

Kryesia e Vatrës Chicago dhe shumë anëtarë të Vatrës sonë morën pjesë në promovimin e librit “Flower of Vlora” të autores Dr.Anna Kohen që u organizua nga Albanian- American National Organization në ambientet e Kishës Ortodokse Shqiptare. Ky libër që ka ngjallur shumë interes është një autobiografi e Dr. Kohen që lindi dhe u rrit në një komunitet hebre në Vlorë. Ajo dhe familja e saj përjetuan së bashku me shqiptarët vështirësitë e komunizmit dhe nëpërmjet librit të saj na udhëton në atë periudhë të errët të historisë sonë, por këtë radhë e sjellë nga këndvështrim i i një të huaje. Dr. Kohen ka sjellë me aq vërtetësi dhe dashamirësinë që ka ndjerë nga familjet shqiptare gjatë periudhës së luftës së dytë botërore ku familjes së saj u vendosën emra myslimanë për të mos i dorëzuar tek nazistët.”Të gjithë e dinin që ishim hebrenj, por askush nuk tregoi” tha ajo. Janë pikërisht këto vepra të thjeshta në dukje që bashkojnë njerzimin. Dr. Anna Kohen nuk e harroi kurrë Vlorën e saj edhe pse u largua në vitin 1966 në fillim për në Greqi dhe me vonë në New York. Midis të pranishmëve fjalën e mori dhe kryetarja e Vatrës Chicago Zj. Mirela Kanini e cila pasi i uroi mirëseardhjen e përgëzoi Dr. Kohen për librin e saj dhe midis të tjerave tha :
“ Ju e dashur Dr. Kohen jo vetëm keni sjellë për çdo lexues një libër kaq të fuqishëm dhe inspirues por ju keni shkruar historinë nëpërmjet historisë suaj. Ju keni vulosur gjëra të vërteta dhe fakte që duhet ti mësojnë të gjithë, pse jo të studiohet ky libër edhe nëpër shkolla. Ju keni shkruar për tmerret e Holokaustit që nuk mund të krahasohet sigurisht me komunizmin për nga përmasat. Holokausti është sot turpi i botës së civilizuar që e lejoi atë të ndodhte, por komunizmi nga ana tjetër ishte Holokausti jonë dhe ju i keni përcjellë aq mjeshtrisht këto tragjedi njerzore në librin tuaj. Duke lexuar këtë libër ne ndjejmë gjithashtu dashurinë tuaj për popullin tonë por më lejoni t’ju them se ne ju duam ju edhe me shumë dhe ky libër ju bën ju më shqiptare se shqiptarët( Dr. Anna buzëqesh). Ne të konsiderojmë dhe të çmojmë vërtet si një lule e Vlorës që jeni”. Më pas mbrëmja vazhdoi me biseda të ngrohta midis të pranishmëve dhe Dr. Anna Kohen. Ju sugjerojmë ta keni në duart tuaja këtë libër të jashtëzakonshëm i botuar në shqip, anglisht dhe së shpejti në greqisht…