
Kosta Nake/
Duke lexuar “Pasardhësin” që është shkruar më pas dhe shikohet si pjesë biptiku, mund të presësh të shfaqet vila e ish-kryeministrit dhe nga shtyrja e flegrës te porta e ballkonit të vetëtinte Suzana, ndërsa diku jashtë të shihje Genci Daklin duke pritur i ndrojtur.
Genci mungon, kurse Suzana është paracaktuar të flijohet që në fund të pranverës, kur ishte e lidhur me një punonjës të televizionit, që ishte jo vetëm me biografi të mirë, por edhe i ftuar në tribunën qëndrore gjatë festimeve të 1 Majit. Artistikisht, sakrifikimi i Suzit jepet me mungesën e saj, ajo vetëm sa duket nga larg, nuk e hap gojën asnjëherë brenda hapësirës kohore në të cilën lëviz i dashuri i saj. As vila me arkitektin e saj nuk janë objekt i kësaj vepre. Është një roman tjetërlloj, me tipare të dramave klasiciste: fillon dhe mbaron për gjysmë dite me një segment të kufizuar nga shtëpia e punonjësit te tribuna te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Një monolog i gjatë me retrospektiva të shumta.
Mjaft vend zë R.Z., prototipi i njeriut karrierist. “… që të bësh karrierë, përveç zellit e shërbimeve të ndryshme, duhet të kesh një të dhënë të veçantë… shpirtkazmëria, pabesia e lindur, servilizmi… sigurinë se ai do të shkelte mbi gjithçka, po t’i kërkohej.”
Kadare rimerr përrallën e Qerosit që e përmendi te “Ftesë në studio” dhe “Shkaba” për të treguar se ç’kosto e lartë duhej paguar për t’u ringritur nga humnera e përjashtimeve, dënimeve, dëbimeve. Është provokimi i R.Z. kundër një dramaturgu, është komenti i tij që çon në arrestimin e një kineasti.
Debati xhaxha – dajë është një pasqyrë e shëmtuar e asaj dasie që arriti të injektojë diktatura edhe brenda familjes, për të vazhduar me ndarjen e dhimbshme burrë – grua. Këtu është krijuar momenti për të përqeshur parrullën e Udhëheqësit: “Ne do t’i mbrojmë parimet e m-l, edhe sikur të detyrohemi të hamë bar.”
I ftuar në tribunë është edhe piktori Th. D. me zymtinë e pandryshueshme në fytyrë, me mëdyshjen “ai e dinte që nuk mund t’i bënin asgjë… atëherë pse nuk e shfrytëzonte këtë?” Ky është vetë Kadare që ka ndërruar pardesynë. Ai e ka dhënë dhe e përsërit edhe këtu përgjigjen e mosveprimit të hapur e të drejtpërdrejtë – ndjehej i rrezikuar, fshehtas, prapa krahëve nga një aksident automobilistik ose nga një darkë helmi.
Që në fillim rrëfyesi vendos analogji mes flijimit të vajzës së Agamemnonit dhe vajzës së ish-kryeministrit, por këtë herë do të nxjerrë nga thellësitë e antikitetit edhe Kalkantin me një variant kadarejan “Kalkanti mund të mos kishte dhënë asnjë këshillë”, sepse kjo i duhet për të shpjeguar atë letrën nga Lushnja që e kishte parë me fustan të gjatë spikeren e festivalit të këngës, fustan për të cilin drejtori i Radiotelevizionit u përjashtua nga Komiteti Qendror, u bë drejtor komunaleje në një qytet të vogël, u bë punëtor i thjeshtë, u prangos, u vërvit për vdekje në galeritë e minierës. Dhe ja ku vjen dyshimi kadarejan: “vërtet ishte nisur ajo letër atëherë nga Lushja?” Sepse fustanit të gjatë iu shtua një grusht minerali, se këtyre të dyjave iu shtua një hartë e lëvizjes së tankeve që do rrethonin komitetin e partisë për të krijuar një klimë komplotesh dhe për të ngritur valë terrori.
Pas “Legjendës së legjendave” Kadare rifton në valle Stalinin dhe sakrifikimin e të birit, për të dhënë përgjigjen dërrmuese për tiranët “Qe flijuar Jakovi, jo për të patur fatin e çdo ushtari rus,… por për t’i dhënë të drejtën diktatorit të kërkonte vdekjen e kujtdo.”
Tre kapitujt e fundit të romanit janë një pamflet politik kundër diktaturës dhe diktatorit që vunë në lëvizje “një makinë të egër urrejtjeje” me anën e ligësisë, karrierizmit, larjes së llogarive, “me befasinë e goditjes, mosparashikimin e drejtimit nga do vinte goditja, me zgjedhjen e verbër të viktimës” që e çuan popullit te “ndjenja e fatalizmit dhe humbjes së drejtpeshimit mendor.”