
Nga Nikollë Loka/
Në vitin 1913 Europa u gjend përpara një përplasje të ndërlikuar që lidhi ngushtësisht problemin e ardhshëm të tërheqjes së trupave serbe nga territoret shqiptare me një seri faktorësh që lidheshin me një rend të ri në Ballkan; interesat e shteteve të ndryshme për të kontrolluar rrugët dhe pikat kyçe gjeostrategjike etj. Në vitin 1913, Austro-Hungaria kishte vendosur t’i përqëndronte përpjekjet e saj për të imponuar tërheqjen e ushtrisë serbe nga territoret shqiptare dhe prandaj ndoqi një kurs të ashpër, duke përdorur presion diplomatik dhe ushtarak. Në arritjen e këtij synimi, Vjena kishte siguruar mbështetjen e Gjermanisë dhe Italisë. Por nga të dy aleatët, Italia mbante një qendrim më të matur, duke e parë me dyshim rritjen e ndikimit austriak dhe nuk shprehu ndonjë interes të veçantë për kufirin e Shqipërisë Veriore. Në reagimin e ashpër të Vjenës, Anglia dhe Franca ishin të lidhura me pozicionin e Rusisë, duke u përpjekur të mbanin një qëndrim të rezervuar. Sipas burimeve serbe, “Konti Berchtold i kishte shkruar qeverisë gjermane, duke njoftuar qëndrimin e qeverisë austriake në lidhje me çështjen e kufirit serbo-shqiptar”.
Sipas këtij raporti, “Austro-Hungaria mendonte se Serbia nuk i kishte mbajtur premtimet dhe nuk kishte respektuar vendimet e Konferencës së Londrës dhe ka okupuar territorte të konsiderueshme të Shqipërisë, të cilat nuk synonte t’i lëshonte”. Vjena mendonte se Serbisë duhet t’i jepej edhe një periudhë kohore, për të mundësuar largimin e trupave të saj nga territori shqiptar dhe, në rast se as kjo nuk mjaftonte, do të ndërmerrte masa që ta detyronin Serbinë të terhiqej nga territoret që nuk i takonin. Këto qendrime, sipas raportit serb, “ishin aprovuar nga zyrtarët gjermanë, të cilët së bashku me përfaqësuesit italianë do të ushtronin trysni tek qeveria e Beogradit, në mënyrë që të mos vinte puna deri te përshkallëzimi i situatës”.
Serbia kishte pushtuar territore të shtetit shqiptar, duke krijuar një pozicion të vështirë për popullësinë shqiptare. Ajo planifikoi të nxiste revolta sporadike ndër shqiptarë për të justifikuar veprimet e saj dhe për ta mbajtur ushtrinë serbe në pozita strategjike, duke ruajtur nën kontroll territore të shtetit shqiptar dhe duke bindur Fuqitë e Mëdha se “Shqipëria nuk ishte në gjendje të mbante kufijtë e saj”.
Qeveria Austro-Hungareze ishte e njoftuar për këto lojra politike serbe, prandaj këmbënguli në kërkesën për tërheqjen e ushtrisë serbe. Në gjysmën e parë të tetorit, shtypi vjenez raportoi me ton të njëanshëm mbi mizoritë serbe ndaj shqiptarëve, duke vënë në dukje veprimet diplomatike të Serbisë rreth pikave strategjike dhe duke pretenduar se Serbia nuk mund të mbante më asnjë pëllëmbë tokë shqiptare, ndërsa theksoi se shqiptarët nuk sulmuan territorin serb dhe se kryengritja ndodhi brenda krahinave të pushtuara nga serbët. Gazetat theksuan nevojën e tërheqjes së trupave serbe nga kufijtë dhe paraqitën një qëndrim inert të Francës dhe Britanisë së Madhe, të mbështetur nga një mosbesim i Rusisë, ndërsa përmendën deklaratën e kreut të qeverisë serbe, Pashiç, se “kufijtë duhen të përcaktohen më parë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve dhe pastaj të respektohen”. Edhe përfaqësuesi serb nga Vjena raportoi se “Qeveria e Vjenës do të kërkonte nga Beogradi largimin menjëherë të trupave ushtarake nga territori i Shqipërisë”.
Ndërsa përfaqësuesi serb nga Cetina kishte informuar për njoftimet që kishte marrë nga përfaqësuesi francez se “Austro-Hungaria kishte vendosur masa kundër Serbisë në rast se brenda 8 ditësh nuk do ta largonte ushtrinë nga Shqipëria”. Me këtë presion nga qeveria austro-hungareze, përfaqësuesi serb në Vjenë i propozoi kryeministrit Pashiç që Serbia të bënte lëshime në çështjen e kufirit me Shqipërinë, për shkak të rrethanave ndërkombëtare. Për shqetësimet e shprehura nga qeveria italiane njoftonte edhe përfaqësuesi serb nga Roma, sipas të cilit “Austro-Hungaria, por as Italia nuk do të pranonin që Serbia të përfitonte pika strategjike në kufirin shqiptar, në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Londrës”. Natyrisht Rusia, si aleate e Serbisë, nuk kishte kundërshtime për marrjen e pikave strategjike në territorin shqiptar, pasi sipas qëndrimeve të diplomacisë ruse “tërheqja ishte një masë e përkohshme, në kushtet e presionit të fortë austriak”. Qeveria ruse nuk e kishte mbështetur mbajtjen nën pushtim të territoreve të shtetit shqiptar. Sipas një raporti të përfaqësuesit serb nga Parisi, “qeveria serbe këshillohej nga Franca dhe Rusia që të mos pritet marrja e ultimatumit nga Austro-Hungaria, por t’u bëhej e qartë Fuqive të Mëdha se Serbia nuk synonte pushtime të reja dhe do të tërhiqej në kufijtë e saj, në mënyrë që të qetësohej situata”.
Reagimi austro-hungarez ishte gati të vepronte. Me 18 tetor, Legata austro-hungareze në Beograd, i dorëzoi qeverisë serbe notën ultimative “për respektimin e vendimeve të Konferencës së Londrës dhe tërheqjen e ushtrisë serbe në vijën e caktuar të kufirit brenda tetë ditësh, në rast të kundërt qeveria austro-hungareze do të ishte e detyruar të përdorte mjetet e nevojshme për përmbushjen e kërkesës së saj”. Rusia cariste kishte shprehur shqetësimin e saj rreth zhvillimeve politike mes Austro-Hungarisë dhe Serbisë, që dele dhe nga një telegram që përfaqësuesi anglez Crankanthorpe i dërgonte Sir Edward Grey-t: ”Sot në mëngjes u takova me Ministrin rus dhe e gjeta të gëzuar lidhur me pozicionin e fortë politik të tij, të cilin tha se e kishte siguruar tashmë Serbinë, nëpërmjet dorëzimit të saj të kujdesshëm përballë kërcënimeve të Austrisë dhe lidhur me urrejtjen që ishte krijuar kundër Austrisë si pasojë e veprimit të saj fodull”.
Studiuesi Egidio Ivetić shkruan: “Më 18 tetor, Vjena e humbi durimin dhe i dha Beogradit ultimatumin që brenda tetë ditësh të tërhiqte të gjitha forcat ushtarake nga Shqipëria, në rast se kjo nuk bëhej, Perandoria Danubiane do të merrte masat e përshatëshme për realizimin e kësaj kërkese. Ky ishte një kërcënim i dytë, në një periudhë njëvjeçare(ose i treti, po të llogaritet ai i 2 majit kundër Mali të Zi ) dhe paralajmërim i krizës së korrikut 1914). Antanta Tripalëshe protestoi për tonet e skajshme që kishin përdorur austro-hungarezët, pasi edhe Gjermania u deklarua krejt e gatëshme ta ndiqte Vjenën në çdo vendim të saj.
Beogradi i trembur, me 20 tetor bëri të ditur se do t’i bindej kërkesës së Monarkisë së Dyfishtë, ndërsa me 25 tetor garantonte me shkrim se të gjitha trupat qenë tërhequr. Një ndikim vendimtar në këtë vendim kishte qëndrimi rus. Menjëherë pasi kishte marrë vesh për ultimatumin austriak, Ministri rus i Punëve të Jashtme e kishte nxitur Pashiqin dhe i kishte bërë thirrje që të dorëzoheshin menjëherë territoret shqiptare, në këtë mënyrë ta kalonte të gjithë përgjegjësinë për qëndrimin arbitrar mbi shpatullat e Austrisë, qëndrim i cili nuk mund të mos e dëmtonte në sytë e pjesës tjetër të Evropës. Diplomacia ruse përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme këshillonte Qeverinë serbe që të ishte e kujdesshme ndaj çështjes shqiptare, duke mos i dhënë asnjë arsye Austro-Hungarisë për veprime ushtarake ndaj saj.
Tërheqja e ushtrisë serbe nga territoret shqiptare, që ishin përcaktuar në Londër kishte qenë e pashmagshme. Por edhe atëherë kur nuk kishte asnjë mundësi që të arrinte objektivat e tij, Beogradi zhvilloi një fushatë diplomatike për të “drejtën e tij” për çlirimin e “tokave serbe” dhe për misionin e kombit serb. Edhe kur duhej të tërhiqej, Serbia mundohej ta bënte këtë me lojra diplomatike dhe nën trysninë e diplomacisë ndërkombëtare. Ultimatumi austo-hungarez e kishte shtyrë Serbinë që ta pranonte realitetin. ushtarako-politik të Vjenës dhe aleatëve të saj. Qarqet diplomatike serbe i parashikuan masat ushtarake austro-hungareze, vënien nën kontroll të pikave strategjike në Novi-Pazar, në rast se Beogradi nuk plotësonte kërkesë.
Pashiq, kreator i politikës së jashtme serbe, nga kokëfortë dhe i papërkulur u bë menjëherë pragmatik; nga sfiduesi i papajtueshëm kundrejt Evropës, u ul në shtratin e pajtimit me realitetin. Sipas një shkrese që ai u kishte dërguar përfaqësive të veta në Vjenë, Berlin dhe Romë, ai i udhëzonte ata për qendrimin serb në lidhje me këtë situatë. Përfaqësuesit serb në këto kryeqendra të Fuqive të Medha do t’u deklaronin qeverive të atjeshme se “qeveria serbe dëshironte të jepte edhe një provë të qëndrimit të saj paqësor dhe kishte urdhëruar tërheqjen e ushtrisë në kufirin e caktuar nga Londra, me bindje se Fuqitë do të bënin gjithë çfarë duhet për ta shënuar kufirin në vend dhe për të penguar sulmet e reja të çetave shqiptare në territorin serb”. Ministri i Luftës u urdhërua të tërhiqte trupat nga territori i Shqipërisë, para se të skadonte afati i caktuar. Pashiq e quante tërheqjen si “urti politike dhe diplomatike”. Ai shpresonte në përfitime territorial se politika e Fuqive të Mëdha do ta merrte në konsideratë një korrigjim të vogël të kufirit në favor të Serbisë, mbështetur në kritere strategjike dhe ekonomike, dhe se po u dërgonte udhëzime përfaqësuesve serbë që të kërkonin nga qeveritë e huaja ta mbështesnin këtë synim.
Serbia ishte detyruar të tërhiqej nga kufijtë e shtetit shqiptar, por në anën politike Beogradi po bënte përpjekje të vazhdueshme ta ruante ndikimin e tij në pritje të situatave të reja më të favorshme. Presioni austriak që imponoi tërheqjen e forcave serbe, tregoi se Serbia pa mbështetje të jashtme nuk ishte e zonja të vepronte kundër marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërkohë që asnjë nga fuqitë aleate nuk ishte e gatëshme të shkonte në luftë për të plotësuar ambiciet e shfrenuara të saj.