Nga Ilir Levonja/
Pas plot 6 muajsh krize post zgjedhore, Kosova ka tashmë Kryeministrin e ri. Ai quhet Isa Mustafa, kryetari i LDK. Kjo amulli erdhi e gjitha për pasojë e një jo aleance para zgjedhore, prej forcave politike atje, të bindura se kishin arritur kulmin me politikëbërjen e tyre. Po rezultoi e kundërta.
Disa pika që mund të prekim shkurtimisht nga kjo përvojë e re, janë dhe mbeten tek natyra e politikës . Si, 1) sa më shumë të shashë kundërshtarin, aq më shumë I ngjan atij 2) Në politikë mos thuaj kurrë, kurrë. 3) Politika është kryekëput bishtëdredhur, ose kurvë siç e quan populli. 4) Politikanët tanë janë kuklla pa atdhe. 5) Burra me mentalitet otoman që hiqen sikur e lakmojnë Europën etj.
Megjithatë, unë sot do ndalem tek një rit, të cilin e kam parashikuar në një nga shkrimet e mëparshme. Faktin që tek ne, në arenën e politikës shqiptare, humbësi bëhet fitues. Pra kush humb zgjedhjet paraardhëse, bëhet fitues në ato të mëpasmet. Kështu edhe pse humbi bashkinë e Tiranës, (2011) E.Rama u bë Kryeministër në zgjedhjet e përgjithshme (2013) pas një koalicioni me atë që e shau më shumë. Edhe Isa Mustafa, humbi zgjedhjet e kaluara për kryetar të Komunës së Prishtinës, (2013) u bë Kryeministër i Kosovës.
Ndaj sot dua t’i kujtoj Kryeministrit të ri, krahas urimit, edhe atë tjetrën se paska qënë pikërisht ai, humbësi që e ka mbajtur peng Kosovën këto 6 muaj.