
Satirë nga Rafael Floqi /
Në një vend ku politika dhe showbiz-i kanë humbur çdo vijë ndarëse, Shqipëria ka përfunduar në sezonin më të ri të reality show-t politik: “Republika e Klounëve”. Kryeministri Edi Rama dhe ish-kundërshtari i tij i përjetshëm, Lulzim Basha, nuk janë më thjesht politikanë. Jo, ata janë protagonistët e një shfaqjeje të përditshme, ku drama, komedia dhe absurdi ndërthuren në një simfoni kaosi.
Lulzim Basha, njëherë e një kohë lider i një partie opozitare, tashmë ka kaluar nga fjalimet politike tek freestyle-t e rrugës. Për të, Facebook-u është bërë kuvendi më i madh, ku refrenet e Unikkatilit zëvendësojnë çdo lloj programi politik. Mes videove qesharake dhe disset që të kujtojnë konfliktet adoleshente të rrjeteve sociale, Basha s’është më një alternativë politike.as sigël s’ka më. Ai është një zhanër më vete. Një kryqëzim mes një influencer-i të dështuar dhe një karikature që i ka harruar linjat e vizatimit.
Pavarësisht interesit të Ramës për të tërhequr në fushatë Bashën për diversion votash brenda së djathtës, apo ky i fundit për të marr vëmendjen nëpërmjet kryeministrit për të sfumuar Berishën, nuk mund të mos evidentosh rolet e përzgjedhura për ta realizuar këtë tallava politike.
Për Ramës, marrja e roleve në fushatë si akrobat, këngëtar, gastor, aktor, instrumentist, kujtojmë dajren e famshme në fushatën e 2017 janë më se të zakonshme, pasi i kanë rezultuar të sukseshme në kushtet e një kundërshtari politik të dobët. Ai ka kuptuar që zbavitja, argëtimi, spektakli në shoqëri si e jona që maroset mbas reality show ala “Big Brother Vip” apo “Përputhen” sjell rezultate elektorate. Në krahun tjetër, edhe Basha në kushtet ku PD është forcë kryesore opozitare nuk ka rrugë tjetër për të marr vëmendjen e publikut.
Me këtë strategji kanë veshur kostumet e arketipeve të personazheve të reality show dhe i komunikojnë votuesit. Zhargoni lokalist ala tironse i përdorur në komunikim, nën sfondin seksist ku bie në sy grupi i çunave të lagjesh i gatshëm për xhiro me makinë nëpër gjimnazet e Tironës me makina të shtrejnta ku nuk dihet nga e kanë burimin e financimit, të ekzaltuar nga muzika REP ku katër fjalë qarkullojnë në të gjithë tekstin me postur të fortësh i bëjnë karshillëk njëri – tjetrit.
Nga ana tjetër, Edi Rama, mjeshtri i propagandës dhe surrealizmit, e ka shndërruar ish-rivalin në lodrën e tij të preferuar. Në vend që të merret me çështjet reale të vendit, ai bën improvizime nga studioja e tij e ëndrrave, ndërsa Luli i përgjigjet nga ndonjë cep i parkut me një selfie-stick dhe një tekst që i pëlqen vetëm algoritmit.
Në një vend tjetër, një lider opozitar do të ngrinte zërin për skandalet e qeverisë. Por këtu, opozita nuk është më zë, është meme. Shakaja është se askush nuk e di më kush qesh e kush qan. Populli shikon një episod të ri të kësaj farse dhe shtyn ditën, ndërsa fatura e dritave shkon lart dhe shpresa zbret poshtë. E megjithatë, Luli dhe Rama vijojnë garën e tyre në fushën e komedisë.
Në 2017-ën, Rama e përdori Bashën për të bërë paktin që e mbajti në pushtet. Në 2021-in, ai u sigurua që PD-ja të mbetej një orendi pa jetë. Tani, në 2025-ën, Luli është transformuar në një “walking meme ”, një hologram politik që kërcen në ritmin e atyre që duan ta përdorin. Dhe Rama? Ai nuk ka nevojë të përpiqet më. Me një opozitë të tillë, ai mund të shpikë çfarë të dojë: një qytet pa beton, një pikturë pa bojë ose një fjalim pa logjikë.
Por të mos gënjehemi. As Basha nuk bën këtë nga padija. Ai e di mirë që s’do të jetë më kryeministër. Prandaj ka zgjedhur rolin e Joker-it politik. Të paktën, kur njerëzit qeshin, nuk pyesin më për varfërinë. Dhe Rama, i ulur në fronin e tij artistik, vetëm sa tund kokën dhe qesh me të. Në këtë shfaqje groteske, edhe fjalët “opozitë” dhe “pozitë” janë bërë sinonime. Të gjithë janë pjesë e të njëjtit ansambël.
Pra, në zgjedhjet e ardhshme, mos u mundoni të gjeni një alternativë. Zgjidhni kë doni në skenën politike: klounin me kravatë apo klounin me penel? Bileta është e shtrenjtë, por shfaqja është e garantuar. Dhe ne, si gjithmonë, kemi vetëm një rol: spektatorë që paguajnë për ta parë. Republikë e Klounëve, sezoni 2025. Bëhuni gati për episodin e radhës.
Në fund të fundit, edhe një batutë mes dy protagonistëve nuk do të ishte çudi:
Luli: “O Ramë, Unikkatili më tha që s’mundem me u shty me ty, po ç’a mendon ti?”
Rama: “Luli, për ty s’ka nevojë të shtyhet njeri, ti e shtyn veten mrekullisht drejt humnerës!”
Luli: “Po unë kam edhe freestyle-in e radhës të flokëve, gati për 1 milionë views!”
Rama: “Bravo, Luli! Ndërsa ti freestylo, mua flokët më lanë dhe minjtë më ikën po unë vazhdoj të sundoj.Se po iku macja lozin minjtë se tani për tani po hamë dhe tanët. Secili me talentin e vet!”