Avni Alcani/
Përgjatë luginës së lumit të Shkumbinit është ndërtuar një nga rrugët më të vjetra dhe më të famshme në botë, me emrin “Via Egnatia”, e cila bashkonte pjesën perëndimore të Ballkanit me atë lindore. Egnatia u shërbente romakëve për lëviznjen legjioneve ushtarake të Romës për pushtimin e Ballkanit dhe viset e tjera lindore. Rruga zinte fill nga qyteti antik i Dyrrahut dhe përshkonte mes për mes të gjithë gadishullin e Ballkanit, nga deti Adriatik e deri në Kostandinopojë.
Në Tabelën e Poitingerit, hartës së vjetër romake, ishin shënuar të gjitha trevat e pushtuara nga romakët, e cila fillonte nga Britania e Madhe në perëndim e deri në kufi me Indinë e sotme. Në hartë ishin shënuar të gjitha rrugët e ndërtuara prej tyre, duke përfshirë dhe rrugën Egnatia. Gjithashtu ishin shënuar të gjitha stacionet, si dhe largësitë (distancat) ndërmjet tyre, të cilat ishin të shënuar në terren me gurët e quajtur “Miliar”. Stacionet shërbenin për sigurimin (mbrojtjen) e rrugës, për pushimin e udhëtarëve, për ndërrimin e kuajve dhe për shërbime të ndryshme.
Në Iliri pjesa më e madhe e kësaj rruge kalonte nëpër luginën e lumit Genesis (Shkumbin) dhe mbi të ishin ndërtuar disa ura prej guri, të cilat, për fat të keq, sot nuk ekzistojnë. Ruhen vetëm disa fragmente muresh dhe urash prej guri të kësaj periudhe, si në fshatin Dardhë të Librazhdit (fig. 1 dhe 2) dhe në fshatin Çopanaj të Peqinit (fig. 3, 4 dhe 5). Edhe gjatë periudhës së pushtimit Osman, në luginën e Shkumbinit ishin ndërtuat ura shumë të bukura, të cilat patën tëhequr vemendjen e udhëtarëve të huaj. Një nga këto ura është pikturuar në vitin 1848 nga piktori anglez Eduart Lir (fig. 6). Ushtarë austriakë kanë fotografuar urën prej guri në Qukës, e cila sot nuk ekziston (fig. 7). Gazetari dhe shkrimtari britanik Bernard Newmen, në librin e tij me kujtime “Albanian Back-door” (Derë e pasme e Shqipërisë, Londër 1936), i përshkroi urat prej guri mbi lumin Shkumbin me bukuri magjepëse, si në ëndërr. Gjithashtu nga autorë anonimë është fotografuar ura me harqe e Haxhi Beqarit në Mirakë (, e cila u shkatërrua gjatë bombardimeve angleze në Luftën e Dytë Botërore.
Sot, në të gjithë gjatësinë e lumit Shkumbin, për fat të keq, ruhen vetëm dy ura me harqe prej guri, ura e Golikut në Mokër të Pogradecit (fig. 9) dhe ura e Kamares në fshatin Mirakë të Librazhdit (fig 10). Ura e Kamares është ura më e madhe prej guri mbi lumin Shkumbin dhe një nga urat më të bukura në Shqipëri.
Urave prej guri mbi lumin Shkumbin u janë krujuar legjenda dhe u këndohen balada për ndërtimin e tyre. Një nga baladat më të bukura është “Balada e murimit në fshatin Funarës”, e cila është mbledhur në fshatin Funarës të krahinës së Çermenikës.
BALADA E MURIMIT NË FSHATIN FUNARËS
Motivi i baladës së murimit është mjaft i njohur, jo vetëm në folklorin shqiptar, por edhe në atë ballkanik. Balada çermenikase ka të njëjtin motiv të murimit, të njohur edhe në baladat e tjera simotra shqiptare e ballkanase. Për mendimin tonë, balada e murimit “Tre vllaznia u besatu”, e kënduar në fshatin Funarës të Çermenikës, është varianti më i bukur ndër baladat shqiptare.
Subjekti është i njëjtë si në baladat e thera: tre vëllezër punojnë për ndërtimin e një ure, që në baladën e Funarsit quhet “ura e shehut”, dmth, ura e shenjtë. Të tre vëllezërit punojnë ditën, por ura shembet natën (“Puno ditë e shemu natë!”). Pranë tyre kalon një plak, një “sheh”, që në baladë emri “sheh” ka kuptimin e një shenjti, i cili uron vëllezërit: punë të mbarë! Vëllezërit përgjigjen të dëshpëruar se ura, që ata ndërtojnë ditën, u shembet natën. Plaku u urtë i këshillon që ura, për të mos u shembur, i duhet bërë një kurban.
Këtu fillon drama e vëllezërve, pasi kurbani nuk është dosido, por është një njeri i gjallë. Në këngë nuk tregohet se çfarë vendosën vëllezërit për të bërë kurban, por, nga besa që lidhën me njëri-tjetrin, kuptohet se ata kishin marrë një vendim të rëndësishëm mes tyre, një vendim që përmbante mister dhe fshehtësi. “Por, “Tre vllaznia jan besatu/ Grave t’veta mos m’u kallzu!”, thotë kënga.
Çfarë ishte kjo besë, ky vendim kaq i fshehtë dhe ç’ishte ky mister kaq i madh sa i kishte dytyruar vëllezërit të ishin aq gojëkyçur me gratë e veta, me njeriun më të afërm të jetës së tyre?! Autori i balladës nuk e rrëfen enigmën, se ç’besë kishin dhënë vëllezëit dhe çfarë pakti kishin bërë dhe vendosur për të bërë kurban?! Por, në vargjet e mëposhtme, kur vëllezërit ballafaqohen me bashkëshortet e tyre, lihet të kuptohet se diçka ata u thanë grave të veta. Po se çfarë u thanë…Heshtje… Ata kishin lidhur besë… Diçka, shumë e rëndësishme dhe shumë dramatike, që s’kishte lidhje vetëm me besën, i kishte tronditur vëllezërit.
Por a e mbajtën besën vëllezërit?
Dy vëllezërit e mëdhenj i kishin porositur gratë e tyre, se po t’i dërgonte nëna e tyre për t’u sjellë drekën, ato të mos vinin (“Po të dërgoi nona, buk’ mos m’e pru…”). Kurse vëllai i tretë, i cili kishte qenë “i besatu”, i kishte thënë nuses së tij: “Po të dërgoi nona, bukën me e pru…”.
Dy nuset e mëdha, me gjithë lutjet e nënës, për t’u çuar bukën djemve të saj, ato u shmangën, gënjyen, kundërshtuan dhe nuk pranuan t’u dërgonin ushqimin burrave të tyre. Atëherë nëna i drejtohet nuses së djalit të vogël, duke iu lutur edhe asaj që t’i dërgonte bukën djemve. Nusja e vogël hezitoi për një çast, pasi po i qante fëmija e saj foshnjë. Vjehrra i premton se do t’ia mbajë ajo fëmijën dhe nuk do e lejë të qajë. Nusja e vogël pranon. Ajo ia lë foshnjën vjehrrës dhe niset t’u çojë bukën (ushqimin) tre vëllezërve.
Kur nusja afrohet pranë urës, i gjen ustallarët duke qarë. Ata të tre e dinë se ç’do t’i ndodhë nuses së re, kurse ajo nuk di asgjë. Nusja i pyeti burrat se përse po qanin(?!). Ata s’kanë guxim t’i thonë të vërtetën dhe e gënjejnë, duke i thënë se u kishin rënë (humbur) veglat e punës në gropë. Ajo i ngushëllon dhe u premton se do të zbresë që t’i ndihmojë, por ata… e groposën dhe e murosën për së gjalli. Nusja e re, në çastin e saj më fatal, mallkoi bashkëshortin, duke i thënë: “Në qafë më paç, or burri im,/ Që ma le djalin jetim…” Burri i saj i përgjigjet: “Jetim qesh, jetim lashë,/ Majta besën, që un’ dhashë”. Nusja u drejtohet kunetërve, duke i porositur: “Kur t’më zejë djali me qa,/ Të ma bini në kala”, që ajo të ushqejë djalin e saj.
Balada mbyllet me vargjet lapidar: “Në kala ke kom e urës,/ Aty rrjedh gjak e qumësh…”. Për mendimin tim këto janë vargjet më të bukura, më dramatike dhe më tragjike të folklorit dhe të gjithë letërsisë shqiptare.
Në baladë janë përmendur dy herë fjalët “kala”, në një kohë që balada i kushtohet ndërtimit të një ure. Mendoj se, në një variant të parë të këngës, ndoshta edhe më të hershëm të saj, ajo duhet t’i jetë kushtuar një kështjelle (kalaje).
Në vijim po japim të plotë variantin çermenikas së balladës së murimit:
TRE VLLAZNIA U BESATU
Tre vllaznia u besatu1)
Urën e shehut2) m’e maru.
Aty pranë kalon nji sheh:3)
– Puna e mbarë, o ustallarë!
– Puna e jona mos u patë;
puno ditë e shemu natë.
– Ura don nji kurban,
nji kurban, nji njeri t’gjallë…
Tre vllaznia u besatu,
Grave t’veta mos m’u kallzu…
Vëllai i parë, i besatu,
Grunë e vet e kish kallzu:
– Po të dërgoi nona,
Bukë mos m’e pru!
Vëllai i dytë i besatu
Grunë e vet e kish kallzu:
– Po të dërgoi nona,
Bukë mos m’e pru!
Vëlla i tretë i besatu,
Grunë e vet s’e kish kallzu:
– Po të dërgoi nona,
Bukën m’e e pru!
– Reje4) parë, o ime bi’5),
Ngreu ço’ bukën djemve të mi!
– Besa nonë, po m’dhem koka!
– Reje dyt’, o ime bi’,
Ngreu ço’ bukën djemve t’mi!
– Besa nonë, do shkoj për miqsi.
– Reje tretë, o ime bi’,
Ngreu ço’ bukën djemve t’mi!
– Besa non’, po m’qan djali!
– Ti, moj bijë, shko dhe ja,
S’ta len nona djalin me qa!
… Mora fushën t’u vrapu,
Vinte dreka6) t’u afru…
– Mor, kunat, kunat i parë,
Pse po qan’ me lot ashtu?!
– M’ka ra çekiçi n’ujt’!
– Mor kunat, kunat i dytë,
Pse po qan’ me lot ashtu?!
– M’ka ra çekiç n’ujt!
– Mos ki’ gajle7), ta qis unë…
– N’qafë më paç, or burri im,
Që ma le djalin jetim!
– Jetim qeshë, jetim lashë,
Majta besën, që un’ dhashë.
– N’koma t’urës ju po m’shtini,
Cic’n e djathtë jasht’ t’ma lini.
Kur t’më zejë djali me qa,
Të ma bini në kala8),
Në kala, ke kom’ e urës,
Aty del gjak e qumësh!
(Mbledhur nga Emin Çota)
Funarës 1977.
Shënime:
1) Zunë besë me njëri-tjetrin;
2) Dmth, ura e shenjtë;
3) Një i shenjtë;
4) Nusja e djalit;
5) Bijë;
6) Afrohej dreka;
7) Mos u bëj merak;
8)Ndofta varianti i parë i këngës i ka qenë kushtuar një kalaje (kështjelle).
Paisi me shënime A. Alcani.