
Eduart Caka/
Periudha e sundimit osman përfshin një hark kohor me rëndësi në historinë e shqiptarëve. Ndonëse ajo është e mirëdokumentuar, botimet e saj profesionale kanë qenë relativisht të pakta, ku veçojmë disa vëllime dokumentare të përgatitura prej studiuesve të fushës si dhe një numër të kufizuar monografish e përmbledhje studimesh. Arsyet e kësaj gjendjeje janë të shumta. Ato lidhen sa me mënyrën e funksionimit të kërkimit shkencor para viteve 90, po aq edhe me mungesën e studiuesve të fushës dhe të një strategjie të qartë kërkimore mbi studimet e kësaj periudhe. Në këtë drejtim nuk duhet lënë pa përmendur edhe vëmendja e paktë që vetë shteti shqiptar i ka kushtuar kërkimit shkencor në fushat albanologjike.
Ky konstatim del në pah qartësisht nëse do të bëjmë një krahasim të studimeve osmane në Shqipëri me ato të vendeve fqinjë. Kështu në vitet 60 të shekullit të kaluar, në vende të ndryshme të Ballkanit, siç janë Rumania, Bullgaria, Serbia e Bosnja, u përkthyen regjistrat kadastrorë osmanë të shek. XV, të cilat janë edhe burimet kryesore osmane për periudhën e hershme të historisë së kësaj perandorie. Ndërkohë që në vende të ndryshme të Ballkanit këto burime u botuan duke formuar bazën mbi të cilën do të përvijoheshin më tej studimet e karakterit ekonomik, shoqëror, demografik e politik, në Shqipëri nuk ndodhi kështu. Këto regjistra do të qëndronin gjatë në arkiva për ta parë dritën e botimit vetëm në vitet e fundit, çka në mendimin tonë ka ndikuar edhe në mbarëvajtjen e studimeve osmane.
Një fushë tjetër me të cilën u morën historianët ballkanas të periudhës osmane gjatë shekullit të kaluar, ishte edhe studimi i vakëfeve, institucione të cilat patën një rol thelbësor në zgjerimin e osmanëve si dhe në trasformimin shoqëror të perandorisë. Ndërkohë që për historiografinë shqiptare, përveç dy artikujve të Petraq Pepos, kjo ka qenë një temë e patrajtuar.
Pikërisht këtu e merr shtysën edhe ky studim, i cili tenton të krijojë një panoramë të shtrirjes së vakëfeve në Shqipëri gjatë periudhës së sundimit osman, rolin e luajtur prej tyre në vendosjen e osmanëve në këtë gjeografi si dhe impaktin që këto institucione patën në transformimet politike, ekonomike, shoqërore e kulturore që pësoi kjo hapësirë gjatë shekujve osmanë. Parë nga ky këndvështrim, ky studim përpiqet të realizojë një histori sociale të shqiptarëve për një periudhë tre shekullore, duke u përpjekur të mbushë një zbrazëti në studimet e deritanishme të kryera në Shqipëri mbi këtë periudhë dhe me këtë tematikë.
Në aspektin strukturor libri është ndarë në tri pjesë, të cilat kanë në përbërjen e tyre tetë kapituj. Në pjesën e parë, e cila konsiston në trajtimin teorik të temës, është analizuar institucioni i vakëfit, elementët kryesorë përbërës të tij si dhe aspekte që kanë të bëjnë me anët juridike e historike të fondacioneve të bamirësisë duke dhënë informacione rreth literaturës dhe terminologjisë mbi këtë fushë. Pjesa e dytë e librit ndalet në praninë e institucioneve të vakëfeve në Shqipëri duke u përpjekur të evidentojë ato më të hershmet të themeluara aty, si dhe jep një panoramë të zhvillimit të këtyre institucioneve përgjatë shekujve.
Vend i veçantë i është kushtuar atyre që cilësohen si vakëfe të mëdha, institucione bamirësie që u ngritën prej vezirëve a pashallarëve në qytete e fshatra të ndryshme të Shqipërisë përmes ndërtimit të objekteve arkitekturore, të cilat i vinin në ndihmë komunitetit. Në pjesën e tretë, e cila përbën edhe thelbin e studimit tonë, jemi përpjekur të paraqesim impaktin social që vakëfet patën në hapësirën shqiptare si dhe rolin e këtyre institucioneve në komponentë të ndryshëm të jetës urbane e shoqërore ku spikasin arkitektura, arsimi, kultura e shëndetësia.
Pasqyra e lëndës dhe parathënia e plotë në link ![]()