Nga Reshat Kripa/*
E nderuara zonja Susanne Schütz, Anbasadore e Gjermanisë, Tiranë/
I nderuar zoti Ëalter Glos, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Tiranë/
I nderuar zoti Karsten Dümmel, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Bosnje Hercegovinë./
E nderuar zonja Jonila Godole, Drejtoreshë e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Tiranë/
Të nderuara zonja dhe zotërinj/
Ju falënderoj për organizimin dhe pjesëmarrjen tuaj në këtë simpozium mbi ditët e kujtesës së diktaturës komuniste. Është kënaqësi për mua, por në të njejtën kohë edhe dhimbje, për të shprehur mendimet e mia për atë periudhë të errët që kaloi kombi ynë. Them dhimbje se, kur kujtoj atë kohë, më del para syve rinia ime, një rini e mbuluar nga hija e pleqërisë. Më del para syve ajo periudhë kur donim të mësonim dhe nuk na linin të mësonim, donim të punonim dhe nuk na linin të punonim, donim të jetonim dhe nuk na linin as të jetonim.
I përkas një familjeje tregëtare nga qyteti i Vlorës. Im atë ka qenë pronar i një fabrike vaji dhe ushtronte tregëtinë e vajit të ullirit. Si parim të jetës së tij kishte mos përfshirjen në lëvizjet politike të kohës dhe këtë porosi na e jepte dhe ne fëmijve të tij. Por, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të qëndroje asnjanës. Kështu, dy motat e mia, nxënëse të shkollës “Nana Mbretëreshë” në Tirnë, Drita dhe Fatushe Kripa, u aktivizuan me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke shpërndarë trakte në qytet. Pas përfundimit të luftës, Drita i kushtohet teatrit duke qenë një nga themelueset e Teatrit Kombëtar. Fejohet dhe më pas martohet me Hysen Pelingun, këngëtar i njohur i operas, komunist dhe pjesëmarrës në rradhët partizane në kohën e luftës. Gjithashtu motra tjetër, Qamilea, fejohet me Muharrem Çoratin, familje komuniste, Zëvendës Ministër i Industrisë dhe Minierave në periudhën 1945-1947.
Çuditërisht, pikërisht në këtë periudhë, me vendimin numër 2 datë 21 tetor 1946 të Komisionit të Rregullimit të Urbanizimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës Tiranë, dëbohemi, për arsye politike, në qytetin e Vlorës. Çfarë motive politike kishte familja e jonë për t’u dëbuar? Asnjë, por fantazia e udhëheqësve komunistë kishte shpikur një organizëm që i krijonte armiqtë dhe pa pasur të tillë. Ky organizëm ishte Sigurimi i Shtetit që kishte depërtuar në çdo qelizë të tij në atë kohë.
Kështu, kur u kthyem në qytetin e Vlorës, trajtoheshim si familje e armiqve të popullit.
Isha në klasën e gjashtë të shkollës shtatëvjeçare. Nuk isha më shumë se trembëdhjetë vjeç. Ora e leximit letrar. Lexohej një tregim i shkrimtarit Aleks Çaçi me titull “Për një shishe vaj”. Ishte historia e një punëtori te një fabrike vaji që, nga nevoja, vodhi një shishë vaj. Pronari e kapi dhe e pushoi nga puna. Çuditërisht, autori, pronarit i kishte vënë emrin Qazim, emrin e tim eti, që ishte gjithashtu një pronar i një fabrike vaji. Profesori i letërsisë thirri emrin tim për të lexuar pikërisht pjesën ku përmendej emri i atit tim. Unë refuzova. Profesori më nxorri jashtë nga klasa. Të nesërmen u njoftua se isha përjashtuar nga organizata e pionierit. Në koridorin e shkollës, te gazeta murit, ishte vizatuar një karrikaturë e imja me mbishkrimin” Poshtë borgjezia”. Kush ishte borgjezia? Mos vallë unë, një trembëdhjetë vjeçar?
Një trajtim i tillë bëri që im vëlla, Besniku, së bashku me dy shokë të klasës, në
moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, të krijonin një grup antikomunist dhe të shpërndanin trakte
në shkollë. Zbulohen dhe dënohen me nga pesëmbëdhjetë vjet burg. Kryejnë nga dymbëdhjetë vjet sejcili. Një vit më vonë edhe unë, në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, në klasën e parë të gjimnazit, së bashku me dy shokë të klasës, krijojmë gjithashtu një grup antikomunist që shpërndante trakte në qytet. Arrestohemi dhe, për shkak të moshës, dënohemi me nga pesë vjet burg, të cilat i kryem të gjitha.
Pas lirimit nga burgu, kryeva edhe shërbimin ushtarak në repartin e punës ku mësova mjeshtërinë e muratorit që e ushtrova gjatë gjithe periudhës së rregjimit komunist. Kisha një dëshirë të madhe për të studiuar. Përfundova arsimin e mesëm me rezultate të shkëlqyera. Kisha bërë kërkesë për arsimin e lartë me korespondencë, por m’u mohua. Kërkova një takim në Ministrinë e Arsimit. Më priti Zëvendës Ministri, Anastas Kondo. Më dëgjoi por, kur mori vesh që kisha qenë i dënuar politikë, më tha:
- Ik ora djalë dhe vazhdo punën, i di Partia këto gjëra.
Kështu, dyert e arsimit të lartë u mbyllën një herë e përgjthmonë, dhe unë vazhdova që
për gjithë periudhën e komunizmit të ushtroja mjeshtërinë e muratorit.
Por, së fundi, komunizmi u përmbys dhe ne, shtresa e të përndjekurve politikë, filluam të marrim frymë lirisht. U hapën rrugët e punësimit dhe arsimit. Të përndjekurit politikë arritën deri në majat më të larta të pushtetit dhe partive politike. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Viti i zi 1997 do t’i përmbyste të gjitha arritjet e atyre pesë viteve të para të demokracisë. Edhe sot, njëzetetetë vjet nga përmbysja e sistemit komunist, megjithëse nuk është më viti 1997, vazhdon të ndihet një heshtje madje, do të thoja, një mospërfillje karshi problemeve të shtresës së të përndjekurve politikë.
Më lejoni t’ju paraqes disa fakte për sa thashë më sipër.
Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshilit të Europës miratoi rezolutën Nr.1096 ”Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”. Në Shqipëri nuk u dha asnjë njoftim, megjithëse vendi ynë ishte anëtar i Këshillit të Europës dhe e kishte nënshkruar këtë rezolutë, madje edhe shtypi i shkruar dhe ai televiziv heshtën. Përse?
Në vitin 2006 Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi rezolutën e dytë, atë Nr. 1481 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Në mbështetje të kësaj Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 miratoi rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Kanë kaluar dymbëdhjetë vjet nga miratimi i kësaj rezolute dhe nuk është realizuar pothuajse asnjë nga pikat e saj. Lidhur me sa më sipër na dalin disa pyetje
- Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi, dhe ekzekutuesi i sistemit më diktatorial të Europës Lindore? (pika 8)
- Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist që shënojnë instalimin diktaturës komuniste? Sa do të vazhdojë të qëndrojë në varrezat e dëshmorëve të kombit ylli komunist? Kur do të hiqet basorelievi nga fasada e Muzeut Historik Kombëtar, një vepër e realizmit socialist, ku dy të tretat i zënë partizanët dhe ndërtimi i socializmit në Shipëri dhe vetëm një e treta për gjithë historinë e kombit shqiptar dhe ku, në mënyre të veçantë, mungojnë trojet e tjera shqiptare? (pika 9)
- Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e rregjimit komunist,
përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve? (pika 10)
- Kur do të hapen dosjet e ish-bashkëpuntorëve të sigurimit të shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive dhe të shkruara? (pika 11)
- Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve dhe të zhdukurve me ose pa gjyq për
arsye politike? (Pika 15)
- Kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të
parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët? (Pika 17).
Të gjitha këto janë të përfshira në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë. Për të gjitha këto. për fat të keq, nuk ka asnjë përgjigje. Heshtja sundon.
Le të vazhdojmë më tej’
Në muajin mars 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Kuptojeni mirë. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkoj Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit do të thotë se ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo.
Gjithashtu më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo mungoi.
Dy lajme me të njejtën përmbajtje. Ka kohë që Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shipërisë, ku unë bëj pjesë, e ka ngritur zërin me forcë për këtë problem, madje në vitin 2007, në Kongresin e XV-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Çeki, ku mori pjesë edhe një delegacion i shoqatës tonë, u mor vendimi për t’i kërkuar BE-së ngritjen e nje Gjykate Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Lidhur me këtë, në muajin tetor të atij viti, u mbajt në Tiranë, me nismën e shoqatës tonë, konferenca shkencore me temë “Komunizmi në Gjykatën Ndërkombëtare” ku, nëpërmjet kumtesave të mbajtura, ngrihesh domosdoshmëria e kësaj gjykate. Por reflektimi i kësaj ngjarje në opinionin publik ishte fare i vakët, megjithse vetëm një vit më parë Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar rezolutën mbi dënimin e krimeve të rregjimit komunist.
Dëgjoni si është shprehur zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik.
Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Të mos harrojmë se krimet e komunizmit në Shqipëri i kalojnë disa herë atyre të kryera
në ish-vendet e tjera totalitare. Më lejoni t’u jap vetëm një shembull. Sipas deklaratës së përfaqësuesit sllovak, antarit të kryesisë Dr. Peter Bielek, në Kongresin e XVI-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të komunizmit, mbajtur në Tiranë, dënimi i fundit me vdekje në Sllovaki është dhënë në vitin 1956, ndërsa te ne në vitin 1988, me
varjen në litar të Martirit të Demokracisë, poetit Havzi Nela. Mos harroni! Ky krim është kryer kur komunizmi po jepte frymën e tij të fundit. Edhe në çastet e fundit të jetës ai kërkonte gjak. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuara zonja dhe zotërinj.
Sot në Shqipëri nuk ka një memorial kushtuar viktimave të komunizmit, nuk ka një burg apo kamp të punës së detyruar të kthyer në muze, ndërkohë që ato ekzistojnë në pothuajse të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore që ishin nën sundimin komunist. Ka mbi dhjetë vjet që është krijuar shoqata për kthimin e kampit të Spaçit në muze dhe ende nuk po gjen përkrahje për t’u ngritur.
Në Shqipëri nuk ka asnjë president, kryetar parlamenti, kryeministër, deputet apo kryetar partie që të ketë kërkuar falje për krimet e kryera në kohën e komunizmit, në një kohë kur i ndritshmi Papa Gjon Pali i Dytë kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në mesjetë, Kancelarja Merkel kërkoi falje për krimet e kryera nga nazizmi, madje edhe një qytetar gjerman kërkoi falje për krimin që kishte kryer ati i tij, duke marrë pjesë në masakrën e Borovës këtu në Shqipëri.
Në të kundërt, në Shqipëri vazhdon ende politika e vjetër e përndjekjes për kundërshtarët e regjimit. Një shembull konkret në këtë drejtim. Qysh në fillim të vitit 2017, Shoqata e jonë dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithëshme një kallzim penal për krime kundër njerëzimit dhe genocid ushtruar me rastin e masakrës së të ashtuquajturës bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë më 26 shkurt 1951. Kaloi më tepër se një vit dhe asnjë përgjigje nga ana e prokurorisë. Atëhere Kryetari i shoqatës tonë, zoti Nebil Çika, i dërgoi një letër të hapur Prokurores së Përgjithëshme zonjës, Arta Marku. Nuk kaluan më shumë se dy ditë dhe hakmarrja e institucioneve të larta karshi të përndjekurve politikë arriti. Pikërisht në ditën e përvjetorit të ditëlindjes së diktatorit Enver Hoxha, më 16 tetor 2018, Ministria e Drejtësisë i dërgon një ultimatum shoqatës duke kërkuar lirimin e zyrave të saj, zyra që janë marrë me një vendim të posaçëm të ish-Këshillit të Ministrave qysh në vitin 1994, pa iu caktuar një ambjent tjetër. Për më tepër ky vendim nuk është marrë nga Këshilli i Ministrave por nga një urdhër verbal i një ministreje dhe si i tillë është një veprim arbitrar. Më thoni, a mund të keq skandal më të rëndë se ky?
Në vendin tonë sot të gjithë thërrasin: “Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!” Atëhere, kush paska qenë fajtori për gjithë atë tmerr dhe katastrofë që kaloi vendi ynë? Mos vallë paskemi qenë ne që e paguam me jetët tona?
Ju faleminderit.
*Kumtesë mbajtur në ceremoninë e zhvilluar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe Fodacioni “Konrad Adenauer”, me rastin e fillimit te “Ditëve të Kujtesës”.