TA NDIHMOJMË TË GJITHË FEDERATËN VATRA PËR TË KURORËZUAR DENJËSISHT VITIN FAIK KONICA/
Nga Thanas L. Gjika/
Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA e shpalli vitin 2016 Viti Faik Konica , edhe per arsyen pse viti 2016 përbën 120-vjetorin e themelimit të revistës Albania, revistës më të rëndësishme të Rilindjes sonë kombëtare. Me këtë revistë u ushqyen gjithë intelektualët shqiptarë të kohës, të cilëve ua kemi borxh krijimin e Shqipërisë së pavarur.
Faik Konica është një nga themeluesit dhe veprimtarët më aktivë të shoqërisë Vatra, ai e pagëzoi këtë shoqëri që në themelimin e saj. Vatra është pjellë e dyshes gjeniale Konica-Noli, ajo është shoqëria patriotike kulturore që ka luajtur rolin më të madh për ruajtjen e territoreve tona në fund të Luftës së Parë Botërore, për njohjen e problemit të Kosovës dhe të çlirimit të saj.
Viti 2016, Viti Faik Konica, nuk duhet menduar thjesht si viti kur shoqëria Vatra do të ndihmojë finaciarisht botimin dhe promovimin e dy romaneve të panjohur të Faik Konicës, të zbuluar e përgatitur për botim prej studjuesit Fotaq Andrea. Ky vit duhet menduar si viti kur të gjithë ne bijtë e diasporës shqiptare të Amerikës duhet të mendojmë e të angazhohemi për ta ngritur shoqërinë Vatra në nivele të rinj, me synimin që ajo të luajë një rol edhe më të ndjeshëm në mbarë jetën shqiptare.
Sot, të gjithë ne shqiptarët, si ata që kanë ardhur para vitit 1990 dhe ne të ardhurit pas këtij viti, kemi arritur të tregojmë se jemi të aftë të përshtatemi me sukses në atdheun e ri dhe të shfaqim aftësitë tona. Sejcili ka mundur ta tregojë veten duke u marrë me bisnes, duke ndërtuar a blerë shtëpi, duke u shkolluar e kualifikuar në universitetet e këtij vendi. Sejcili sipas prirjeve e talentit të vet ka shkruar e botuar vepra me artikuj, studime, poezi e prozë, ka dhënë koncerte, ka realizuar shfaqje, ose filma, ka treguar se është bir i denjë i një populli të lashtë që është shquar e shquhet për karakterin e vet krijues e jo imitues, për sedrën e shëndoshë e jo të sëmurë, etj.
Megjithë këto arritje duhet të kuptojmë më mirë çështjen themelore: si individë kemi qenë e jemi ende të dobët, të bashkuar rreth Vatrës do të jemi më të fortë.
Për të realizuar forcimin tonë nuk na duhet të ngrejmë male mbi kurriz, as nuk na duhet të pengojmë planet tona private për përmirësimin e jetës sonë. Mjafton të hedhim një hap fare të vogël me një kosto minimale: të anëtarësohemi në shoqërinë Vatra. Ky anëtarësim kushton vetëm $ 100,00 (njëqind dollarë) në vit. Kjo shumë, që është vërtet e vogël për sejcilin prej nesh, në fakt është me vlera të mëdha për të ardhmen e shoqërisë Vatra dhe të prsetigjit të diasporës sonë. Është me vlera të mëdha, sepse numëri i shqiptarëve të punësuar dhe të pensionuar në SHBA arrin sot rreth 100.000 vetë, të cilët po të paguajnë kuotën e anëtarësisë në Vatër prej 100 dollarësh, mblidhet një shumë vjetore prej rreth $ 10,000.000.00 (dhjetë milion dollarë). Kjo shumë mundëson kthimin e shoqërisë Vatrës në një institucion që mund të realizojë shumë projekte kulturore, artistike e shkencore për zhvillimin dhe përmirësimin moral e kulturor të çdo shqiptari që jeton në diasporë dhe në atdhe. Të gjithë shqiptarët që do të ndihmojnë Vatrën për të marrë mbi vete misionin e gjallërimit tonë, do të ndjehen krenarë, sepse shumë shpejt ata do të nderohen më shumë prej rrethit të tyre familjar e shoqëror. Ky respekt ndaj tyre do të vijë duke u shtuar sepse kushdo e vlerëson njeriun fisnik që ndihmon lulëzimin e velerave morale e kulturore të popullit të vet.
Ecja e popullit tonë drejt qytetërimit modern varret vetëm në shumën qesharake prej 100 dollarësh në vit dhënë prej çdo shqiptari të punësuar e të pensionuar në SHBA. Jam i bindur se të gjithë e kuptojmë se nuk duhet kursyer një shumë kaq e vogël për një qëllim kaq të madh. Këtë, ndoshta nuk duan ta kuptojnë vetëm ata emigrantë që i ka marrë mbrapsht emigrimi, vetëm ata që kujtojnë se janë më të nderuar duke u hequr sikur janë grekë pa pasur gjak grek, ose ata që hiqen se janë bërë amerikanë e nuk janë më shqiptaro-amerikanë.
Parim Carcani says
Solidrizohem me thirrjen e Prof. Gjika.Eshte ne nderin tone, te brezave qe leme pas dhe nje mirenjohje e perkujtim i brezave te shkuar qe punuan aq shume per berjen e njohjen e atdheut tone Shqiperise, te japim kete kontribut te vogel por shume domethenes per Ringjalljen,ecurine e pandaleshme te shoqerise Vatra. Vleresoj nisiativen e shoqerise per financimin, botimin e promovimin e librave te Konices, te pergatitura me shume perkushtim nga studjuesi, perkthyesi i njohur dhe shkrimtari, Fotaq Andrea
Dr. Parim Carcani