






Intervistoi: Sokol Paja/
1. Si lindi ideja për skulpturën e Skënderbeut në Ulqin? Çfarë përmban? Kompozimi, përmasat, mesazhi?
Ideja për realizimin e skulpturës së Skënderbeut mbi kalë për konkursin e Ulqinit lindi si kërkesë e Fondacionit “Dom Simon Filipaj” në New York dhe e shoqatës “Gjon Buzuku” në Ulqin, të cilat kishin shpallur një konkurs ndërkombëtar për këtë monument. Punimi final erdhi si një përmbledhje e punës sime shtatëvjeçare. Këtë vit puna ime u vlerësua me vendin e dytë në konkursin e shpallur nga Komuna e Ulqinit.
Edhe pse kam studiuar një literaturë të konsiderueshme mbi Skënderbeun, mbetem kritik ndaj vetes, pasi kërkoj gjithnjë më të mirën. Në këtë punim, megjithatë, nuk kam asgjë për t’i shtuar apo hequr. Bocetet janë realizuar në përmasa të ndryshme. Skulptura është një nga realizimet e mia më të përkryera, pasi është rezultat i disa punimeve të ndërthurura ndër vite mbi figurën e Skënderbeut.
Nuk më është kursyer koha dhe përkushtimi për t’i dhënë publikut një vepër të arrirë në çdo këndvështrim. Heroizmi i Skënderbeut paraqitet teksa ai mban shpatën në prehër, duke u kthyer si fitimtar nga beteja. Një arritje e vërtetë artistike dhe krenari personale do të ishte realizimi i kësaj vepre në terren, sipas përmasave të parashikuara nga Komuna e Ulqinit.
Skënderbeu mbetet përjetësisht kalorës, jo vetëm si heroi ynë kombëtar, por edhe si simbol i lirisë europiane, mbrojtës i krishterimit dhe i identitetit shqiptar. Ai është frymëzim i pashtershëm. Skënderbeu, i ulur me natyrshmëri mbi kalë në drejtim të fitores, është udhërrëfyes i fitoreve tona historike. Në figurën e tij gërshetohen historia, identiteti, krenaria dhe dinjiteti ynë kombëtar.
2. Si i vlerësoni skulpturat shqiptare të ditëve të sotme? Sidomos figurat kombëtare të trajtuara në mënyrë moderne, shpesh të komentuara e debatuara nga publiku?
Skulptura vitet e fundit është shoqëruar me debate të shumta. Ne skulptorët mbështetemi te puna dhe përvoja e njëri-tjetrit. Qëllimi i skulpturës është të ruajë mesazhe të forta të identitetit kulturor dhe trashëgimisë kombëtare. Skulptorët mbajnë përgjegjësinë e cilësisë së veprës që krijojnë dhe të mesazhit që ajo përcjell.
Sot vërehet një prirje drejt modernes dhe përfitimit financiar, më shumë sesa drejt vlerës historike të veprës. Figurave kombëtare që shpesh u jepet një trajtim modern, postmodern apo abstrakt, në shumë raste publiku i ka refuzuar, komentuar dhe debatuar ashpër. Këto debate, megjithëse të nevojshme për zhvillimin e artit, nuk duhet të tejkalojnë disa vija të kuqe.
Arritja artistike duhet të jetë në harmoni me idenë dhe subjektin. Në figurat e rëndësishme kombëtare si Nënë Tereza apo Skënderbeu, interpretimet tepër moderne shtrembërojnë perceptimin publik për këto figura të shenjta të historisë sonë. Temat e tilla delikate nuk durojnë deformime, as historike dhe as artistike — sidomos kur flasim për elemente të identitetit kombëtar, si shqiponja, përkrenarja e Skënderbeut, etj.
Arti i dobët është i rrezikshëm për kulturën kombëtare.
3. Sa i vlerëson shteti, institucionet kulturore dhe shoqatat e mërgatës artistët? A dimë t’i vlerësojmë ata?
Shtetit, fatkeqësisht, nuk i intereson komuniteti i artistëve përveçse për vota. Artistët janë pasuri e komunitetit. Ata janë frymëzues dhe projektues të zhvillimit kulturor dhe shoqëror të një shteti. Pengesa e parë për artistët shpesh është vetë shteti, i cili nuk merr parasysh vlerat artistike dhe talentin njerëzor, por i jep prioritet kalkulimeve politike.
Në mërgatë kjo mungesë mbështetjeje ndihet edhe më shumë. Artistët e diasporës jo vetëm që rrallë ftohen, por as nuk trajtohen si të barabartë. Shteti, shoqëria dhe institucionet duhet të dëgjojnë zërin intelektual, zërin e kultivuar dhe atë me vlera artistike e morale.
Vetëm artistët e vërtetë mund të na dhurojnë një trashëgimi artistike, historike, kulturore, edukative e patriotike. Promovimi i një skulpture të dobët jo vetëm shkatërron shijet estetike të publikut, por dëmton rëndë trashëgiminë tonë kulturore dhe pengon edukimin artistik të shoqërisë.
4. Cilat janë punët tuaja më të rëndësishme në skulpturë dhe çfarë mesazhi përcjellin ato?
Jam i lumtur që në repertorin tim krijues kam lënë një trashëgimi me dimensione patriotike, historike, fetare dhe atdhetare. Disa prej punëve më të rëndësishme janë:
Gjeto Coku dhe Dedë Coku në Lezhë – patriotë të shquar të kombit tonë.
Dr. Martin Luther King Jr. – një skulpturë e veçantë me hark, në nderim të ideve dhe idealeve të tij.
Nënë Tereza – vepra të vendosura në Tuz, New York, Kosovë dhe Detroit.
Monumenti i Tom Lleshit Rrukaj – humanist dhe veprimtar, i vendosur në Tamarë.
Projekti për Norën e Kelmendit – një trimëreshë dhe figurë madhore e historisë së veriut, tashmë i miratuar nga komuniteti dhe Bashkia e Malësisë së Madhe për vendosje në Tamarë.
Veprat e mia transmetojnë vlerat kombëtare, historike dhe kulturore të trashëgimisë sonë. Ruajtja dhe promovimi i identitetit historik shqiptar është shtysa shpirtërore dhe detyra e shenjtë e punës sime në skulpturë.
5. A duhet të bëjnë më shumë organizatat patriotike shqiptare në Amerikë për mbështetjen e artit dhe kulturës?
Në shtëpinë time kam krijuar një muze të vogël historik, të cilin ia kam ofruar komunitetit shqiptar si dhuratë, që të jetë i aksesueshëm për çdo vizitor të huaj apo shqiptar. Megjithatë, komuniteti ende nuk ka treguar interes për ndërtimin e një muzeu historie.
Duhet të kërkohet më shumë mbështetje nga organizatat patriotike shqiptare në SHBA dhe nga shoqatat e ndryshme, sepse emancipimi dhe zhvillimi vijnë vetëm përmes artit dhe kulturës. Një Muze i Arteve Pamore do të bashkonte jo vetëm artistët, por edhe komunitetin. Është nevojë dhe domosdoshmëri.
Mbështetja ndaj artit është një investim patriotik për brezat. Një muze i tillë do të transmetonte ndër shekuj talentin e artistëve shqiptarë dhe vlerat e historisë sonë kombëtare.