
Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/
Duke marr shkas nga ajo që po ndodh në Hagë me luftëtaret e UÇK-së, po sjell disa fakte historike. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës, për çlirimin e saj nga pushtuesit serbë dhe për të siguruar jetën e popullit të saj në trojet e veta shekullore. Aksionet e para të UÇK-së të organizuara në pikëpamje ushtarake i kanë fillimet në fundin e vitit 1992 dhe fillimin e vitit 1993, duke marrë përsipër përgjegjësinë e aksioneve luftarake kundër instalimeve serbe në Kosovë. Njësitë e para të armatosura u shfaqen në 1990. Në maj të vitit 1993 UÇK-ja u pagëzua për herë të parë me emrin që e njohim edhe sot. Aksioni i parë ku u shfaq UÇK-ja ishte në nëntor 1994 në Gllogovc, aksion pas të cilit u shpërnda një komunikatë ku UÇK-ja merrte përsipër të gjitha goditjet kundër policisë e ushtrisë serbe të bëra deri në atë kohë. Menjëherë Beogradi nxitoi ti quaj “forcë terroriste” si dhe një “grupim separatistesh”. Pas daljes hapur në opinion të pjesëtarëve të UÇK-së më 28 Nëntor 1997 në fshatin Llaush të Skënderajt, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci, vrarë nga milicia serbe, ajo doli hapur me uniformen e saj, çfar tregon se nuk ishte një forcë terroriste, por një ushtri që lindi për t’i dalë zot Kosovës. Ajo kishte Misionin e saj kombëtar: Shporrja me luftë të armatosur dhe pa kompromis i të gjitha forcave ushtarako-policore serbe nga trojet e Kosovës, rikthimi i lirisë dhe i krenarisë së humbur të çdo qytetari dhe ndërtimi i një shteti demokratik e ligjor të standarteve Europiane në të ardhmen. Në mars 1998, vrasja e Komandantit legjendar Adem Jasharit shënoi pikën kulmore të rritjes së shpejtë e të menjëhershme të UÇK-së e cila tashmë nga njësitë e formacionet e vogla kaloi në formacione të mëdha luftarake. Duke qënë nën presion shumë të madh nga propoganda serbe e eila e quante atë, herë “organizatë terroriste”, herë “marksiste” dhe herë “fondamentaliste”, në maj të vitit 1998 u mor vendimi për krijimin e Drejtorisë Politike të UÇK-së, e cila do të ishte edhe busulla e kësaj ushtrie. Duke parë me vëmendje kronologjinë e ngjarjeve të mëvonëshme do të vëmë re se udhëheqja politike e UÇK-së kreu me sukses katër detyra mjaftë të rëndësishme, të cilat do t’i jepnin një shtytje jo vetëm opinionit brënda vendit, por do të sensibilizonin dhe faktorin ndërkombtar, si: Paraqitjen e misionit të saj si ushtri e rregullt. Bindjen e faktorit ndëkombëtar, se UÇK nuk ishte ashtu, siç e paraqisnin qarqet serbe. Sigurimin e mbështetjes së mundeshme nga Shqipëria duke shmangur përfshirjen e Shqipërisë në luftë. Sigurimin e mbështetjes Europiane, dhe NATO-s, me SHBA-në në krye.
Në qershor 1999 në Junik, Ricard Hollbruk u takua me përfaqësues të UÇK-së, ky ishte edhe një moment historik për vetë UÇK-në që shënon edhe njohjen e saj nga SHBA. Më tej pas takimit të 6 nëntorit të 1998 me Kristofer Hill (në atë kohë Ambasadori i SHBA në Maqedoni), Amerika dhe faktori ndëkombëtar e vlerësonin UÇK-në si një partner serioz në bisedimet për zgjidhjen e çështjes Kosovare. Veprimtaria rezultative në terren, veprimtaria diplomatike e politike, si dhe mbështetja e panderprerë e SHBA, sollën Rambujenë. Në këtë proces të vështirë e intensiv një rol të padiskutueshëm në njohjen e UÇK-së kanë luajtur SHBA me diplomatet e tyre. Aq i fuqishëm ka qënë roli i SHBA dhe në mënyrë të veçantë i zonjës Ollbrajt në këtë luftë saqë operacioni i NATO-s në Kosovë shpesh u quajt nga shtypi i kohës edhe “Operacioni Ollbrajt”.
Në të njëjtën linjë me strategjinë politike ka qënë edhe strategjia ushtarake e UÇK-së. Fillimisht ajo u shfaq si një luftë guerile deri në kalimin në luftë të përgjithëshme por pa vijë fronti. Në këto kushte UÇK-ja organizoi edhe operacione si ai “shigjeta”, beteja e Llapushnikut, apo ndonjë tjetër. “Shigjeta” është një operacion historik për vetë faktin se ai zhduku njëherë e mirë kufirin midis shqiptarëve. Në fjalët e Gjeneralit Amerikan Uesli Klark dallohet lehte se si po ecte UÇK-ja, kur ai theksonte: “në kohën kur përpjekjet diplomatike po lëviznin përpara, unë me komandantët po përcillnim se si javët e fundit Ushtria Çlirimtare e Kosovës ngadalë po ringjallej”. Presidenti Klinton ka shprehur hapur simpatinë dhe vlerësimin e tij për UÇK-në, kur thotë “Megjithëse Milosheviçi, ka dëbuar me qindra mijëra shqiptarë kosovare nga shtëpitë e tyre, ai nuk ka mundur të eleminojë UÇK-në. Madje radhët e saj po shtohen dita ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’u shpëtuar goditjeve”. Ja si e përkufizon Mira Milosheviç, një gazetare serbe që jeton në Spanjë rolin e UÇK-së: “ Gandi i Bailkanit” (kështu e quan ajo Rugovën) ka njëzet vjet që denoncon gjëndjen e shqiptarëve të Kosovës, porse këtij problemi ju kushtua vëmendje vetëm kur u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
Deri në mesin e viteve 1998, UÇK-ja kontrollonte gati 80% të territorit të Kosovës. Ne luftë e sipër ajo bashkoi vullnetarizmin popullor me përpjekje të suksesshme për përgatitjen dhe veprimet luftarake, jo vetëm në shkallë taktike e operative, por edhe në shkallë strategjike. Tashmë e parë në këndvështrimin strategjiko-politik, UÇK-ja ishte përcaktuar për “lufte të armatosur dhe pa asnjë kompromis në çlirimin e Kosovës”. Ajo vijoi të organizohej në shumë njësi të reja, brigada dhe zona operative, dhe, në të gjitha nivelet, u krijuan komandat eprore. Gjatë kësaj periudhe u afirmuan aftësitë komanduese të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe hap pas hapi u krijuan shërbimet e specializuara. Nga shumë studjues pranohet se gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër Millosheviçit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës jo vetëm që ishte aleate e NATO-s, por edhe realizoi misionin e saj si forcë tokësore e Aleancës. Në radhë të parë ajo ndihmoi NATO-n në sigurimin e të dhënave për objektivat që do të goditeshin si dhe të dhëna të tjera zbulimi mbi lëvizjet dhe dislokimin e forcave serbe.Bashkëpunimi i UÇK-së me NATO-n u vu re në mënyrë të veçantë me fillimin e mësymjes së UÇK-së në malin e Pashtrikut, ku NATO siguroi asistencën e saj nëpërmjet sulmeve ajrore kundër forcave serbe që vepronin në këtë rajon. Aviacioni i NATO-s ishte mbështetja ajrore e Brigadës që sulmoi në këtë rajon. Drejtuesit e lartë ushtarakë të NATO-s e quajtën të rëndësishëm këtë sulm dhe e mbështetën atë. Duke folur për këtë sulm, gjenerali Klark, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Europe, thotë se “unë e kuptova plotësisht se çfarë do të thoshte për ne sulmi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse ajo do të ishte e suksesshme, ajo do të tërhiqte disa batalione serbe në fushë të hapur, ku ne mund ti sulmonim”.
Paralajmërimin amerikan dhe komunitetin ndërkombëtar Millosheviçi, asnjëherë nuk i mori seriozisht, përkundrazi intensifikoi dhunën dhe represionin në Kosovë, duke çuar kështu në rritjen e revoltës së shqiptarëve, fillimin e konfliktit të armatosur dhe së fundi në ndërhyrjen e NATO-s me operacionin Forca Aleate. Më 22 mars, në përgjigje të paralajmërimit, Millosheviçi vazhdoi represionin duke i bërë një sfidë të hapur përpjekjeve diplomatike amerikane e ndërkombëtare. Brutaliteti i veprimeve të policisë, ushtrisë dhe forcave paramilitare është i paimagjinueshem. Operacionini “Patkoi”, të parapërgatitur që më parë për zbrasjen masive dhe të menjëhershme të Kosovës e tregon qartë këtë. Situata humanitare ishte dramatike. Kishte një shpërngulje masive të popullsisë nga Kosova për në Shqipëri e Maqedoni. Shumica e popullsisë, rrethë 1.6 milion shqiptarë, ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Qytete e fshatra të tëra zbrazen. Në fundin e muajt Mars të shpërngulurit drejt Shqipërisë arrijnë në rreth 1 miljon banorë. Gjatë dëbimit me forcë të tyre, bëhet ndarje e detyruar e meshkujve të moshës së ushtrisë, dhe ata ekzekutohen në vend, kjo në të paktën 20 qytete e fshatra. Më 30 Mars forcat serbe grumbullojne me forcë në kompleksin sportiv të Prishtinës 10.000 shqiptarë etnikë për t’i mbajtur në izolim, kurse mbi 20.000 banorë të tjerë vihen në marshim të detyruar nga fshati Çirëz drejt Skënderajt, ku izolohen në një fabrikë. Të dëbuarit me forcë për herë të parë tregojnë për ekzistencën e varreve masive në Drenicë, Malishevë e Pagarushë. Në Drenicë ishin zbuluar rreth 150 kufoma, kurse në Malishevë 34 të tillë. Në një fshat të Drenicës, forcat serbe kishin djegur të gjallë një familje. Po në brendësi të Kosovës, por të shpërngulur nga shtëpitë e tyre ndodhen rreth 700.000 veta. Mbi 3.200 shqiptarë u ekzekutuan. Këto dhe shumë të tjera janë dëshmi e gjallë e asaj çfar ka ndodhur në Kosovë.
Mbas këtij evolimi të situatës, Këshilli i Atlantikut Veriut (NAC) i dha Sekretarit të Përgjithshëm Solana autoritetin të urdhërojë një operacion të Aleancës me faza. Më 23 mars Hollbruku iku nga Beogradi pa marrë ndonjë konsesus nga Millosheviçi. Solana urdhëroi Gjeneralin Klark të fillonte operacionin “Forca Aleate” mbi ish- Jugosllavi. Fushata ajërore nuk kishte si objektiv as shkëputjen e Kosovës nga Serbia me forcë, as mbështetjen e UÇK-së dhe rrëzimin e Milosheviçit nga pushteti. Duke folur per nevojën e kryerjes së këtij operacioni dhe duke argumentuar se pse duhej që NATO të ndërhynte në Kosovë Lordi Robertson, në atë kohë Sekretari i Pergjithshëm i NATO-s thekson: “For ajo (Lufta në Kosovë kundër forcave serbe) gjithashtu ka implikime për vlerat tona. Në qoftë se do të lejonim këtë pastrim etnik të shkonte më tej, ne do të kishim një grryerje fatale të komunitetit modern euroatlantik të cilin ne po mundohemi ta ngremë, pikërisht tani që po hyjmë në shek.e XXI me të vërtetë ne duhet që kurrë më të mos lejojme rikthimin e Holokaustit.”
Sot të përpiqesh të barazosh xhelatin me viktimën është jo vetem e turpshme por edhe mizore. Prandaj kam bindjen se gjykata do i jap fund akuzave të turpshme të prokurorëve dhe do ketë liri për çlirimtaret.
New York Shkurt 2026