OPINION NGA ZYBA HYSA/
Nëse duhet dëgjuar duke mbajtur frymën kur flet, është kjo kategori e shoqërisë sonë shqiptare, që provuan më shumë se çdo njeri tehun e mprehtë të shpatës së diktaturës komuniste, se majën e saj të ngulur në shpirt, e provoi gjithë populli shqiptar që lindi, jetoi dhe u plak në diktaturë…
Të nderuar të dënuar politikë,
Unë jam me ju, por njëherësh kundra jush, se në të bërit politikë duke u marrë me foto të ish diktatorit, ju harroni diktatorët që erdhën pas tij, ai mbetet hija e zezë që mbulon terrin e zi të atyre që e pasuan, e që për fat të keq- kanë ndërruar emrat në demokratë, socialistë, republikanë, LSI – stë… pra ju kërkoni të merremi me gjurmët e diktaturës për të lënë të qetë diktatorët e rinj të çfarëdo lloj krahu qofshin ata, se diktator as vetëquhesh, as nuk mund ta quajë një foto, dhe as nga opinionet rastësore mediatike të gazetarëve dhe shoqatave, që për fat të keq janë kthyer në freskuese dhe mbështetëse të diktatorëve të rinj, diktator të quan mënyra se si flet, se si drejton dhe se si punon.
Të përndjekurit politikë, me gjithë kuptimin e fjalës, edhe sot nuk janë rehabilituar, as për t’u rehabilituar nuk kanë për të qenë, nëse shoqata juaj nuk merret me shqetësimet e kësaj kategorie duke mbështetur njëri – tjetrin për të fituar ato çka u kanë rrëmbyer, por që ju me mënyrat dhe veprimet tuaja, bini në veprime dhe mënyra komuniste, se komunizmi ishte propagandë false, për të shmangur vëmendjen nga thelbësorja.
Unë dua t’u pyes: Çfarë fitoni ju si shtresë e të përndjekurish, nga kjo gjë, kur 23 vjet nuk u bë asgjë në këtë drejtim, ku asnjë nuk doli para jush e të kërkonte ndjesë, por dikë e blenë, dikë e përdorën… shumë prej jush u krijuan mundësi të linin Atdheun dhe të merrnin rrugët e kurbetit, shumë të tjerë në harresën e vdekjes për së gjalli… Ku ishit ju? Po kur shokët tuaj bënë greve në bulevard dhe dogjën veten me benzinë, ku ishit ju? UNË CDO GJË MUND TË BESOJ, PO SE JU PËRFAQËSONI TË DËNUARIT POLITIKË TË DIKTATURËS KOMUNISTE, KURRËN E KURRËS!
Mua nuk do më bënte përshtypje një foto, se sa poshtërimi që keni pasur këto vite të „demokracisë“, një poshtërim që vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke u ndarë populli përsëri në klasa dhe duke e vazhduar luftën e klasave dhe më shumë se kush, nga ju që e keni dashur vendin për të gjithë shqiptarët.
Me këtë që thashë dua të përmend fjalët e patriotit, mendimtarit, luftëtarit, poetit, shkrimtarit, dramaturgut, historianit dhe filozofit me përmasa botërore nga Kanina e Vlorës, i përndjekur, i detyruar të marrë rrugën e mërgimit larg Atdheut e familjes për në SHBA, Isuf Luzaj, një nga figurat më të përndjekura, jo vetëm nga sistemi komunist shqiptar, por dhe nga Stalini, kur takon djalin e tij Kujtim Luzaj që ka vuajtur ashtu siç kanë vuajtur nëpër burgje gjithë kjo kategori njerëzish: “E kam takuar për herë të parë babanë ne Çikago, në Amerikë në vitin 1993. Pasi u përqafuam, u ulëm për të biseduar me të dhe në bisedë e sipër, kur po i flisja për të kaluarën tonë, për vuajtjet e familjes, për vuajtjet e mia gjatë kohës së burgut më ndërpreu e më tha:
– Ti je komunist!
– Çfarë thua baba? Unë komunist! Unë që nga komunizmi kam kaluar nëpër ferr 12
vjet dhe ti tani më thua që je komunist!? Kjo është fyerja më e madhe për mua! Të ma thoshte një tjetër njeri, nuk di se si do të ndahesha me të…
– Po… ti je komunist dhe ta them unë pse je komunist. Je i tillë, se ti atë edukatë ke
marrë atje 45 vjet, atë mentalitet ke dhe nuk ndryshon asgjë nga edukata komuniste, po në qoftë se me këtë inat që më flet ti, për komunizmin, për urrejtjen që ke për të edhe ne do të veprojmë ashtu siç bënë ata atëherë? Ku qëndron ndryshimi, prandaj po të them që ke edukatë komuniste dhe je komunist…” (Pjesë nga intervista e librit biografik)
I solla këto rreshta të gjalla para jush dhe para çdo shqiptari, që të kuptojmë mirë sjelljet tona, veprimet tona, mendimet tona e aq më shumë ju, të nderuar të shoqatës së të përndjekurve politikë, që mesa di unë jeni përçarë si të ishit parti politike dhe jo kategori fisnike e këtë ua edukoi sistemi komunist dhe ua ushqeu dhe ua ushqejnë diktatorët e rinj, se nëse ajo foto ishte aty, apo dhe eshtrat e tij të nxirren aty, unë as që do e ktheja kokën andej, ai duhet shpërfillur dhe jo lakuar, sa më shumë e lakojmë, aq më shumë e sjellim mes nesh duke mos u marrë me thelbësoren e kohës sonë për të sjellë demokracinë, kush do Enverin, le ta mbajë në gji, le ta mbajë në krah, le të flejë me foton e tij, është e drejta demokratike përderisa ekziston një Parti Komuniste e ligjëruar. Pse të provokohemi prej tyre, të na preokupojë mënyra se si qeveriset, të na shqetësojnë problemet e Atdheut e të ndihmojmë qeverinë për t’i zgjidhur. Ky është misioni juaj, imi, i popullit, i opozitës, nëse do ta quajmë veten shqiptarë, nëse duam të vëmë dinjitetin në vend duke punuar për këtë vend, në rast të kundërt sjellja juaj, më vjen keq që po e shpreh publikisht, është një sjellje komuniste dhe me diktat.
Ka ardhur koha dhe koha thërret, ka ardhur koha dhe koha nuk pret, prandaj duke filluar së pari tek ju, tek unë, tek të gjithë, tek qeveria dhe tek opozita që të mos bëjmë fushatë edhe pasi ajo ka përfunduar, por të bëhemi bashkë për të mirën tonë, për të mirën e Atdheut, për të ardhmen e kombit, për sigurinë e bijve tanë, të nipër e mbesa, të gjithë pasardhësve tanë brez pas brezi…
Shenim i DIELLIT: Opinionet nuk percaktojne qendrimin e gazetes DIELLI, ato mbeten opinione te autoreve qe i shkruajne. Edhe fotografia e Enver Hoxhes eshte nje sinjal per ata qe qeverisin dhe qe provokojne duke e nxjerre ne publik, duke testuar opinionin…Natyrisht te Perndjekurit politike meritojne me shume se sa