
Prof. Dr. Vullnet Ameti/
Të nderuar veprimtarë të VATRËS, vëllezër dhe motra që e keni mbajtur gjallë çdo proces historik tonin me frymën tuaj atdhetare,
Është gati sfiduese të gjesh fjalët e duhura për të transmetuar atë se çfarë ndjej, çdo fjalë duket e varfër karshi punës dhe kontributit të tuaj ndër vite. Ju keni hise historike për arritjet e rëndësishme të vendit tonë, nga organizimi, dija, avokimi e lufta për çlirim, tek ekonomia, mirëqenia, demokracia e zhvillimi në paqe.
Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të shënuar një datë. Jemi mbledhur për të dëshmuar fitore të historisë të cilat do të ishin të pamundura pa mbështetjen e VATRËS.
18 vjet më parë, më 17 Shkurt 2008, Kosova u shpall e pavarur. Por ajo ditë nuk ishte vetëm akt politik. Ishte kulmi i një rrugëtimi të gjatë sakrificash, dhimbjesh, qëndrese dhe besimi. Ishte dita kur një popull i vogël, por me shpirt të madh, i tha botës se FREEDOM IS NOT FREE, Liria nuk është e lirë.
Rrjedha jonë kombëtare ka pasur shumë dhembje, por pak triumfe. Pavarësia e Kosovës është një nga ato momente “sui generis” – e papërsëritshme, atipike, e lindur nga sakrifica dhe e vulosur nga drejtësia historike.
Në dimrat e viteve 1994 dhe 2008, shqiptarët rendën masivisht pas idealit: njëherë për Dije kërkesa për një Universitet shqiptar dhe më pas për liri dhe çlirim.
Në vitin 1994 lindi Universiteti i Tetovës – i ndaluar për ata që donin ta mohonin, por legjitim për ata që kërkonin të drejtën natyrore atë për të mësuar në gjuhën e tyre amtare.
Universiteti i Tetovës në mikro-histori ishte paralajmërimi i Kosovës në makro-histori.
I pari ishte rezistencë për Dije. E dyta ishte rezistencë për Liri.
Dhe të dyja u kurorëzuan në të njëjtën datë – 17 Shkurt. Një datë që bashkon Dritën dhe Lirinë.
Në këtë rrugëtim, historia na dhuroi dy ikona me aureolë përjetësie: Prof. Dr. Fadil Sulejmani – prijës i luftës për dije dhe Adem Jashari – prijës i luftës për liri.
Ata takohen simbolikisht në çdo 17 Shkurt. E ky 17 Shkurt më gjeti mua mu aty ku lindën të dyja në VATRËN TONË sepse pa Ju të gjitha këto arritje do të ishin të mangta, pa bosht moral, pa mbështetje ndërkombëtare sepse as lufta për liri dhe as lufta për dije nuk do të kishin arritur pa mbështetjen e paepur tuajën.
Në analet e historisë sonë VATRA do ngelet pik referimi e saherë humbasim rrugën tonë sytë janë kah ju si komardare shpëtimi nga të gjitha agjenturat që me shekuj kanë punuar për ta njollosur indin tonë kombëtar, ju keni qenë digë e fortë dhe mbrojtëse e kauzës dhe orientimit strategjik.
Para pak ditësh isha në Boston. Dëgjova liturgjinë në gjuhën shqipe në kishën e Nolit. Ishte një moment thellësisht prekës. Aty ku fjala e Zotit u shqiptua në shqip për herë të parë në Amerikë, kuptova se identiteti ynë ka mbijetuar sepse është ushqyer me ideal, me kulturë dhe me vizion nga Ju. Pa Fan Noli, pa Faik Konica, pa diasporën që e mbajti gjallë çështjen shqiptare në zemër të Amerikës, rrugëtimi ynë do të ishte më i vështirë thuajse i pamundur.
Por që ta kuptojmë thellësinë e triumfeve tona historike duhet të kthehemi këtu — në këtë vatër ku u konceptua ideja e Shqipërisë moderne. Këtu ku dy figura madhore, Fan Noli dhe Faik Konica, e ngritën kombin nga një nocion etnik në një projekt civilizues.
Sepse Noli nuk ishte vetëm klerik, ishte metafizika e kombit shqiptar. Ai e kuptoi se liria politike është e pamundur pa emancipim shpirtëror. Duke përkthyer Ungjillin në shqip, ai bëri më shumë se një akt fetar — ai i dha kombit tonë të drejtën për të komunikuar me Zotin në gjuhën e vet. Ai e shndërroi gjuhën në sakrament dhe kombin në ndërgjegje.
Konica, me penën e tij të pamëshirshme, e zhveshi shqiptarin nga iluzionet dhe e vuri përballë pasqyrës së qytetërimit. Ai e dinte se një komb që nuk mendon, mbetet turmë; dhe një turmë që nuk kultivohet, mbetet pre e historisë.
Këtu, në Amerikë, ata themeluan Vatra. Jo si strehë emigrantësh, por si laborator të mendimit kombëtar. Këtu u farkëtua ideja se shqiptaria është më shumë se gjak — është ideal dhe idealet nuk vdesin.
Kosova është biri i atij ideali.
Ajo është dëshmi se mendimi paraprin realitetin. Se fjala paraprin aktin.
Se ideja është më e fortë se dhuna. Historia nuk është kalendar datash.
Ajo është përballje mes idealit dhe frikës.
Mes dritës dhe errësirës. Mes atyre që guxojnë dhe atyre që dorëzohen.
Kosova është një akt metafizik i qëndresës.
Ajo është prova se një popull mund të mbijetojë jo sepse është i fortë fizikisht, por sepse është i fortë shpirtërisht.
Më 17 Shkurt 2008, Kosova nuk shpalli vetëm pavarësinë por dinjitetin.
Nëse Noli do të ishte sot mes nesh, ai do të na pyeste: A është Kosova një shtet me shpirt?
Nëse Konica do të fliste sot, ai do të na pyeste: A është Kosova një shtet me mendje?
Këtu, në këtë vend që simbolizon lirinë si parim universal, ne e dimë se miqësia me Amerikën nuk është aksident gjeopolitik. Është bashkim vlerash.
Vatra ishte dhe mbetet rregullatori ynë moral në diasporë. Veprimtaria dhe angazhimi juaj i pareshtur duke ndikuar edhe në Kongresin Amerikan është dëshmi se zëri i shqiptarëve u dëgjua atje ku merreshin vendime historike.
Sepse një komb që fiton luftën për dije dhe luftën për liri, nuk mund të mposhtet kurrë.
Sot nuk dua vetëm t’ju falënderoj. Dua të përulem para jush sepse ju nuk jeni thjesht anëtarë të një organizate historike por vazhdimësia e një ideali që ka refuzuar të vdesë.
Në filozofi thuhet se koha është prova më e madhe e vlerës.
Shumë gjëra lindin me bujë dhe shuhen në heshtje. Por vetëm ato që mbështeten mbi ideal i mbijetojnë kohës.
Vatra i mbijetoi kohës.
Ju jeni dëshmia se atdheu nuk është vetëm tokë — është kujtesë, është gjuhë, është sakrificë, është përkushtim.
Zoti e bekoftë Universitetin e Tetovës!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti e bekoftë Amerikën!
Zoti e bekoftë kombin shqiptar!
Zoti e bekoftë VATRËN!