
Intervistoi: Sokol Paja/
1.Çfarë do të thotë për Valon Nikçin që të jetë pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë?
Është një nder dhe përgjegjësi e madhe të jem pjesë e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë të Kongresistit George Latimer. E prita me mirënjohje dhe motivim. Ndihem i privilegjuar që mund të kontribuoj me përvojën time në biznes dhe të sjell zërin e komunitetit tonë në një tryezë kaq të rëndësishme.
2.Ku do përqëndrohen politikat ekonomike që forcojnë ekonominë lokale e që mbështesin bizneset e vogla?
Fokus do të jenë politikat që forcojnë ekonominë lokale, mbështesin bizneset e vogla, krijojnë mundësi pune dhe lidhin punëdhënësit me fuqinë punëtore. Dua që zgjidhjet të jenë praktike dhe të funksionojnë realisht për familjet dhe sipërmarrësit.
3.Cila është forca dhe pesha e komunitetit shqiptar në Westchester? A janë shqiptarët të integruar në institucione vendore?
Komuniteti shqiptar në Westchester është një forcë e madhe me mbi 30,000 shqiptarë. Jemi të integruar dhe kontribuojmë në çdo fushë: arsim, shëndetësi, biznes, ligj, art dhe institucione lokale. Ka mundësi dhe mënyra të integrohemi edhe më shumë në institucione vendore. Jemi një komunitet model në Westchester por edhe në SHBA.
4.Cilat janë nismat kryesore të kryesuara prej jush në dobi të komunitetit shqiptar në Westchester?
Kam bashkëdrejtuar disa projekte të rëndësishme: themelimin e Albanian American Club of Westchester, bashke themelimin e shkolles shqipe si pjese e AACW si dhe angazhimin me kongresistë të ndryshëm që kan të bëjnë me komunitetin tonë këtu por edhe atdheun.
5.Cilat janë projektet për të ardhmen e “Klubit Shqiptar të Westchester”
Disa nder projektet e Albanian American Club of Westchester jane: regjistrimi i shqiptarëve që të votojnë, sepse vota jonë është zëri ynë dhe fuqia jonë. Futja e librave ne gjuhën shqipe në libraritë e Westchester County. Pastaj projekti për të moshuarit, dhe të tjera projekte që prekin dhe ndihmojnë të gjitha shtresat e komunitetit shqiptarë në Westchester. Më shumë evente kulturore, projekte për të moshuarit dhe synimi afatgjatë për një qendër komunitare shqiptare në Westchester.
6.Kush është Valon Nikçi?
Jam një shqiptar nga Kosova që erdha në ShBA si refugjat lufte në vitin 1999. Sot jam sipërmarrës dhe themelues i Link NY Realty. Përveç biznesit, jam i përkushtuar ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan përmes Albanian American Club of Westchester dhe angazhimeve të ndryshme ne jeten amerikane si pjese e bordeve te ndryshme qoftë përmes odave ekonomike, Rotary Club ehe organizatave tjera amerikane. Besoj se suksesi ka vlerë vetëm kur ndahet me komunitetin.