Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra do të nderojë më 1 janar 2022 në orën 12.30 pm rapsodin e madh Bajrush Doda. Në një ceremoni solemne në Selinë Qëndrore të Vatrës, nderimi i rapsodit do të vijë në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta. Vatra e nderon rapsodin Bajrush Doda për veprimtarinë e tij jetësore dhe kontributin e madh që i ka dhënë folklorit shqiptar, i cili me një mjeshtri të rrallë diti ta ruaj dhe ta kultivoj me besnikëri melosin autokton të Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës dhe të Rugovës. Duke qenë një prej rapsodëve më mëdhenj të kohës, ai me këngët e tij që nuk do të vdesin kurrë, u bë i dashur dhe i adhuruar në të gjitha trojet shqiptare dhe ne me plot krenari mund ta quajmë legjendë të folklorit shqiptar.
Ftohet komuniteti shqiptar të bëhet pjesë e kësaj ceremonie madhështore nderimi në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të rapsodit të mirënjohur popullor Bajrush Doda.