Fierit. Kujtimin e Tij e kanë dritë të pastër jo vetëm njerëzit e Letrave, të Arsimit, por gjithë Shqiptarët që e njohën apo i dëgjuan emrin.
*/ Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ALBANIA