
Selam Sulejmani/
Historia e vërtetë e popullit tonë mësohet nga shqiptarët vizionarë, nga ata që në periudha të caktuara nuk i shërbyen konformizmit kolektiv, por zgjodhën t’i shërbejnë sendërtimit të aspiratave shekullore. Filozofët thonë se historia e botës nuk është asgjë tjetër, veçse përparim i vetëdijes për liri. Ndërkaq, lirinë dhe trimërinë nuk i ndajnë dot dhe i cilësojnë si nënë e bijë. Me lirinë si koncept, nënkuptohet gjendje pa shtypje, pa kufizime e pa pengesa që e vështirësojnë veprimtarinë shoqërore; gjendje e një vendi kur nuk është i pushtuar, ose e një populli që rron i lirë dhe i pavarur.
Shqiptarët e Maqedonisë së dikurshme, ndër dekada, ishin të privuar nga të drejtat themelore për arsimim në gjuhën amtare, nga përdorimi i simboleve kombëtare, nga përfaqësimi i denjë në institucionet shtetërore dhe nga zhvillimi i veprimtarive në fusha të ndryshme. Shqiptarët, në këto troje, kurrë nuk kanë reshtur së punuari për realizimin e të drejtave të tyre. Mjafton t’i kujtojmë përpjekjet për arsim e dije të bëra përgjatë historisë sonë të lavdishme, të udhëhequra nga postulati i Naim Frashërit se “vetëm popujt e arsimuar s’mund të jenë të robëruar”. Këtë thirrje për zgjimin e kombit e kuptuan më së miri intelektualët shqiptarë të udhëhequr nga Prof. Dr. Fadil Sulejmani, të cilët, 31 vjet më parë, në vitin 1994, e themeluan Universitetin e Tetovës – institucionin e parë të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.
Themelimi i UT-së e përmbysi njëherë e përgjithmonë analfabetizmin. Ai i shkatërroi përgjithmonë planet ogurzeza të qarqeve shoviniste të vendit dhe të huaja për asimilimin e popullatës shqiptare që “jeton në këtë vend që prej kur s’mbahet mend”. Jetësimi i kësaj ideje dhe realizimi me sukses i këtij projekti madhor kombëtar kërkonte kapacitete kadrovike, sakrificë, rezistencë, por mbi të gjitha – guxim për ta sfiduar sistemin antidemokratik të asaj periudhe. Iniciativa për themelimin e Universitetit të Tetovës u mbështet nga intelektualët e kohës dhe u përkrah gjerësisht nga populli shqiptar në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e diasporë. Lindja e Universitetit shihej si “dielli që lind pas errësirës”.
Kështu edhe ndodhi. Kjo vatër e dritës dhe e diturisë – Universiteti i Tetovës – edhe përkundër torturave e persekutimeve të popullatës, burgosjes së themeluesit të saj, profesor Fadil Sulejmanit, dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe rënies së dëshmorit Abdylselam Emini, e ndriçoi rrugën e përparimit dhe zhvillimit të popullit shqiptar në trojet e tij arbërore. Themeluesi dhe rektori i parë dhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, me “një laps dhe një fletore të vogël” e shpartalloi mësymjen e madhe të mijëra forcave policore që vërshuan në fshatin Poroj e Reçicë, në fillimin e vitit akademik 1994/1995.
Si për ta përvijuar misionin e tij në shërbim të kombit, Fadil Sulejmani u lind në vitin 1940 – vitin kur mbylli sytë At Gjergj Fishta, autori i 37 botimeve letrare, mbi të gjitha i poemës epike “Lahuta e Malcis”.
Në Porojin legjendar, Fadil Sulejmani u ngrit në lartësinë historike të poezisë “Shqypnia”, të vargjeve të Homerit shqiptar, Fishtës:
“Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt që ti ke ushqye;
Si ka pa, jo, kush tue hikun;
Frika e dekës kur s’i ka thye.”
Shumë pak personalitete kanë hyrë në histori me vepra kaq madhështore sikurse themeluesi i Universitetit të Tetovës. Ai, më 17 shkurt 1995, në fillimin e ligjëratave të para, me guximin e tij të pashoq, ndër të tjera theksoi se: “…ne kemi zgjedhur rrugën e arsimit. Rruga e arsimit është rruga e paqes dhe kjo do të fitojë.”
Dhe vërtet fitoi misioni i tij titanik – triumfoi guximi, dituria mbi barbarinë, shkolla mbi obskurantizmin mesjetar.
Sot, kujtoj se: “Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm në lëmin e arsimit dhe të shkencës, për guximin qytetar dhe intelektual në themelimin e Universitetit të Tetovës, për arsimimin dhe emancipimin e gjeneratave të reja, për ruajtjen e vlerave dhe dinjitetit njerëzor, për ngritjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe të lirisë akademike”, themeluesi dhe rektori i parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, në 18-vjetorin e Universitetit, më 17 dhjetor 2012 (nga Rektori i kohës, Prof. Dr. Vullnet Ameti), u laureua me titullin Doktor Nderi i Shkencave.
Po ashtu, kujtoj se disa ditë pas kësaj ceremonie (dhjetor 2012), për arsye pune duhej të bisedoja me profesor Fadilin. Meqë ai ndodhej në Prishtinë, komunikuam përmes telefonit. Në këtë bisedë u binda se është e vështirë ta veçosh emrin e Universitetit të Tetovës nga emri i tij – njësoj sikurse liria dhe trimëria që bashkëjetojnë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën.
Në këtë bisedë, ku folëm për veprimtarinë arsimore e shkencore dhe për arritjet që kishte shënuar Universiteti i Tetovës përgjatë viteve, duke u shndërruar në një qendër të mirëfilltë evropiane, themeluesi i UT-së ishte po ai që, edhe kur bisedonte në telefon, fliste sikur i drejtohej popullit nëpër mitingje e protesta.
Fadil Sulejmani jeton e do të jetojë përjetësisht në ëndrrën më të bukur të çdo studenti, intelektuali dhe qytetari të vendit tonë e më gjerë. Me veprën e tij të përjetshme – dritën e arsimimit, projektin më madhështor në historinë moderne të këtyre trojeve – si shumë personalitete të njohura historike, Fadil Sulejmani tashmë i takon panteonit kombëtar.