KOMUNITETI, NE 11 VJETORIN E PAVARESISE SE KOSOVES-KONTRIBUT PER VELLEZERIT BYTYÇI/*
Me 16 Shkurt 2019, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra së bashku me Legalistët iu bashkuan organizatave të Komunitetit të Nju Jork-ut(rreth 30 shoqata,600 pjesmarrës) nën drejtimin e anëtarit të Këshillit të Bashkisë së Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj. Organizimi i festës u bë në Hotelin HILTON në Westechester me qëllimin e përbashkët; jo vetëm festim i 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës por edhe kontribut për të ndihmuar Familjen Bytyçi në misionin e saj për të vendosur drejtësi dhe gjetjen e vrasësve të tre vëllezërve Bytyçi: Mehmet, Ylli dhe Agron Bytyçi, të cilët shkuan në luftën e Kosovës në radhët e batalionit Atlantiku.
Një pjesë e vatranëve së bashku me Kryetarin Dritan Mishto, erdhën në festë nga udhëtimi në Boston, ku çelën veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të gazetës “Dielli”, veprimtari që u organizua në Kishën e Shën Gjergjit, me mikpritës Kryekancelarin Arthur Liolin dhe drejtoreshën e Bibliotekës Noliane Neka Doko.
Darka festive e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u çel me parakalimin e një grupi policësh shqiptaro-Amerikanë që mbanin ndër duar flamuj dhe u printe Tupani.
Veprimtaria ka vijuar me Hymnet Kombëtare të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të interepretuara nga këngëtari i mirënjohur Riad Ymeri. Me 1 minut heshtje u nderua kujtimi i dëshmorëve të rënë për liri.
Në emër të instucioneve të Republikës së Kosovës pjesmarrësit në festën e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës i ka përshëndetur Konsullja e Përgjithshme e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Nju Jork, zonja Teuta Sahatiçja. Ndër të tjera Konsullja e përgjithshme tha: Kosova nuk do të ishte sot shtet Sovran e i pavarur pa ndihmën e diasporës. Ishit ju zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë. Ishit ju që mbanit gjallë familjet kur Kosova e përjetonte apartheidin e egër, ishit ju ata që dërguat armë, dhe që erdhët të luftoni për çlirimin e Kosovës. Ju protestuat para KB në NY e në Ëashington. Ju lobuat në çdo instance për ta bërë të njohur botës se çka ndodhte në një vend të vogël e të largët. Falë jush filloi bombardimi i Sërbisë dhe liria për Kosovën u arritë.
Kosova doli nga lufta si toke e djegur, rreth 14,000 të vrarë, 20,000 të abuzuar, 1640 ende të pagjetur, por e lire dhe plot shpresa për të ardhmen.
11 vite më parë, më 17 shkurt 2008 ishte një ditë shumë e ftohët, -17 gradë. E gjithë Kosova ishte në rrugë duke dëgjuar Shpalljen e Deklaraës së Pavarësisë. Ndonëse secili përjetonte gëzimin e papërshkruar për secilin prej nesh, natyra donte që përmes të ftohtit të madh, të na përkujtonte se Pavarësia nuk është arritur lehtë. Donte të na përkujtonte për vështirësitë, sakrificat, gjakun e mundin që është investuar për të arritur lirinë.
Mehmeti, Ylli e Agroni nuk ishin atë ditë të ftohtë shkurti me ne që të festojnë realizimin e ëndrës së tyre. Por sakrifica e vëllezërve Bytyqi na ndriçon përherë rrugën drejtë lirisë si nje fanar i ndritur.
Znj Bahrije dhe Z.Ahmet, ju e keni dhimbjen e madhe por edhe krenarinë që lindët dhe rritët këta trima liridashës. Ne i përkulemi përherë veprës së tyre!
Falë tyre dhe vajzave e djemve që u ngritën në këmbë, Kosova nuk është më tokë e djegur. Ajo është një vend i rindërtuar, me sy nga e ardhmja duke mos e harruar kurrë të kaluarën.
Drejtësia për vëllezërit Bytyqi është drejtësi për luftën, drejtësi për lirinë, drejtësi për shtetsinë e Kosovës.Për ne është nderë dhe detyrë të kujdesemi e ta avançojmë shtetin e ri të Kosovës.
E gëzofshim së bashku 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe pritshim shumë përvjetore tjera të suksesshme!, përfundoi fjalimin e saj zonja Sahatçija.
Këshilltari i Bashkisë së Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj, pasi uroi festën e Pavarësisë, tha se drejjtësia për vëllezërit Byrtyçi duhet të vihet në vend sepse pa drejtësi nuk ka paqe. Z. Gjonaj ishte i ashpër ndaj Serbisë në fjalimin e tij dhe shprehu solidaritet më qeverinë e Kosovës për ruajtjen 100 për qind të tarifave ndaj mallrave serbe. Duket se Këshilltari Gjonaj e radhit veten përkrah Kryeminsitrit Haradinaj,i cili këmbëngul që të mos hiqet dogana 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake, ndërkohë që SHBA po bëjnë presion që tarifat duhet të hiqen sa më parë sepse ato dëmtojnë dialogun. Zoti Gjonaj u prononcua edhe për kufijtë e Kosovës. Ai tha se kufijtë e Kosovës janë të pandryshueshëm dhe se ata duhet të njihen prej Serbisë siç njihen edhe nga SHBA dhe vendet kryesore të Bashkimit Europian. Serbia duhet ta dijë se shqiptarët nuk kanë më tokë për të dhënë: Mitrovica, Trepça dhe Ujmari do të jenë përherë shqiptare, tha z. Gjonaj.
Në mbrëmje ishte e pranishme edhe Familja Bytyçi. Qëllimi i mbrëmjes ishte mbledhja e fondeve për t’i ardhur në ndihmë avokatit që ndjek drejtësinë për tre vëllezërit Mehmet, Ylli dhe Agron Bytyçi, të cilët u vranë në fundin e luftës.
Në emër të luftëtarëve përshëndeti z. Gani Shehu.Më pas të pranishmit u argëtuan nga këngëtarët e Komunitetit.(Korresp i DIELLIT)
*Me shume fotografi i gjeni ne Faqen ne Facebook te Diellit( Gazeta Dielli Newspaper)