![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476621597_1044889564346232_3536670280387321357_n.jpg)
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra përgëzon qytetarët e Republikës së Kosovës, forcat politike dhe institucionet shtetërore për organizimin dhe zhvillimin me sukses të Zgjedhjeve Parlamentare të 9 Shkurtit 2025. Vatra përgëzon në mënyrë të veçantë qytetarinë, maturinë dhe lidershipin e kandidatëve për Kryeministër të Republikës Kurti, Hamza, Abdixhiku e Haradinaj në administrimin dhe pranimin e rezultatit zgjedhor. Kosova organizoi zgjedhje model. Kosova dha një tjetër leksion demokracie për mbarë Ballkanin.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra u bën thirrje forcave politike në Kosovë që të krijojnë sa më shpejt qeverinë e interesit qytetar dhe kombëtar në mënyrë që të vazhdohet me ritme të shpejta në procesin e integrimit evropian, reformave demokratike, aleancës me Perëndimin dhe bashkëpunimin e miqësinë e përjetshme me aleatin më të rëndësishëm të kombit shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rroftë Kosova demokratike dhe euroatlantike.
Me gëzim të veçantë
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha