
Nga ANGELO PANEBIANCO/
Pothuajse me siguri ka të drejtë Charles Kupchan (Corriere, 11 mars): Putini nuk do të ndalet deri sa t’arrijë të vendosë me detyrim një qeveri kukull në Kiev. Ose Kina, që ka letra më të mira se sa shumë ndërmjetës të pamundur, e frikësuar shumë nga destabilizimi në veprim i sistemit ndërkombëtar, do të vendoste të trysnonte mbi Putinin duke e detyruar të ndalojë më parë. Në çdo rast, kur armët, mbas kaq vdekjeje e shkatërrimi, më së fundi do të heshtin, qeveritë evropiane duhet të jenë t’afta t’u shpjegojnë opinioneve publike të tyre se barazpeshat n’Evropë janë ndryshuar përgjithmonë e që, për të shpëtuar paqen në kontinentin e Vjetër, duhet ushtruar në muajt dhe vitet e ardhëshme një veprimtari e vazhdueshme frenimi kundrejt Rusisë. Qeveritë duhet të sqarojnë zgjedhësit se nëse nuk duam që lufta t’arrijë shpejt a vonë në kurrizin tonë, duhet të kemi një pushtet frikësues të fuqishëm e të besueshëm.
Duhen shmangur ndërpretimet e gabuara: nuk ka një kthim të vërtetë në Luftën e ftohtë. Nuk është më bota dypolare me politikën e saj të blloqeve dhe qëndrueshmërinë e siguruar nga barazpesha e terrorit ndërmjet dy (dhe vetëm dy) mbifuqive. E sotmja është një botë shumëpolëshe në të cilën si shtojcë fuqia m’e madhe, Shtetet e Bashkuara, janë në një rënie relative. Në këtë botë të re Amerika duhet të përballojë jo një por dy fuqi të mëdha armike (Kina dhe Rusia) e duhet të bëjë llogaritë me një mori fuqish të mesme të pagatëshme si njëherë për të ndjekur udhëzimet amerikane.
Kjo do të thotë se n’Evropë, në ndryshim nga çfarë ndodhte në kohët e Luftës së ftohtë, nuk do të mjaftojë më çadra amerikane për të na mbrojtur. Nëse për poltikë përmbajtjeje kuptojmë aftësinë për të bllokuar Rusinë, duke i ndaluar të tjera Ukraina – por edhe duke i ndaluar manevra rrethimi t’Evropës, që nisen nga Afrika, nga Lindja e Mesme dhe ajo e Afërt – atëherë duhet të pranojmë se këtë herë, përmbajtja do të jetë e mundur vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë të ndihmuara nga një Evropë politikisht dhe ushtarakisht e besueshme. Fatkeqësisht më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, për një tërësi pengesash që duhet të njihen më parë se sa të hiqen.
Një pengesë është fakti se, mbas tetëdhjetë vitesh paqeje ka humbur kujtesa t tmerreve të luftës së Dytë botërore. Paqeja e gjatë, të cilën e kanë gëzuar në shtëpitë e tyre, i ka bindur shumë evropianë se kjo është një gjëndje e natyrshme, e pakthyeshme, e pavarur, siç ka qënë, nga raporte fuqish për kohë të gjata në dobi të Perëndimit. Të kuptohet se tani gjërat nuk qëndrojnë më kështu, e tani e tutje, për të ruajtur paqen duhen ndërruar zakonet, ndofta edhe duke hequr dorë nga ajo kuotë mirëqënieje që, ashtu si paqeja, dukej edhe ajo e siguruar përjetë, përbën një shndërrim psikologjik të vështirë e të dhimbshëm. Edhe duke lënë mënjanë vështirësitë ekonomike të luftës në Ukrainë dhe pasojat e tyre, që po shfaqen që tani, në cilësinë e jetës së evropianëve perëndimorë, është e mundur që shumë të mos kenë kuptuar ende që, kur flitet për mbrojtjen evropiane thuhet se duhen zhvendosur rezervat e përdorura deri tani në qëllime të tjera, nga fusha civile n’atë ushtarake. Cili do të jetë kundërveprimi i tyre kur t’a kenë kuptuar?
Një tjetër pengesë është fakti që një pjesë jo e parëndësishme e elitave intelektuale perëndimore (mjaft të mendohet dukuria e cancel culture: kultura perëndimore e katandisur në një shfaqje të neveritëshme racizmi, të “epërsimit të bardhë”) është e zotuar të përhapë n’opinionin publik përçmim për qytetërimin tonë dhe institucionet që janë shprehje e tij (pluralizmi, demokracia liberale). Kur autokratët rusë e kinezë vërejnë botën perëndimore mendojnë se bëhet fjalë për një botë në rënie, tashmë pa besim në vetvete e në arsyet e saj. Mendojnë se mund të thyhet lehtë. Duhet zhvilluar, në Perëndim, një betejë e ashpër idesh.
Ka dhe një tjetër faktor për t’u mbajtur parasysh. Shoqëria e hapur, demokratike e liberale, si e tillë, ka mjaft pikë fuqije por edhe ndonjë dobësi, kur i duhet të përballojë autokracitë. Fuqija qëndron në faktin se, në çastin e rrezikut, mjaft qytetarë ndjehen vetvetiu të përligjur t’a mbrojnë (dhe arsyet e tyre janë më të forta, më të shumtën, se ato të nënshtetasve të nënështruar pushtetit autokratik të shoqërive të mbyllura). Shoqëria e hapur është në të njëjtën kohë një vlerë për t’u mbrojtur e me vetë qënien e saj një kërcënim i papranueshëm për autokratët. Putini sigurisht i trëmbej rrezikut të infektimit kur ka mësyer Ukrainën demokratike. Me kalimin e kohës shoqëria e hapur mbetet një pol tërheqjeje dhe një dëshirë për shumë që, në shumë pjesë të botës, nuk mund t’i shijojnë frutet. Elementët e forcës janë të padyshimta. Dobësia qëndron në faktin se shoqëritë e hapura janë në vetvete të përshkueshme e autokracitë përfitojnë. E bëjnë jo vetëm duke shfrytëzuar kanalet tona të lira të informacionit. E bëjnë edhe duke endur, në brëndësi të shoqërive të hapura, rrjeta interesash e bashkëfajësish. Në këtë çast, mbas mësyemjes, rrjeta e interesave të Putinit është fundosur, po noton nën ujë, e gatëshme të ringrihet, sido që të përfundojë çështja ukrainase, nëse dobësohet ndërmjet evropianëve përceptimi i rrezikut. Një problem jo i lehtë për t’u zgjidhur në vitet e ardhëshme do të jetë ai i mbrojtjes së stolive të familjes (shoqëria e hapur dhe institucionet e saj), duke pakësuar hapësirën e manevrës t’atyre që zënë nyjet strategjike të rrjetës së përmendur më lart.
E gjithë kjo çon në përfundimin se kur shoqëritë e hapura ose të lira duhet të përballojnë autokracitë, ato duhet të ndalojnë çthurjen e frontit të brëndshëm., siç ka vënë në dukje me të drejtë Antonio Polito (Corriere, 12 mars). Një pasojë e menjëherëshme e çthurjeve të fronteve të brëndëshme n’Evropë do t’ishte pakësimi i asaj shtyse ndërmjet evropianëve të BE që ka krijuar kriza ukrainase. E atëherë do të ishin dhimbje. Ndoshta është ngushulluese e ndoshta jo, por putinianët tanë (e jo vetëm), na sjellin ndër mënd filosovietikët evropianë në kohën e Luftës së ftohtë. Kundërvinin parajsën komuniste (sovietike) ferrit kapitalist. Por parapëlqenin të jetonin në ferr.
“Corriere della Sera”, 12 mars 2022 Përktheu Eugjen Merlika