Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta Dielli morën pjesë në “Javën e Bibliotekës” në Kosovë. Sesioni i dytë i ditës së pestë të Javës së Bibliotekës ishte “Mërgata Shqiptare në Amerikë”, i cili u drejtua nga z. Atdhe Hetemi dhe z. Izet Abdyli. Kumtesat e tyre i prezantuan: Dr. Sokol Paja, “Dielli i Vatrës – regjistri më i vjetër historik i mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, Ph.D. Elmi Berisha, “Roli i mërgatës shqiptaro-amerikane dhe lobimi në ShBA për çështjen e Kosovës” dhe Dr. Atdhe Hetemi, “Kosova në marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane: sfida dhe perspektiva”. Sesioni u zhvillua në Këndin Amerikan, BKK. Në fjalën e tij z.Berisha tha: “Historia e shqiptarëve dhe e SHBA-së daton që nga shekulli i 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, fillimisht nga emigrimi i shqiptarëve nga Shqipëria, organizimi dhe veprimtaria e tyre atje, pastaj pas Luftës së Dytë Botërore emigrimi i shqiptarëve të Kosovës, të cilët së bashku me diasporën më të hershme shqiptare në vetëm pak vite do të organizohet dhe do të vendosë lidhje të forta me popullin dhe shtetin amerikan.
Roli i SHBA – ve në krijimin e shtetit shqiptar është më i rëndësishmi mbase edhe vendimtari tashmë i dëshmuar në analet e historisë botërore. Miqësia e
kombit tonë me popullin dhe shtetin amerikan ka traditë mbi 100 vjeçare. Është tejet i rëndësishëm takimi historik i Imzot Fan Nolit me Presidentin Vilson, që në analet dhe arkivat historike vlerësohet si një ngjarje që pati ndikim të madh në shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar, përkundër rrethanave tejet të rënda gjeo-politike dhe historike të asaj kohe dhe apetitet e mëdha të fqinjëve të Shqipërisë për të gllabëruar teritoret shqiptare.Miqësia Shqipëri – SHBA do të forcohet edhe me akte të tjera zyrtare ku shifet
një kujdes i shtuar i administratës amerikane për shqipëtarët në atë periudhë të rëndë historike për kombin tonë. U nënshkruan traktate dhe marrëveshje të rëndësishme bilaterale. Në vitin 1922 SHBA-të i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve statusin e kombit më të favorizuar. Përpara njohjes së ndërsjellë zyrtare, komisioneri amerikan Maxwell Blake shkëmbeu nota me Presidentin e Këshillit dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Xhafer Upi për të siguruar statusin e ndërsjellë të kombit më të favorizuar në traktatet e ardhshme tregtare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. SHBA-të që nga fillimi i viteve të tetëdhjeta kishin përcjellë me vëmendje
ngjarjet në Kosovë dhe ish Jugosllavi, shkeljen e të drejtave elementare dhe shtypjen sistematike që regjimi serb bënte mbi shqiptarët shumicë dhe autokton. Rezoluta e parë për Kosovën dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve u miratua në vitin 1986 në Kongresin Amerikan. Pas ngjarjeve të vitit 1989 dhe tensionimit të situatës atje, prapë SHBA-të do të të jenë në krah të shqiptarëve. Vizita e senatorëve dhe kongresmenëve amerikan në krye me senatorin Dole, shënon hapin e parë dhe historik të marrëdhënieve Kosovë SHBA, citoi ndër të tjera kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Ai u ndal te roli i shqiptaro-amerikanëve duke filluar që nga vitet 80-të e përpjekjet e jashtëzakonshme të mërgatës deri në Pavarësinë e Kosovës. Editori i gazetës Dielli Dr. Sokol Paja u ndal te historia e gazetës dhe veprimtaria e saj në dokumentimin e veprimtarisë së mërgatës shqiptaro-amerikane në SHBA. Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” për të nëntëmbëdhjetën (19) herë me radhë organizoi veprimtarinë kulturore Java e Bibliotekës në Kosovë. Tema kryesore e Edicionit të 19-të ishte: “Dokumentimi i kulturës së emigracionit : koleksionet e shtypura dhe digjitale”. Përveç aktiviteteve kulturore e bibliotekare, u organizuan edhe sesione shkencore që trajtuan tema të rëndësishme nga bibliotekaria, komunikimi, historia, teknologjia informative, referencat, digjitalizimi etj. Java e Bibliotekës në Kosovë organizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Bibliotekarëve të Kosovës dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë.