Nga Almarina Gegvataj/Në kuadër të nismës së saj globale “Kultura-një urë drejt zhvillimit”, e cila synon shfrytëzimin e forcës së kulturës si mjet dinamik i bashkëpunimit dhe risi për zhvillim gjithëpërfshirës ekonomik, kohezion social dhe paqe, UNESCO, në bashkëpunim me Fondacionin Balkanika, Bashkinë e Beratit dhe partner të tjerë nga rajoni, organizon takimin rajonal në Berat, në datat 29-30 mars 2014.
Sipas njoftimit zyrtar, takimi do të zhvillohet me prezencën e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO, Irina Bokova. Ky takim rajonal në urën e Goricës në Berat pason takimet e organizuara në Edirne-Turqi dhe në Lovech, Bullgari.
Takimi në Berat është i treti takim në kuadër të projektit “Urat e Ballkanit flasin”, projekt i nisur që në vitin 2013, i cili do të mbarojë në vitin 2014 në të gjithë Evropën Juglindore për të nxjerrë në pah urat, si simbole të fuqishme të unitetit dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë.
Projekti ka disa aktivitete : tryeza të rrumbullakta, shfaqje artistike dhe kulturore, lexime publike, etj. Ai ofron një mundësi për personalitete letrare, autoritetet kombëtare, ndërkombëtare dhe vendore, ekspertë, partner privatë dhe universitete të rajonit për të shkëmbyer përvojat. Ai ka për qëllim të rrisë krijimtarinë, dialogun dhe shkëmbimet kulturore, për të frymëzuar qasje innovative dhe krijuese për ruajtjen e trashëgimisë dhe kulturës ndaj politikave të ndjeshme të zhvillimit.Nisma është konceptuar që të sigurojë hapësira për bashkëpunim kulturor ndërajonal dhe rajonal, të nxisë shkëmbimet ndërmjet profesionistëve të kulturës, urbanistëve, komunave, artistëve, shoqërisë civile në politikat kulturore, në strategjitë dhe praktikat që ushqejnë dialogun ndërkulturor, por edhe stimulimin e sektorit kulturor si sektor i qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.
Në takimin rajonal do të zhvillohen edhe veprimtari artistike si: Foto-ekspozitë “Murmurima e ujërave”, me pjesëmarrjen e piktorëve të vendeve të ndryshme të Ballkanit, që do të krijojnë në ajër të hapur veprat që do t’i dhurohen qytetit të Beratit., koncerte nga ansamblet bullgare dhe shqiptare, si dhe një spektakël 3D animacion mbi urën e Goricës. Panairi i artizanëve të Beratit dhe Gjirokastrës do të shoqërojë vendet e hapura përgjatë dy ditëve të takimit rajonal “Urat e Ballkanit flasin”.(Sipas ATSH)