
Besian Gjika/
Më 23 të shkurtit 1913, 112 vjet më parë u themelua në Saint Louis, Missouri, dega nr. 20 e Vatrës, më këtë pleqësi:
Kryetar Z. Vasil G. Marko, nënkryetar Z. Riza Voskopi, sekretar Z. Nick D. Katro, arkëtar Z. Xhafer Biranji, kontrollorë Z. Bilbil Mustafa, Z. Sotir Rehova, Z. Nuçi Anastas Voskopoja. (KALENDARI i VATRES i Motit 1918)
Ashtu siç edhe përshkruhet në numrat e gazetës Dielli të atij moti, dëshira dhe vullneti i shqiptarëve në Saint Louis, për t’u faktorizuar dhe ndihmuar tokën e të pareve, ka qenë e madhe por me kalimin e kohës gjërat morën rrjedha të ndryshme qoftë për arsye subjektive apo, për shkak, edhe të distancës me qendrën e Vatrës, në Boston. Largimet e para të drejtuesve ndodhin shpejt që në kapërcyell të vitit 1914. Kjo solli edhe përçarjet e para midis grupeve dhe, në vitin 1915 në Saint Louis, përveç Degës nr. 20 të Vatrës kemi edhe shoqata dhe klube atdhetare si “Bijtë e Shqiponjës”, “Mprojtja Shqipetare”, etj.
Një relacion mbi gjendjen e shqiptarëve ne Saint Louis na jep patrioti, Mihal Grameno i cili e vizitoi Saint Louis-in në 31 maj të vitit 1915. Në faqen e tretë të gazetës “Koha” në numrin e datës 17 qershor 1915, ai jep disa fakte interesante mbi shqiptarët e këtushëm. Sipas Gramenos numri i shqiptarëve të numëruar shkon deri në 2500 veta, duke e bërë një prej kolonive kryesore në Midwest. Po aty ai citon se është për të ardhur keq që shqiptarët e kësaj kolonie, të cilët kanë shumë individë të pasur, nuk e gjejnë dot gjuhën dhe njerëzia fajin ua vendos drejtuesve kokëfortë. Mirëpo, citon Grameno, nevoja e mëmëdheut për bijtë e saj është shumë e madhe, ndërkohë që në Saint Louis ekzistojnë dy klube me të njëjtin emër.
Në vitet në vazhdim gjërat ndryshojnë edhe sipas zhvillimeve që ndodhin në Shqipëri. Në vitin 1918 shqiptarët ortodoksë themelojnë kishën shqipe të Shën Mitrit (Saint Dimitri) në adresën, 1024 Mississippi Avenue dhe për të meshuar vjen në Saint Louis, at Naum Cere.
Pavarësisht debateve, mosmarrëveshjeve, skizmave, në artikujt e kohës të gazetës Dielli por edhe gazetave të ndryshme, arrin të dallosh qartë se tek shqiptarët e Saint Louisit e gjen nuklin e patriotizmit. Në mars të vitit 1919, shqiptarët e këtushëm i gjejmë bashkë duke i dërguar kabllogram presidentit Wilson të cilit i kërkojnë mbështetje për mos copëtimin e shtetit të brishtë shqiptar. (St. Louis Post-Dispatch 9 March 1919).
Dega e Vatrës nuk ekziston më por Gazeta dielli është rikthyer në Saint Louis. Gjithsesi shoqata Iliria e cila është themeluar në Saint Louis 5 vjet më pare ka marrëdhënie të ngrohta me Federatën Vatra dhe degët e saja, në bashkëpunime dhe programe të përbashkëta social-kulturore.
Saint Louis, 23 shkurt 2025
Titulli i fotografisë: “Albanian Immigrants English Class, Early Twentieth Century, Saint Louis (MO).” “Klasë e gjuhës angleze për emigrantët shqiptarë, fillimi i shekullit të njëzetë, Saint Louis (MO).” Kjo është fotografia e dytë që kam arritur të gjej për shqiptarët e hershëm të Saint Louis-it. Në foto dallohet në krah të flamurit amerikan, fotografia e mbretit të atëhershëm, “Wilhelm Friedrich Heinrich Princ zu Wied” ose shqip Vilhelm Vidi, i cili mbreteroi ne Shqipëri nga 7 marsi i vitit 1914 deri në 3 shtator 1914. Një pjesë e personave në foto janë edhe në foton e themelimit të degës nr. 20 të Vatrës në Saint Louis. Vendi ku mesohej gjuha angleze dhe njëkohësisht ku kanë punuar shumë shqiptarë asokohe (Gazeta Mprojtja Shqiptare, 1916) është YMCA (Young Men’s Christian Association)
Fotografia gjendet në arkivën digjitale të: “The State Historical Society of Missouri”