
Gjakovë, Kosovë – Korrik 2025/
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, në bashkëpunim me organizatën Albanians Fighting Cancer (AFC) nga Bostoni, kanë dhuruar një shumë të konsiderueshme parash në ndihmë të Shoqatës “Ja Vlen të Jetosh / It’s Worth Living”, e cila mbështet gratë në Gjakovë që po luftojnë me sëmundjen e rëndë të kancerit.
Kjo ndihmë financiare vjen vetëm pak javë pasi VATRA dhe AFC-ja kishin dërguar gjithashtu medikamente dhe vitamina, si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për këtë komunitet të ndjeshëm dhe të harruar shpesh nga institucionet.
Në ceremoninë modeste, por plot emocione, ndihma u dorëzua nga Kryetari i VATRËS në Boston z. Mentor Maksutaj, të cilin e shoqëronte një përfaqësues i Albanian Fighting Cancer. Çeku u pranua nga znj.Valbona Kastrati, kryetare e shoqatës, së bashku me anëtare të tjera të guximshme që çdo ditë përballen me sfidat e jetës dhe të sëmundjes. Ato shprehën mirënjohjen dhe falënderimin e tyre të thellë për këtë gjest human dhe mbështetës nga diaspora shqiptare në Amerikë.
Z. Maksutaj dorëzoi edhe një letër personale me një mesazh kuraje dhe force, ku ndër të tjera shkruhej:
“Ju jeni luftëtare të vërteta dhe nuk jeni vetëm, zemrat tona janë me ju.”
Ky gjest është një dëshmi se solidariteti dhe dashuria mes shqiptarëve nuk njeh kufij, dhe se diaspora mbetet gjithmonë pranë njerëzve në nevojë në trojet tona.