
Mirela Kanini*/
Përshëndetje miq, patriotë dhe bashkëatdhetarë.
I nderuar Kryetar i Vatrës z.Elmi Berisha, të nderuar kryesi e Vatrës e vatranë.
Më lejoni së pari t’ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në inagurimin e krijimit të Federatës Vatra për herë të parë në Chicago. Mirënjohje të gjithëve që na nderoni sot. Është nder dhe privilegj të jemi anëtarë të organizatës më të vjetër shqiptare. Është shans historik për ne si bashkekombas në Chicago të lëmë gjurmë në historinë tonë kombëtare duke dhënë kontributin tonë për historinë, kulturën, gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vatra për më shumë se një shekull është pjesë e komunitetit mbarë shqiptar në shumë shtete të Amerikës. Vatra ka shënuar historinë tonë kombëtare. E themeluar nga patriotët e shquar Faik Konica dhe Fan Noli të cilët kanë ndikuar parreshtur në çështjet shqiptare. Është nder dhe privilegj për të gjithë ne që të jemi anëtarë të Vatrës si një nga organizatat patriotike më dinjitoze e prestigjioze e shqiptareve të Amerikës. Qëllimi kryesor i kësaj Federate dhe çfarë duam ne të arrijmë ështe bashkimi i komunitetit tonë dhe forcimi i identitetit shqiptar e vlerave tona kombëtare. Lexoj në sytë tuaj suksesin dhe forcën për të çuar përpara amanetin shekullor të Vatrës sonë historike.
Vërtet Amerika është vendi që na priti krahëhapur duke na dhënë oportunitetin të ndërtojmë këtu jetët tona, por ne nuk mund ta harrojmë kurrë origjinën dhe prejardhjen tonë shqiptare. Atdheu ka gjithmonë nevojë për ne. Do ti referohesha sot pikërisht një shprehje të Fan Nolit “ mbahu nëno mos kij frikë se Ke djemtë në Amerikë”. Por jo vetëm djemtë, sot ka dhe vajzat. Si bashkatdhetarë kemi nevojë të jemi të bashkuar dhe përkrahim njëri tjetrin. Chicago ka një komunitet të gjërë dhe të mrekullueshëm që do të shkëlqejë edhe më shumë në vazhdim. Ajo çfarë do të jetë ndryshe në të ardhmen nën drejtimin e Vatrës është organizimi i aktiviteteve të shumëllojshme duke perfshirë të gjitha grup moshat. Do të organizohen aktivitete sportive, kulturore – artistike, promovime librash, parada kombëtare e botime meqënëse ne kemi fatin e mirë të kemi plot shkrimtarë e poetë të mirënjohur shqiptarë në Chicago. Do të zhvillohen takime, biseda dhe sigurisht festime nga më të ndryshmet. Sa më e gjërë pjesemarrja aq më e sukseshme dhe funksionale do të jetë kjo Federatë. Gjithashtu ne do të perfshijme në këtë Federatë shqiptarë nga të gjitha trevat, Shqiperi, Maqedoni, Kosovë dhe Mali i Zi. I Uroj Vatrës sonë në Chicago punë të mbarë dhe ju të gjithëve gjithashtu. Faleminderit shumë për gadishmërinë tuaj dhe patriotizmin që ju karakterizon. Mbështetja juaj është frymëzim dhe energji për secilin nga ne.
Në këtë ditë të rëndësishme për Vatrën Chicago dua ti shpreh mirënjohje Editorit të Diellit z.Sokol Paja me të cilin kemi punuar për gati 2 vite që të vijmë te kjo ditë për të cilën jemi bashkuar sot.
Le të përdorim zërin tonë, forcën tonë për të qënë ndryshimi që duam të jemi në botë.
Zoti i bekofte të gjithë shqiptarët kudo që janë. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
*Kryetare e Vatrës në Chicago.