Nga Shefqet Kërcelli/
Gjatë këtyre 25 viteve të bashkëpunimit intensiv midis Ushtrisë së SHBA dhe asaj shqiptare, krahas programeve të mirëfillta për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të vendit tonë, janë realizuar dhe mjaft projekte e ndihma për komunitetin civil anembanë Shqipërisë. Kështu Komanda e Korpusit Amerikan në Evropë nëpërmjet strukturave të saj, Komanda dhe ekuipazhe të anijeve të ndryshme që kanë vizituar Shqipërinë dhe portet e saj, kanë ndërtuar, rikonstruktuar dhe shpërndarë ndihma në spitale të ndryshme civile, vec spitalit ushtarak, në shkolla të niveleve të ndryshme, shtëpi të moshuarish, kopështe e qëndra fëmijësh me aftësi të kufizuara, nga Saranda në Shkodër, nga Vlora në Korcë, nga Elbasani në Lezhë, nga Tirana në Kukës, etj. Në këto projekte humanitare janë përfshirë dhjetra ushtarakë amerikanë së bashku me specialistët dhe vullnetarët e korpusit të Paqes në Shqipëri. Për konkretizimin e tyre është bashkëpunuar me organet e qeverisjes vendore, strukturat përkatëse të arësimit, shëndetsisë apo organizatave joqeveritare. Menaxhimi, drejtimi dhe shpërndarja e këtij aktiviteti të rëndësishëm në Shqipëri është bërë nga Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes,(ODS) dhe zyra e Atasheut ushtarak Amerikan në Ambasadën e SHBA në Tiranë. Rasti më i fundit dhe sinjifikativ i kësaj ndihme të cmuar për popullin tonë ishte rikonstruksioni i plotë i shkollës “28 nëntori” në Kucovë, e cila është ndërtuar në vitin 1964 dhe nuk ishte riparuar asnjëherë. Rinovimi i saj përfshiu të gjithë ambientet, klasat, laboratorët, bazën didaktike, paisjet e saj, duke e bërë atë një shkollë moderne tashmë. Projekti prej 575,000 dollarësh u financua nga programi për ndihma humanitare i Korpusit Amerikan në Evropë. Ndërsa realizimi i punimeve u bë nga Distrikti i inxhinjerëve, strukturë e këtij Korpusi. Në ceremoninë e rihapjes së Shkollës javën e kaluar, vec 600 fëmijëve të moshës 6 deri 15 vjec, që studjojnë cdo ditë në të, morën pjesë qytetarë të Kucovës, personeli mësimdhënës i shkollës, përfqasues të pushtetit lokal, medias, etj. Në fjalën përshëndetëse kryetari i Bashkisë Kucovë, zoti Bardhyl Gjyzeli dhe Drejtore e Shkollës, zonja Mjaftoni Dhimitri, falenderuan ushtarakët amerikanë dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë për këtë ndihmë të cmuar për fëmijët dhe qytetarët e Kucovës. Këta fëmijë që mbushin klasat sot, krahas mësimit do kenë kurdoherë në mendje dhe zemër ushtarakët amerikanë që ja rikthyen shkollën më të bukur se kurrë. Ndërsa atasheu ushtarak amerikan, zoti Ralph Shield, përshëndeti të pranishmit dhe në emër të ambasadorit Lu, i uroi suksese në realizimin e programit mësimor personelit mësues-nxënës të shkollës “28 nëntori”, Kucovë. Projekte të tilla që i vijnë në ndihmë komunitetit të cdo moshe ne do realizojmë dhe në të ardhmen, duke bashkëpunuar ngushtësisht me autoritetet vendore, theksoi N/kolonel Shield. Ndërkohë krahas urimit nga nxënësit që po vazhdojnë këtë vit mësimor, dhjetra ishnxënës të kësaj shkolle falenderuan përzëmërsisht ushtarakët amerikane dhe përfaqsuesit e ambasadës për riparimin kapital të shkollës së tyre, e cila i shërben direkt arësimimit të fëmijëve në qytetin e Kucovës.