Sami Repishti, PhD/
(“Politika ruse ashtë e pandryshueshme: metodat, taktikat, manovrimet; mund të ndryshojnë, por Poli I Veriut i politikes ruse – me sundue botën- ashtë nji yll që nuk ndryshon. Ka vetëm nji mënyrë me trajtue nji shtet të fuqishëm si Rusia, dhe kjo mënyrë ashtë ballafaqimi pa frikë”.( Karl Marx. Korrespondent në London i gazetës së vjetër The New York Daily Tribune, 10 Maj 1872, f. 43}
“… Ka shenja se Kremlini po përgatitet për nji betejë të gjatë, të cilen (Rusia) e shikon si nji “luftë me Perëndimin”. (Në nji koment në vitin 2018, në të cilin Z. Putin bante shaka se do të shkaktonte nji katastrofë bërthamore globale deklaroi se “….ç’farë kuptimi do të kishte nji botë pa Rusinë?” (sic!) Marrë nga Financial Times.( Panorama 26 Prill 2022)
Ridgefield, Ct.- Me 24 Shkurt 2022, Forcat e Armatosuna të Federatës Ruse sulmuen ushtarakisht Republiken e Ukrainës! Paqa në Europë u thye! “Çdo gjë ka ndryshuar në Europë, në rajonin euro-atlantik. Ky eshtë thjesht momenti I duhur kur mund të bisedojmë haptazi! (Analena Boerbok, MPJ e Gjermanisë)
Me paramendim dhe pa deklarim zyrtar lufte, pa nji marrëveshje të maparëshme Presidenti rus Vladimir Putin theu paqen e vazhdueshme të shteteve të Europës që mbretnoi mbi atë kontinent që nga data 9 maj 1945, e njohun si Dita e Europës (Europe Day). Rusia filloi kështu nji konflikt me nji sulm banditesk ushtarak kundër nji shteti të lirë, të pavarun e demokratik vetëm për ambicie zgjanimi territorial, në shkelje të paturpëshme të të gjitha dispozitave të së drejts nderkombëtare dhe të fqinjësisë së mirë. Rusia e quejti “nji operacion special ushtarak”(sic!)
Falë heroizmit spartan të treguem nga populli ukrainas, lufta e pabarabartë në mes dy shteteve vazhdon edhe sot me humbje të mëdha të popullsisë dhe të vlerave materiale për shtetin viktimë-Ukrainën. Akti agresiv shkaktoi reagimin e menjiherëshëm të NATO-s organizatës difensive të Åtlantikut të Veriut. Nën udhëheqjen amerikane Europa siguroi mjete dhe materiale të konsiderueshme në paisjen e Ukrainës, nji provë solidariteti e pa shembull në historinë moderne të kontinentit. Lufta në Ukrainë mori randësinë e luftës per shpëtimin e demokracisë!
Pse Ukrainën? Anna Reid, autore, në mes tjerave, edhe të “Historia e Ukrainës”pershkruen Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, “si nji kalorës që lufton historinë”(FA May/June 2022). Me 21 shkurt 2022 Putin mbajti nji fjalim me egërsi dhe përsërti të gjitha “krimet” që Perëndimi kishte ba kundër Rusisë. “Ukraina, tha Putin, nuk ashtë thjesht nji fqinj për ne. Ukraina ashtë pjesë e pandryshueshme e historisë sonë, kulturës dhe spiritualitetit tonë. Kufinjtë e Ukrainës nuk kanë kuptim tjetër veçse me përcaktue ish administratën e së kaluemes si krahinë e Bashkimit Sovietik, e krijueme krejtësisht nga Rusia”.
Në korrik 2021, Kremlini botoi nji esej prej 7.000 fjalësh nen drejtimin e V.Putin, me titull: “Mbi unitettin historik të Rusisë dhe Ukrainës” ku tregohej nji histori e njI fati të përbashkët. Ndamja në mes të Rusisë dhe Ukrainës ashtë prodhim i veprimeve të Fuqive Perëndimore.” Ai shkruente:”…ndryshimi me forcë i identitetit ashtë i njejtë … me përdorimin e armëve atomike të shkatërrimit masiv kundër nesh”. “Nesh” për V. Putin don të thotë “Ukrainës”…pjesë e Rusisë, me që ukrainasit nuk ekzistojnë….”(sic!)
Për ma tepër, Ukraina portretizohet si ”shtet I falimentuem”. Në nji intervistë me strategun putinist Vladislav Surkov, ai foli edhe ma hapët: “Metoda e vetme me provue historinë e Ukrainës si frytëdhanëse ashtë marrëdhanja vëllaznore e detyrueme me dhunë” (coercive fraternal relations). Sot, e gjithë bota e qytetnueme ashtë dëshmitare për kuptimin e nji shprehje të këtill. “V.Putin perdorë forcen dhe censuren totalitare në nji përpjekje të pa kuptim me afrue realitetin me mitologjinë ruse”. (f.55)
Ukraina e konceptueme si “njI vend i mundun nga gjeografia politike “ u desht të kalonte nga stina e urisë staliniane në grushtin e shtypjes hitleriane: miljona ukrainas vdiqën nga uria e imponueme nga Stalini (1927-29) dhe në luftën kundër Hitlerit (1941-43).
Nji trajtim i këtill i Ukrainës nuk e pengoi V.Putinin që me 25 shkurt 2022 të bajë thirrje ushtrisë ukrainase me përmbysë qeverinë e “drogistëve” dhe të “neo-nazistëve të “qeverisë në Kiev”. Rezutatet e politikës putiniste përfunduen në bashkimin e popullit të Ukrainës në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor të qytetarëve. Sentimenti I pavarësisë u ba universal mbas agresionit rus të 24 shkurtit 2022 në nji luftë për ekzistencë që nuk duket se do të përfundojë shpejt, fatkeqsisht!. Historia e Ukrainës jep sot nji mësim që nuk harrohet për Presidentin Putin!
Lufta ka marrë tashti karakterin e nji ballafaqimi në mes dy rregjimeve kundërshtarë: demokracinë liberale perëndimore nga njena anë, dhe autokracinë agresive të Rusisë nga ana tjetër. Ka mundësi që nji rreshtim i këtill të jetë edhe ballafaqimi i fundit me nji shtet totalitar si Rusia sot, thyemja ose tranformimi i Rusisë në nji shtet demokratik dhe plotësimi i ndertimit të nji Europe të plotë, të lirë, demokratike dhe paqësore. Ashtu si me shpërbamjen e ish-Bashkimit Sovietik, 1989, u ba i mundshëm kalimi i nji periudhe të caktueme të historisë së mbasluftës, dhe për shumë vrojtues edhe fundi i historisë si e tillë, pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe fitoren e universalizmit, formës së rregjimit përfundimtar: demokraci liberale, perëndimore, paqësore e sundim i ilgjit.
Në nji analizë mjeshtrore të situatës, korrespondenti I The New York Times në Paris, Roger Cohen, me daten 8 Maj 2022 shkruen në mes tjerash mbi dallimin në mes të vlerave të heroizmit patriotik ukrainas versus dekadencës morale të nji Rusie autokratike që ashtë konteksti i mendimit të Z. Putin. Çdo gja ashtë e zezë në portretizimin e Perëndimit, në fantazinë e tij, që Perëndimoret kanë organizue nji rregjim “nazist” ne Kiev (sic!). Fantazi e smurë dhe e rrezikëshme!
Nderkaq Presidenti I Francës.Emanuel Macron udhëton për Berlin me festue 75 vjetorin e 9 Majit si dita e Europës (Europe Day) dhe mbron idenë se Bashkimi Europian ashtë diçka ma shumë se “ekonomia” dhe se Europa ashtë e prirun me u transformue në nji sistem federal, ma e fortë, nji fuqi botënore e 27 shteteve me nji popullsi prej afer 450 miljonë qytetarësh të lirë, e në kundërshtim me nji shoqëni të militarizueme; me u transformue në nji shoqëni shtetesh që celebrojnë fitoren e cila nuk lejon nji diktator me sundue me ligjë të urdhnueme nga ai vetë. Në Rusi, sot mbahet ceremonia e Luftës së Madhe Patriotike me theks në forcën ushtarake, në Europë theksohet imperativi kategorik për paqen, sepse “rreziku i nji konflagracioni ekziston”: Grozny, Aleppo, Mariupol janë këtu me dëshmue.
Në Europë përbuzet filozofia staliniane që predikon “forcen ushtarake si mjet efektiv me ndryshue gjeopolitiken e botës reale” nji pohim tronditës. “Për komunitetin edhe vdekja ashtë e bukur” thotë nji proverb rus, por për individin e lirë europian vdekja ashtë asgjasimi i pareparueshëm i jetës. Nuk ka gja ma të shtrenjtë se nji jetë njerëzore e lirë dhe me dinjitet!
Haptazi, koncepti rus për Europen ashtë nji lexim i gabueshëm I fakteve, arsyetimit dhe zotimeve të marruna për integrim, dhe jo vetëm ndjekja e prosperitetit ekonomik që sherben për sigurimin e paqës. Në librat sovietike të historisë ruse për shkollat e mesme kam lexue këte percaktim:”Roma dhe Bizanti janë shue; Moska ashtë Roma e tretë, dhe nuk do të ketë kurrë nji Romë të katërt”. Ky ashtë vrapimi mbas “lavdisë” që siguron ‘perandoria’ pa llogaritë marrëzinë e aktit dhe çmimin që kerkon….! Reichu i tretë nazist ashtë mësimi ma i mirë!
9 Mars 1950! pioneri Robert Schuman, MPJ të Francës deklaroi formimin e paktit “charbon-acier” me qellim që të bahen të pamunduna konfliktet franko-gjermane dhe të eliminohet rreziku i vetëvrasjeve të përsëritëshme të dy vendeve. Berthama e Bashkimit Europian u hodh në tokën e plleshme por të gjakosun të popullsisë europiane. Nderkaq, në Moskë theksohej: “Populii i jonë (rus) ka qenë i vetmuem, i vetmuem në kohë të vështira, heroik në rrugën e sakrificës për fitore! “(Putin) Elozhe për ‘luftën’.
Nji pohim pa asnji bazë! “Mbrenda mendjes së Z.Putin ashtë shumë përbuzëse ideja se ‘shkembimet tregëtare’ sjellin paqen në mes shteteve”, nji ide frymëzuese për 450 miljonë europianë me nji ekonomi prej 17+ triljonë dollarësh. Përgjigja e Rusisë ka qenë zgjanimi territorial me forcë, e veçanërisht krijimi I nji “cordon sanitaire” deri në vitin 1989, nji andërr qe Z. Putin ndjek edhe sot me konfliktin në Ukrainë. ”Në mendjen e tij Rusia ashtë sot Imperatoria e Romës Antike! Ish kancelarja gjermane, Zonja Angela Merkel dha këte përcaktim: “KM Putin nuk kupton kontekstin nderkombëtar”.
Që nga dita e parë, sulmi kundër Ukrainës nuk ishte luftë kundër Ukrainës por kundër Shteteve te Bashkueme dhe Bashkimit Europian, fajtorë për zhdukjen e Bashkimit Sovietik, 1989, (Romës putiniste) të njohun edhe si “burgu i popujve”, që Z. Putin e përcaktoi si “….tragjedia ma e madhe gjeopolitike e shekullit 20”. Në fjalimin e sulmit kunder Ukrainës, ai deklaroi: ”E gjithë e ashtuquejtuna ‘klika perendimore’ ashtë e formueme nga SHBA me mentalitetin e saj të nji “perandorie të gënjeshtrës”. Ashtë po ky V.Putin që me 25 shtator 2001 gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, Presidenti rus iu drejtue edhe Parlamentit Gjerman, në pershkrimin e gazetës The New York Times ”….tue folë me gjuhën që ai e quejti të Goethes, Schiller dhe Kant, ai deklaroi: ’Rusia ashtë nji vend europian miqsor. Paqa e qendrueshme në kontinent ashtë qellimi kryesor për kombin tonë….vlerat demokratike dhe liritë ( janë)… çelsi i synimeve të politikës s mbrendshme ruse”.
Anëtarët e Bundestagut gjerman e duertrokitën me ovacion këte frymë pajtimore që mungoi në raportet në mes Lindjes dhe Perëndimit për dekada me rradhë…..! Ukraina në 2022 zbuloi Putinin e vertetë!
Në nderkohë, lufta në Ukrainë ka bashkue të gjithë Europën në nji mision të shenjtë: me refuzue luftën, dhe me shpëtue lirinë dhe demokracinë e 450 miljonë qytetarëve të lirë. Kjo spjegon përkrahjen e shumë shteteve jo-europiane, me përjashtim të shteteve ekonomikisht të varuna nga Rusia ose Kina. Kjo spjegon përse shtetet pranë Rusisë kerkojnë anëtarësimin në NATO si i vetmi shans me u mbrojtë nga invazioni i Z.Putin.
Ide të reja diskutohen për avancimin e Bashkimit Europian pertej marrëdhanjeve tregëtare. Udhëheqsi italian Mario Draghi ka lëshue thirrjen për nji “federatë pragmatike”, nji ide që ka lidhje me ate të Shteteve të Bashkueme të Europës. Z. Draghi spjegon:
“ Duhet të tejkalojmë parimin e unanimitetit që përfundon në logjiken e votave kundërshtare, dhe ecën drejt vendimeve të marruna nga shumica e kualifikueme”, tue iu referue procedurës që do të mundësonte aprovimin në raste kur kalohet shkalla e përkrahjes…. Me mbrojtë Ukrainën don të thotë me mbrojtë vehten tonë, me ofrue sensin e sigurisë dhe demokracisë që kemi ndertue së bashku për 70 vjet.”
Sot, me debatet e pafund duket sikur Bashkimi Europian ka hye në nji fazë transformative. Politikologu frannçez Dominique Moisiu, tue folë për 9 Majin tha:”Çka ashtë ma reale? Forca sovjetike dhe Mariupoli i shkatërruem, apo jeta normale europiane ne Strasbourg? Na duhet të luftojmë me vendosmëni kundër tij (Putin) të ndertojmë ate (BE) sikur e ardhmja e jonë të ishte ne rrezik. Na nuk mund të ndertojmë Europën si fuqi botënore pa Amerikën, sepse humbasim gjysmën e Europës. Bashkimi i Botës së Perëndimit ashtë çelsi i bashkimit të Europës”. Kjo do të ishte edhe fitorja e demokracisë liberale perëndimore e andrrueme nga miljonët sot të vdekun ose ende teë gjallë, në botën tonë plot rreziqe….!
*****
Europa e Bashkueme ashtë fati i bardhë i të ardhmes sonë!
Aty ashtë vendi i Shqipërisë dhe Kosovës. Aty ashtë ndertesa e mbrojtjes dhe shpëtimit tonë në rast te nji rreziku nuklear rus që nuk përjashtohet. (Ne vitin 1962, me krizën kubane, dy objektiva në Shqipëri për armët nukleare kanë qenë “blloku I udhëheqësve”, Tiranë, dhe Pashalimani i Vlorës, simbas autorit amerikan Michael Dobbs.)
Manifestimet popullore te mbajtuna në Tiranë me 8 Prill 2022 në mbështetje të Ukrainës, viktimë e agresionit brutal dhe të paramenduem rus, janë inkurajuese.(Per shqiptarët, Ukraina sot kujton 7 prillin 1939 të agresionit fashist). Roli i Shqipërisë në OKB si I pari shtet që bashkohet me Amerikën në paraqitjen e Rezolutes për denimin e aktit agresiv rus kundër Ukrainës na nderon. Fjalimet substanciale dhe elegante të Ambasadorit Ferit Hoxha na nderojnë gjithashtu. Kosova, megjithëse nji shtet jo i njohun universallsht grumbullon ndihma për popullsinë ukrainase. Fisnikëri kosovare! KM A.Kurti theksonte:”Me qeverisjen tonë po dëshmojmë se për Kosovën, Bashkimi Europian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarsimin në Bashkimin Europian”. Qendrim atdhetar korrekt, dhe formulë monumentale!
Nji frymë pozitive vjen edhe nga Kosova. Veton Surroi, studjues dhe njohës i mirë i Kosovës, shkruente se “…përfshirja (ne BE) i mundëson rajonit të Ballkanit Perëndimor njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe katër të NATO-s ma shpejt, si dhe frenohet përdorimi i kësaj dileme nga Rusia në rajon, dhe do t’I jepte fund idesë së shteteve të papërfunduara”. Edhe takimi i KM të Kosoves Z.Albin Kurti me ambasadorin amerikan d’Escobar (Illyria 8.IV.2022) dhe trajtimi i temës së rrezikut e nxitjes së konflikteve në Ballkan ashtë në këte hulli diplomatike.
Ashtë inkurajues qendrimi i personaliteteve që kanë kuptue randësinë e bots europiane për ne. Ish ambasadori Bashkim Zeneli shkruente: “ Stalini jo vetëm që rivendosi me më egërsi diktaturën në vend, por edhe shpalosi me fanatizëm ambicien dhe projektet ekspansioniste, për të imponuar rregjimin komunist në shumë zona të Europës dhe Botës….Pavarësisht demagogjisë së madhe për bashkepunim dhe mirëkuptim me Perëndimin, që në ditët e para në Kremlin, Z. Putin shpalosi qellimet e tia për krijimin e Rusisë së madhe…”(Panorama 10.V.2022)
Ish ministri i PJSH, Ditmir Bushati, thurte elozhe për Europën.”…Fillimi i ndryshimeve politike (lëvizja historike e studentëve universitarë,SR)) “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk ishte zgjedhje e ndonjë kompanie reklamuese por shprehja e aspiratës së gjeneratave të tëra për t’u kthyer politikisht aty ku kemi berë pjesë me kohë shpirtënisht…. Europa simbolizon lirinë dhe barazinë, respektin për të drejtat e njeriut, solidaritetin, sundimin e ligjit…” janë thirrje për rikthim në gjiun e Europës. (Panorama 10.V.’22) Këto thirrje janë përsëritë për dekada me rradhë nga shumica e heshtun shqiptare, veçanerisht nga klasa politike e persekutueme, si mjet çlirimi nga persekutimi 45 vjeçar komunist……
Åshte e çuditëshme situata në Shqipëri ku “Europe Day” në vend që të festohet bashkarisht dhe me solemnitetin që meriton, mbetet në harresë. Ashtë nji fakt historik që Shqipëria ka marrë pjesë me shumë sakrifica njerëzore dhe materiale në luftën kundër nazi-fashizmit për pesë vjet me rradhë. Ata që luftuen nuk kanë qenë të nji ngjyre të caktueme. Mijëra shqiptarë pa parti, dhe pa ideologji kanë dhanë jetën e tyne në përleshje me okupatorin. Për fat të keq. ky qendrim heroik dhe i pastër u keqkuptue, u keqinterpretue dhe u coptue nga diktatura e kuqe staliniste që zuri për gryke vendin tonë. Ish ambasadori B. Zeneli shkruen:” Me shpërberjen e Bashkimit Sovietik (1989) njerëzimi arriti jo vetëm….kalimin e nji periudhe të caktuar të historisë së mbasluftës, por edhe fundin e historisë si e tillë, përkatësisht pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizimin e demkoracisë liberale perëndimore, si formë përfundimtare të qeverisjes njerëzore….”
Edhe mbas ramjes së turpëshme të komunizmit në Ish Bashkimin Sovietik dhe satelitët e tij, tue perfshi edhe Shqipërinë, nji ngjarje e këtill me përpjestime epike ku shqiptarët muarën pjesë me guxim e dinjitet kaloi pa u vue re nga zyrtarët e vendit. Nji mungesë e madhe që duhet reparue. Ka ardhë koha me ndermarrë aksionin e kohezionit politik shqiptar me pikënisje “Europe Day” dhe me pikësynim bashkimin tonë me botën europiane. Kjo shpresë më mban akoma të gjallë!
Këte inisiativë mund të marrin individë ose grupe që pranojnë se Europa ashtë shtëpia e jonë dhe që Europa përmban idealet e së ardhmes sonë! Nji mentalitet i ri që kerkon punë të përbashkët, kerkon krijimin e nji atmosfere të “besimit ndaj njeni tjetrit”nga kampet kundërshtare, diçka jo natyrale, shkruejshin dy personalitete politike amerikane. Por këtu kemi të bajmë me nji përpjekje me fitue besimin e të gjithë shqiptarëve, dhe nuk na lejohet me u terheqë në skutat e ndame ideologjike. E gjithë kjo varet në se kerkojmë rrugëdalje të reja politike tue perfshi sidomos “të papritunen” ose elementin ish kundërshtar…!
Sot jetojmë këto ditë të veshtira të vendit tonë, kryesisht për mungesë orientimi politik gjithëshqiptar, dhe përqendrimi në “parti” dhe “Individe napoleonike” dhe jo në kauzën e përbashkët kombëtare: zhvillimin e vendit nanë. Rezultati i nji zhvillimi të këtill ashtë që sot kemi nji Shqipëri me dy parti politike të organizueme me mbrojtë nji program partiak dhe me peshë në elektorat, dy parti që refuzojnë me ndihmue njena tjetrën në zgjidhjen e problemeve shqiptare, dhe që paevitueshmënisht kanë sjellë shtetin e shoqëninë shqiptare në nji vend që nuk qeveriset ashtu si e meriton: me sundimin e ligjit dhe interesin kombëtar mbi ate partiak dhe vetiak. “Sot, shkruente pak kohë ma parë ish ambasadori Agim Nesho, kemi dy forca të ndryshme: ajo e elitës politike-pozitë,opozitë, dhe ajo e popullit të lodhun nga politika e ditës”.
Celebrimi i “ Europe Day” dhe frymës që ai na sjellë do të ishte pikënisja ma e fortë që mund të gjindet për forcimin e bashkësisë sonë kombëtare dhe mirëkuptimin në mes nesh. Nji akt i këtill do të modifikonte qendrimet fraksioniste të këtyne viteve dhe interpretimin ma të plotë të konceptit të demokracisë liberale perëndimore, ku kundërshtari nuk ashtë “armik” por nji vëlla e nji motër shqiptare që mendon ndryshe, dhe “armiku” nuk asht shqiptar, ndoshta nji “i huej, koleg i mundëshëm” në të ardhmen. Parulla “kush nuk ashtë me ne ashtë kunder nesh” ashtë thellësisht e gabueme dhe e damshme për unitetin tonë kombëtar, dhe duhet refuzue me përbuzëje.
Kjo, ashtë andrra e ime sot; dhe, testamenti i im!
- Ish I burgosun politik ne Shqipëri (1946-56) dhe Jugosllavi (1959-60)
Jeton në SHBA si pedagog në pension.
===================================================================