New York, 13 Dhjetor 2022- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ndjek me shqetësim në rritje situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe dënon shovinizmin serbo-rus.
Federata VATRA dhe shqiptaro-amerikanët mbështesin fuqishëm shtetin e Kosovës, Institucionet demokratike dhe ligjzbatuese, integritetin territorial, sovranitetin e paprekshëm, rendin, sigurinë publike dhe të mirën e qytetarëve të Kosovës.
Serbia e ka humbur përgjithmonë luftën me Kosovën.
Federata Vatra dënon ashpër çdo shfaqje dhune, tensioni, bllokimi dhe provokimi me regji në Beograd e Moskë. Asnjë strukturë paralele kriminale që vepron me regji të Moskës e Beogradit nuk do tolerohet në veri të Kosovës.
Federata Vatra mbështet me çdo kusht e çdo mjet sundimin e ligjit, sigurinë, kushtetushmërinë, paqen dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve në Kosovë.
Federata Vatra inkurajon dhe fton aletatët ndërkombëtarë të kombit shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Perëndimin që të dënojnë dhe ndalojnë këtë shovinizëm që minon në rajon sigurinë, stabilitetin dhe ligjshmërinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës e më gjërë.
VATRA apelon për qetësi, dialog, bashkëpunim e bashkëbisedime mes Kosovës e Serbisë deri në njohjen përfundimtare.
Me shqetësim dhe pranë Kosovës
Kryetari i VATRËS
Elmi BERISHA