*SOT është dita e parë e agjërimit të këtij muaji ku mbizotëron paqja, solidariteti dhe ku dalin në pah vlerat që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror/
- Presidenti Meta uron besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit/
- *Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Redaksia e Gazetes së saj “Dielli” urojnë bashkatdhetaret e besimit Musliman:Gëzuar Muajin e Madhërishëm të Ramazanit! Agjerim të lehtë, mbarësi , paqe dhe harmoni!/
Praktikantët e besimit mysliman nisin sot, të mërkurën muajin e agjërimit, privimit me vetëdije nga ushqimi prej agimit deri në perëndim të diellit. Muaji i agjërimit mbyllet në 14 qershor.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e këtij muaji, më të rëndësishmit në fenë islame sa i përket dedikimit ndaj besimit dhe sakrificës për Zotin: “Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni, në Shqipëri, në trevat Shqiptare, si dhe në mbarë botën. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit! Me datë 16 maj është dita e parë e muajit të madhnueshëm të Ramazanit, është dita e parë e agjërimit të këtij muaji ku mbizotëron paqja, solidariteti dhe ku dalin në pah vlerat që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror”, thuhet ndër të tjera në urimin e Bruçajt.
***
Presidenti Meta uron besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit.Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Meta ka uruar të gjithë shqiptarët për më shumë solidaritet, dashuri dhe paqe sociale.
“Të dashur besimtarë myslimanë,
Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit, muajin e sakrificës dhe të reflektimit! Ky Muaj i madhërishëm, që lartëson shpirtin e kthjellon mendjen, uroj të sjellë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, paqe sociale dhe besim. Solidaritet për ata që kanë nevojë për përkujdesje, për të qenë bashkë në ditë të mira e në ditë të vështira, në dhimbje dhe në gëzime. Agjërim të lehtë dhe të shëndetshëm, mbarësi dhe begati në familjet tuaja! Zoti ju ndihmoftë për ta përmbushur më së miri atë! Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja, Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!” – ka uruar Presidenti.
PS: Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Redaksia e Gazetes së saj “Dielli” urojnë bashkatdhetaret e besimit Musliman:Gëzuar Muajin e Madhërishëm të Ramazanit! Agjerim të lehtë, mbarësi , paqe dhe harmoni!