– Me homazhet e veçanta, VATRA përveç nderimit për personalitetin e Tij, synon që figura e Mid’hat Frashërit të përcillet në atdhe e kristaltë, e papërlyer dhe e pakeqpërdorur nga Politika dhe Qeveria Shqiptare./
– VATRA me kënaqesi do të përfshihej në organizimin e një ceremonie dinjitoze, me pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve të diasporës së vjetër dhe të re, me qëllim nderimin më të lartë për këtë figurë kombëtare, duke filluar që nga vendi, mënyra e procesionit, akademia shkencore, apo përbërës të tjerë protokollarë, por nuk mund të bëhet as pjesë, as fasadë në një ceremoni të cunguar të minutës së fundit-
Rivarrosja në Shqipëri e trupit të Atdhetarit Mid’hat Frashëri është në parim një ngjarje madhore për rivlerësimin e figurës së Tij dhe duhet trajtuar me përgjegjshmëri si e tillë nga të gjithë aktorët pjesëmarrës në këtë proces.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka pasur vazhdimisht në programin e saj nderimin e kësaj figure gjigande të kombit tonë, si nëpërmjet akademive shkencore ashtu edhe në respektin e mirëfilltë duke vizituar varrin e Mid’hat Frashërit tre herë vetëm vitin e fundit. Ndërsa në përpjekjet tona për rivarrosjen e Tij në Shqipëri, duam të veçojmë dhe falenderojmë Dr. Skënder Murtezani, Kryetar i Degës së Vatrës në Queens, i cili ka qenë në krye të kësaj nisme duke mirëargumentuar rëndësinë e prehjes së trupit të Atdhetarit në vendin për të cilin Ai dhe Frashërllinjtë shkrinë tërë jetën.
Fatkeqësisht, rrjedha dhe mënyra e organizimit të homazheve qeveritare në Nju Jork ka ngritur disa pikëpyetje që për Federatën VATRA janë të rëndësishme, ndaj kemi pritur me durim dhe qetësi për të marre një qëndrim përfundimtar.
Dihet raporti i veçantë i Federatës VATRA me Mid’hat Frashërin:
– Mid’hat Frashëri ishte ambasador në Zvicër i emëruar nga Vatra, në kohën kur Vatra kryente rolin e shtetit të vdekur.
– Mid’hat Frashëri u thirr nga Kuvendi i Vatrës më 1919 që të drejtonte Federatën.
– Më 1920 Mid’hat Frashëri erdhi pranë Vatrës si i dërguar i Qeverisë Shqiptare për të organizuar Huan Kombëtare, kur Vatra mblodhi rreth 198 mijë dollarë për ti ardhë në ndihmë shtetit shqiptar që rrezikonte falimentimin.
– Më 1919 vatranët e Detroitit i kërkuan Mid’hat Frashërit që ti përfaqësonte në Konferencën e Paqes…
Pikërisht për këto e fakte të tjerë, duhet që Federata Vatra të ishte aktore e rëndesishme në këtë proces, dhe jo fasadë.(Padashur të largojmë vëmendjen, risjellim në kujtesë edhe faktin se si u tentua të keqpërdorej VATRA në Samitin e dështuar të Diasporës në Tiranë, dhe koha na dha plotësisht të drejtë në qëndrimin dhe largpamësinë tonë. Një pjesë e diasporës shqiptare të Amerikës u keqpërdor si fasadë në atë Samit dhe vazhdon të përdoret edhe sot për qëllime të qeverisë…)
Por, vlerësimi i cunguar i figurës së Mid’hat Frashërit nga Qeveria Shqiptare, vetëm si kryetar i Kongresit të Manastirit, duke lënë në hije tërë pjesën tjetër të aktivitetit të tij patriotik, diplomatik e kulturor nuk është në përputhje me vlerësimin e Federatës VATRA për këtë figurë kombëtare dhe VATRA nuk mund të pranojë të jetë pjesë, e përsërisim në gjykime të cunguara për qëllime politike.
Nga ana protokollare, ceremonia është akoma e paqartë dhe akoma nuk ka një program të shpallur publikisht, përveç një ftese me 5 radhë të shkruara, që mbanë firmën e ambasadores.
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, për shkak të seriozitetit të saj dhe profilit historik nuk mund të bëhet pjesë e programeve të minutës së fundit dhe të nxituara, ashtu siç në tërësi po zhvillohen këto ngjarje. Për shumë arsye të cituara në hyrje të këtij materiali, VATRA me kënaqesi do të përfshihej në organizimin e një ceremonie dinjitoze, me pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve të diasporës së vjetër dhe të re, me qëllim nderimin më të lartë për këtë figurë kombëtare, duke filluar që nga vendi, mënyra e procesionit, akademia shkencore, apo përbërës të tjerë protokollarë.
Ndonëse Federata VATRA është e paqartë për rolin e Organizatës Jofitimprurese, përfaqësues të së cilit janë mirëpritur disa herë në zyrat tona, duket sikur ata janë pajtuar me vlerësimin e cunguar qeveritar që po i bëhet figurës së Mid’hat Frashërit dhe nuk kanë gjetur kurajon të ngrihen në nivelin e duhur për përgatitjen e duhur ceremoniale dhe për vlerësimin shumëdimensional të Mid’hat Frashërit.
Natyrisht Vatra do ta nderojë Mid’hat Frashërin përpara se trupi i tij të niset drejt Shqipërisë. Drejtuesit zyrtarë të Federatës Panshqiptare Vatra do të kryejne homazhe të veçanta përcjelljeje tek varri i Mid’hat Frashërit, duke shprehur respektin dhe nderimin më të thellë për figurën shumëdimensionale të Gjeniut të Kombit dhe njërës prej vlerave më të mëdha edhe të vetë Fderatës VATRA. Me homazhet e veçanta, VATRA përveç nderimit për figurën e Tij, synon që figura e Mid’hat Frashërit të përcillet në atdhe e kristaltë, e papërlyer dhe e pakeqpërdorur nga Qeveria Shqiptare.
Federata VATRA, zyrtarisht nuk do të marrë pjesë në homazhet e cunguara qeveritare duke u distancuar nga çdo tendencë për përdorimin e figurës së Mid’hat Frashërit për qëllime politike dhe mosprezantimin e plotë të veprës e veprimtarisë së tij kombëtare. Nisur nga anëtarësia e saj e gjerë, VATRA mendon se ndjesitë për pjesëmarrje në këtë ceremoni janë tërësisht individuale dhe se askush nuk ka të drejtë të përmendë, përfaqësojë dhe abuzojë me emrin e Federatës VATRA.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA është e bindur se ashtu si edhe në raste të tjera të mëparshme, koha do t’i japë të drejtë qëndrimit tonë, thelbi i të cilit është moslejimi i përdorimit të emrit të Federatës VATRA në veprimtari ku ka qëllime të përfitimeve politike.