


Sokol Paja/
Hartford, Connecticut, 15 Mars 2025- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 50 flamuj kombëtarë, 50 libra shqip, 50 gazeta Dielli e 50 flamuj amerikanë për nxënësit e shkollës shqipe të Vatrës në Hartford. Ky dhurim prej Federatës Vatra vjen në shenjë mbështetje, nderimi e vlerësimi për përkushtimin e punën e jashtëzakonshme edukative, patriotike, kulturore, sociale e atdhetare të degës së Vatrës në Hartford të z.Ilir Gjomarkaj, z.Milaim Tahiri e mësueses Fatmira Hasaj, për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kombëtar në mërgatën e Amerikës. Në ceremoninë e dhurimit zyrtarët e Vatrës sekretari Dr. Pashko Camaj, editori i Diellit, kryetari i Vatrës në Long Island Dr. Paulin Marku e patriotët: Prend Ndoja, David Turkaj, Ndue Marku e Klaudio Turkaj mbetën të impresionuar nga përkushtimi vatranëve i nxënësve e prindërve për të zhvilluar mësimin shqip. Drejtuesit e Vatrës Dr. Pashko Camaj e Dr. Paulin Marku shprehën vlerësim për punën plot pasion e profesionalizëm të degës së Vatrës në Hartford, vlerësuan kontributin e prindërve si mbështetje e fuqishme për zhvillimin e shkollës shqipe dhe garantuan se Vatra e Dielli do të jetë një mbështetje e pakursyer për shkollën shqipe si institucion arsimor, edukativ e patriotik. Kryetari i Vatrës Hartford z.Ilir Gjomarkaj dhe producenti televiziv Nazim Salihu (Noli Tv), shprehën mirënjohje dhe vlerësuan mbështetjen e Vatrës për promovimin e kulturës shqiptare dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.
Kjo shkollë shqipe është një mundësi e artë për fëmijët dhe familjet shqiptare në mërgim për të ruajtur identitetin kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkolla shqipe e Vatrës Hartford pranon fëmijë nga mosha 6 deri në 14 vjeç. Mësimi i gjuhë, kulturës, artit, këngëve e valleve organizohet çdo të shtunë nga ora 10:00 deri në 12:00. Ky program edukativ e kulturor është krijuar për të argëtuar dhe edukuar fëmijët, duke e bërë mësimin një përvojë të gëzueshme e shumë të çmuar. Adresa e shkollës shqipe është: 33 Church St, Rocky Hill, CT 06067. Më herët Federata Vatra ka shpërndarë flamuj kombëtarë, libra, abetare e gazeta Dielli edhe në shkollat shqipe New York, New Jersey, Philadelphia, Missouri, Connecticut, Florida etj. Mbështetja e Vatrës për shkollat shqipe është një punë fenomenale kulturore e atdhetare në shërbim të gjuhës, traditës dhe identitetit kombëtar.