Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, permes gazetes Dielli online, u ka bërë thirje të gjithë vatranëve të marrin pjesë në protestën e dibranëve që mbahet nesër para Kombeve të Bashkuara në New York/
NEW YORK : Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, permes gazetes Dielli online, u ka bërë thirje të gjithë vatranëve të marrin pjesë në protestën e dibranëve që mbahet nesër para Kombeve të Bashkuara në New York. Në mesazhin e Vatrës thuhet se Shoqata Atdhetare Dibra lajmëron komunitetin shqiptar se këtë të premte më 20 dhjetor 2013, në orën 12 të ditës, do të organizohet një tubim proteste në sheshin e njohur Dag Hamarskjold Plaza para ndërtesës së OKB-së, kundra vendimit të Qeverisë Maqedonase për të ndrruar rrjedhjën e lumit historik të Radikës me ndërtimin e nji hidrocentrali. Uji i Radikës do të derdhej në Vardar drejt detit Egje, në vend të rrjedhjes natyrore drejt perëndimit sipas vendimit të Qeverisë së Nikolla Gruevskit..
Në thirrje thuhet se ky veprim do të shkaktonte dëmtime të mëdha ekonomike dhe ekologjike e tjera, për popullatën e Dibrës së Madhe.
Me këtë rast Shoqata Atdhetare Dibra i është drejtuar Federatës Patriotike Vatra, shoqatës më të vjetër në komunitet, Vatrës që luajti rolin e shtetit në vitet e pavarësisë së Shqipërisë, dhe asaj që dha një kontribut të paçmuar në çështjen kombëtare në Amerikë, që të thërrasë anëtarët e vet për t’a mbështetë sa më shumë këtë proteste me pjesemarrjen e tyre, për ta bërë sa më masive.
Në thirrjen e Vatrës, theksohet se protesta është shumë e nevojshme, prandaj jeni të thirrun për pjesëmarrje sa ma të gjanë në këtë tubim me vlerë e domethanje kombëtare thotë Kryetari i Vatres dr. Gjon Bucaj.
Thirrjes për protestë nesër në sheshin e njohur Dag Hamarskjold Plaza para ndërtesës së OKB-së, i janë përgjigjur për pjesmarrje edhe Shoqata Palvë e Gusi, Shoqata Ana e Malit, Partia Lëvizja e Legalitetit, Balli Kombëtar, organizata Rrënjët Shqiptare, Komuniteti i Artistëve Shqiptaro Amerikan, Këshilli Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, Fondi i Përbashkët i Patersonit, Këshilli Shqiptaro Amerikan, shoqata Shoqëria Shqiptaro Amerikane, e të tjera./korrespondenti/