Rafaela Prifti/
Dielli falenderon lexuesit e bashkëpunëtorët, anëtarët e Vatrës dhe të gjithë bashkësisë shqiptare për urimet e dërguara redaksisë për Ditën e Flamurit. Shumë mesazhe e përshëndetje janë botuar në faqet e numrit special të gazetës që do ta keni në duar këto ditë. Sot për faqen e portalit kemi përzgjedhur katër letra dhe urime nga humanistë e dijetarë, intelektualë dhe studiues në të cilat shprehet porosia dhe vizioni i tyre për Pavarësinë. Lexoni sesi Profesor Dr. Sami Repishti na quan “Vëllazën, Motra” dhe bën thirrje “të punojmë si qytetarë të ndershëm, e të provojmë se shqiptarët në Amerikë janë qytetarë të ndershëm, punëtorë, dhe të vendosun me reflektue vlerat tona kombëtare e morale të besës, nderit, burrnisë, mikpritjes e të tjera për të cilat na krenohemi.”
Në urimin e tij Kancelari i Përndershëm i Shën Gjergjit në Boston Imzot Artur Liolin, bashkërendit “festën e dhënies së falenderimeve dhe Ditën e Pavarësisë si bekime për bashkësinë fetare dhe interesat kombëtare për gati një shekull.”
Shkrimtari Naum Prifti me krijimin e një legjende shqiptare për një luftëtar të lirisë si Pjetër Shini tregon se prijës i vërtetë është ai që ka me vete një popull: “Pjetër Shini kishte thënë se ai do të luftonte sa t’i regëtinte zemra, sa t’i kishte forcë krahu e sa t’i shihte dritë syri. Cilido që i thoshte vetes arbër dhe e donte atdheun të lirë ishte bashkë me të në beteja kundër turqve si dhe në çdo odë shqiptari që donte lirinë.”
Studiuesi Eugjen Merlika e vendos theksin tek Shpallja e Mëvehtësisë së Shqipërisë si momenti kur kombi njësohet me problemin e tij kryesor, cungimin. “Çështja kombëtare qe barra më e rëndë që politika shqiptare, që në aktin e themelimit të Shtetit, e mbarti gjithmonë në supe e në shpirt, madje ajo u bë masa e vlerësimit të forcës e dobisë së saj.”
Secili urim është edhe porosi. Shpallja e Pavarësisë ishte akt i vetëdijshëm që u mundësua nga shumë faktorë dhe që u rrezikua qysh në momentet e para nga shumë faktorë të tjerë. Sado larg të duket data 28 Nëntor 1912 në kohë, ne nuk jemi për asnjë moment larg saj sepse çdo shqiptar është element përbërës i pavarësisë së Shqipërisë. Vetëm ata që e vlerësojnë këtë përgjegjësi janë të vetëdijshëm për të gjitha sakrificat që e mundësuan atë dhe për të gjitha rreziqet që i kanosen asaj sot.