Nga Albert Vataj/
Vatra, më e madhërishmja përpjekje e shqiptarëve, për të lartësuar çështjen kombëtare shqiptare në qiejt e asaj lavdie, tekaty ku mëkohet ëma e atij shpirti, asaj thellësei që e solli këtë gjenezë të bekuar në shpirtin e mëmëdhetarëve, duke e shndërruar atë në një altar lutjesh dhe besimi.
Realja e Shoqërisë Pan-Shqiptare Vatra, prej krijimit të saj, përgjatë gjithë sfidave të rrugëtimit për të qenë dhe për të bërë atë që shpirti shqiptar i atdhetarëve të Amërikës, e mëkoi më të zjarrten ndjenjë të tokës ëmë, të amanetit të të parëve, të hyjtin gjak që u derdh në themelet e asaj ëndrre që udhëtoi nëpër kohë, për të qenë dhe për të kulmuar, në Shqipërinë që kemi zemër dhe shpirt, në Shqipërinë që e kemi dritë të syve dhe gurin e rëndë në tokën e huaj.
Shqiptaria e përleshjeve ngadhënjimtare; për mbijetesë, identitet, integritet dhe dinjitet kombëtar, kudo që ajo pati fushëbetejat, kudo që ajo u përfaqësua nga ky shpirt i paepur, i mbrujti në një vullnet zërat dhe ambiciet, i kulmoi në një thirrje, zemrat e më të zellshmëve, më të diturve, më të pasionuarve dhe… u bënë bashkë si për të përmbushur amanetin e legjendarit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut në shtratin e vdekjes. Sepse vetëm të bashkuar, vetëm njëzëshëm, vetëm në një mëndje e më një zemër, do të mund të bënin më të mirën për atdheun, për kombin, për fatin e së ardhmes së identitetit tonë.
Dhe i bashkoi Vatra, i mëkoi fjala e Diellit që shndriti prej të gjithë atyre mendjeve të ndritura dhe shpirtrave të shëlbyer në atdhetari.
Vatra, qysh prej krijimit të saj më 1911 është organizata më jetëgjatë e shqiptarëve të Amerikës, e cila vazhdon të botojë Gazetën Dielli, që është gazeta më e vjetër shqiptare, kësisoj përmbush një nga kryqëllimet e mëmëdhetarëve, për të përfaqësuar dhe mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare, në një botë sfidash dhe në kohëshmëri ndryshimesh dhe zhvillimesh të hovshme.
Takimi i parë që bëri bashkë të gjithë shqiptarët në Amerikë, me synimin për të krijuar një federatë të vetme, u zhvillua në 24 dhjetor 1911 në Boston. Takimi për themelimin pati dhe pjesëmarrjen e shoqatës Besa-Besën. Në këto takime ishin të pranishëm: Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi. Takimi vijoi deri në datën 28 prill 1912, kur dhe Vatra u regjistrua zyrtarisht. Nga procesverbali i takimeve thuhet:
“Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra u themelua prej Shoqërive “Besa-Besën”, “”Flamuri i Krujës” Shoqërisë Kombëtare”, “Mirëbërsja” dhe “Skënderbeu”. Ndërkohë shoqatat “Dallandyshja” dhe “Malli i Mëmëdheut” nuk ishin të pranishme por konfirmuan anëtarësinë e tyre në federatën “Vatra”. Në këtë takim historik , një bord i përkohshëm u themelua dhe pjesëtarët e tij ishin: Sekretari – Fan Noli, arkëtari – Llambi Çikozi, menaxheri i “Dielli” -Kristo Kirka, Drejtuesit e degëve të Federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi, si dhe supervizortë e “Dielli”: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili.
Vatra u njoh zyrtarisht dhe prej Masaçusetsit duke marrë certifikatën e njohjes në 13 qershor 1912. Certifikata origjinale tregon këta emra: Faik Konica, Llambi Çikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kota. Pjesëtarë të tjerë të shquar që iu bashkuan federatës ishin: Kostandin Çekrezi dhe vëllezërit Pani nga Dardha.
Duke konsideruar vakuumin politik në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, Vatra funksionoi në një farë mënyre si një formë qeverie shqiptare në mërgim. Vatra dërgoi Nolin dhe Konicën në Evropë për të advokuar për interesat kombëtare të Shqipërisë. Ata qëndruan në Evropë derisa lufta përfundoi. Ndërkohë Kol Tromara u shndërrua në figurën drejtuese dhe kryesore. Gjatë këtyre viteve me trazira, Vatra fitoi infleuncë dhe gazeta “Dielli” u publikua nën supervizionin e Anastats Çekrizit. Vatra zhvilloi një fushatë lobuese gjatë Konferencës së Paqes në Paris në 1919, duke u përpjekur për të infleuncuar vendimin e delegacionit amerikan. Kristo Dako iu bashkua delegacionit shqiptar në vitin 1919. Ndërkohë Mihal Turtulli dhe Mehmet Konica u aktivizuan në negociatat me italianët në lidhje me krijimin e qeverisë provizore shqiptare dhe u përgatitën për Kongresin në Durrës në 1918. Vatra mbajti një kuvend për mbledhjen e fondeve në 29 dhjetor 1918, të udhëhequr prej Anastas Pandele, me qëllim mbështetjen e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes. Emigrantët shqiptarë në SHBA arritën të mblidhnin rreth 150.000$, pjesa më e madhe e së cilës iu dërgua delegatëve të Vatrës në Paris.
Kontributin e brezave të tërë për çështjen shqiptare, ishte një nga faqet më të shkëlqimta të veprës dhe përkushtimit, është dhe do të vijojë të mbetet një busull orientimi dhe një amanet për brezat. Miqësia shqiptaro-amerikane në themelet e kësaj krijese, ka qenë një faktor kyç që çështja shqiptare të bëhet e pranishme në momente deçizive në arenën ndërkombëtare, pikërisht atëherë kur kombi ynë kishte nevojë për një mik të sinqertë dhe të fuqishëm, që ai të ishte një dalzotës i fatit të një kombi që fatkeqësisht kishte përfunduar në tryezën e pretendimeve ogurzeza, në dhëmbët e gjakosur të asaj barbarie që nuk u mjaftua kurrë të bënte më të keqen në kurriz të fatit identitar shqiptar.
Por Amerika e madhe dhe bijtë e saj, zëri i shpirtit shqiptar, thirrja e gjakut dhe gjëmimi i dheut të shqipeve ishin dhe mbeten syhapur dhe vullnetfortë, vlerë dhe veprimtari që ditë e natë, me mish e me shpirt, bëri më të mirën, bëri atë që është sot një kresht e lartë e krenarisë dhe mirënjohjes.
Dhe do të ishte Vatra, votra ku u lartësua ideali i kombit, ku u shoshiten dertet e hallemadhes Shqipëri, ku u ngjiz me zjarr e me gjak ëndrra e Kosovës së Pavarur, ku erdhën dhe shkuan, ku mbeten yje shndritës, ata që vezulluan me mëndjen dhe me shpirtin e tyre. Të gjithë i patëm mysafirë në Diell, në çdo rreze jetëdhënëse që lëshoi ky tribun i fjalës së lirë dhe e zërit të atdheut, i më të driturve të dritur, që patën mirësinë dhe hodhën në brazdat e këtij lëvrimi të fjalës shqip dhe të ëndrrës shqipfolëse. Si dje, edhe sot, Vatra është dhe do të mbetet një votër e zëshmërisë së dalzotjes së shqiptarisë.