Marrëdhëniet e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”me Shqiperine në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore 1944-1947/
Shkruan: Erjon Dervishi-Doktoran prane Qendres se Studimeve Albanologjike,Tirane/
Abstrakt:Marrëdhëniet e federatës “Vatra” më Shqipërinë kanë qënë të lidhura ngushte që në momentin e krijimit të saj si organizatë më 1912. Kjo vinte nga fakti se themeluesit e kësaj organizate në pjesën më të madhe ishin njerëz të cilët kishin jetuar në Shqipëri dhe sepse ata mund të lëviznin shpesh herë nga Shqipëria në Amerikë. Lëvizja e shpeshtë krijonte mundësi që shumë emigrantë të tërhiqnin njëri-tjetrin për në Shtetet e Bashkuara. Komuniteti shqiptar i Amerikës ishte më i madhi në numër dhe më i rëndësishmi pasi aty jetonin dhe zhvillonin veprimtarinë e tyre figura të rëndesishme të nacionalizmit shqiptar. Gjtihashtu rëndësia e tyre dhe roli që u është caktuar gjatë historisë ka qënë tepër i rëndësishëm pasi ata jetonin në një vend të madh dhe demokratik si Shtete e Bashkuara të Amerikës ku në shekullin e XX u përqëndrua e gjithë vemendja e diplomacisë botërore. Pesha e tyre është ndjerë gjithmonë edhe në vitet më të vështira të Shqipërisë, kur vihej në pikëpyetje vetë ekzistenca e kombit shqiptar. Një mori letrash, telegramesh e memorandumesh u bënë pjesë e kancelarive perëndimore nga ana e Federatës “Vatra”, në një kohë kur shteti Shqipëtar e kishte të pamundur të angazhonte figura të denja si pasojë e brishtësisë financiare që kishte. Të gjitha këto projekte diaspora dhe veçanërisht “Vatra” i realizoi pa marrë ndonjë shpërblim të madh apo përfitime politike. Por me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore kjo marrëdhënie ndërpritet, si pasojë e vendosjes së sistemit komunist. Vatra duhet të luftojë nga njëra anë për të fituar besimin e Shqipërisë, besim i cili ishte lëkundur si pasojë e filtrimit të Vatrës me qeverine e Zogut, ç‘ka për udhëheqjen komuniste ishte e papranueshme dhe më Italinë fashiste por njëkohësisht i duhet te punojë shumë për të afruar Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara vend tek i cili ata banonin prej shumë vitesh. Nën dritën e burimeve arkivore Vatra do ta ketë shumë të vështirë ta realizojë këtë binom historik. Qëllimi kryesor është të vërtetojë në bazë të dokumentacionit arkivor vendosmërinë e Federatës Vatra për t’u afirmuar edhe një herë si një aktor kyç në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Vatra dhe Shqipëria
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri vijnë komunistët. Shteti shqiptar duhej të transformohej nga e para, me një sistem të ri, te panjohur më parë nga shqiptarët, me një qeveri të re dhe me aleatë të rinjë. Natyrisht që këto ndryshime u reflektuan edhe në kolonitë shqiptare të Amerikës si Federata Pan Shqiptare “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë”. Historia e Federatës “Vatra” është një histori suksesi. Ajo ka dëshmuar se qëndron në pararojë të patriotizmit shqiptar sidomos në gjysmën e parë të shekullit XX. Ndërsa në fillimet e Luftës së Dytë Botërore besimi i saj si një organizatë patriotike ishte lëkundur mjaft. Ahmet Zogu dhe veçanërisht diplomati i tij në Amerikë Faik Konica e kishin kthyer këtë organizatë dhe organin e saj “Dielli” në shërbim të pushtetit dhe propagandës së tyre politike.(Çekrezi, 2013, fq, 91). Por ajo që e kompromentonte më rëndë “Vatrën” ishin elozhet që i bëheshin Benito Musolinit gjatë kohës së miqësisë së ndritur italo-shqiptare.(Gazeta,“Dielli”, fq, 2). Për këto arsye “Vatra” duhej të merrte iniciativën e para për të treguar që ishte një organizatë në mbështetje të Shqipërisë dhe tërësisë së saj territoriale. Duke marrë parsysh nevojën e Shqipërisë për të patur sa më shumë aleatë, sidomos perëndimor, “Vatra” do t’i shërbente udheheqjes shqiptare mjaft mirë për interesat e tyre imediate.
“Vatra” kishte fare pak djeni për ngjarjet që po zhvilloheshin në Shqipëri. Të vetmet informata vinin nga Londra ku BBC transmetonte një emision shumë të shkurtër në gjuhën shqipe. Në një artikull të gazetës “Dielli” të datës 8 korrik 1944, “Vatra” shprehet se “Ç’do lajm që del nga Shqipëria kalon në dy çensura: Çensura Gjermane dhe ajo Aleate” (Gazeta“Dielli“ 1944 ,fq, 2). Dhe për këtë arsye lajmin e formimit të Kongresit të Përmetit, që hodhi bazat e sistemit komunist, ata e morën me rrugë të tërthorta. Por Federata “Vatra” ishte e vetëdijshme se vepronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si rrjedhojë do të duhej të zhvillonte një politikë që përkonte me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore “Vatra” këmbengulte që Amerika duhej të përkrahi një vend të vogël si Shqipëria. Gazeta “Dielli” shprehej me nota pozitive për kujdesin amerikan ndaj Shqipërisë. Ajo analizonte se Amerika konsiderohet nga kombet e vegjël të Evropës si shpëtimtare e tyre dhe ata e mirëpresin.(Gazeta, Dielli ,fq, 2). Për sa kohë që Shtetet e Bashkuara mbështesinin luftën antifashiste edhe “Vatra” nuk kishte arsye që të ishte kundër. Në mbledhjen e famshme të 23 qershorit 1944, të zhvilluar në Boston, në praninë e shumë atdhetarëve shqiptar dhe disa zyrtarëve amerikan Fan Noli dhe një pjesë e Federatës “Vatra” hoqën përfundimisht dorë nga Ahmet Zogu si përfaqësues i Shqipërisë pas lufte.(Çekrezi, 2013, fq, 71). Natyrisht e gjitha kjo mbledhje qe u zhvillua nën kujdesin amerikan tregon më së mëri orientimin e ri që duhej të merrte “Vatra”. Edhe pse në Shqipëri ishte forumar një qeveri komuniste, Fan Noli me një përgjigje te shpejt tha se “edhe ata djemtë tanë janë”.(Çekrezi, 2013, fq, 71). Kjo fjali e mbetur në histoirnë e Federatës “Vatra” dhe emigracionit shqiptar do të konfirmohej rreth dy vite më vonë nga vetë Fan Noli si një përgjigje për të shpëtuar Shqipërinë. Është e qartë se qeveria komuniste nuk mund të lintë pa shfrytëzuar këtë mundësi për të treguar se “Vatra” ishte një organizatë plotë ideale dhe patriotike.
Qeveria e Tiranës kishte kohë që vëzhgonte kolonitë shqiptare dhe sidomos ato amerikane, meqënëse ishte edhe më e madhja në numër. Por ata ishin të vetëdijshëm se ekzistonin shumë paqartësi për orientimin e “Vatrës” si një organizatë pro tyre. Në një raport të paraqitur nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste vihet re një element shumë i rëndësishëm: mungesa e njohjes së komunitetit shqiptar në Amerikë.(Arkivi Qendror Shteteror, [AQSH], 1946). “ Si reluzultat i analizës doli që: “Jashtë Shqipëria nuk njihet, ose dihet fare pak për të, që Shqipëria nuk është një faktor indipendent në politikën e jashtme, edhe kolonitë shqiptare janë të paqarta pse dijnë fare pak për Shqipërinë”(AQSH, 1946). Për këtë arsye në përfundim u vendos që për kolonitë, “Me dërgue material propagande e informata e letra nga miqtë dhe familjet e tyre, organizata antifashiste fronti, rinija e gruaja të mbajnë lidhje me ta dhe me dërgue delegacione.” (AQSH, 1946). Më pas raporti vazhdon me zhvillimin dhe forcimin e propagandës jashtë vendit. Sipas raportit të përpiluar me kujdes nevojitet që propaganda jashtë shtetit të mbështet mbi luftën dhe relaizimet e Shqipërisë. Mjetet kryesore të propagandës do të ishin: “Shtypi, të botonte ndonjë revistë e broshurë në gjuhë të huaja, të bëhen botime jashtë nga ambasadat tonë, të shkruhen për Shqipërinë në shtypin e jashtëm. Radioja të fuqizohet për me u ndegjue jashtë dhe të përgatiten emisione në gjuhë të huaja të posaçme.” (AQSH, 1946).
Pamvarësisht faktit që udheheqja shqiptare nuk kishte krijuar një profil të qartë për kolonitë, qeveria shqiptare merr iniciativën për të bashkëpunuar me “Vatren”. Kjo për faktin sepse në të ishte i pranishëm edhe Fan Noli, një figurë e fuqishme dhe mbrojtëse e ideve të majta në Shqipëri, pikërisht ai që kishte hedhur mbrapa krahëve Ahmet Zogun. Në një letër që Koço Tashko i dërgon Fan Nolit, pasi dikur kanë qënë miq të ngushtë, i shpreh mirnjohjen që kanë shqiptarët për të dhe që nuk e kanë harruar akoma. Ai i kërkon Nolit që Shqiptarët e Amerikës të japin përkrahjen e tyre në të mirë të atdheut dhe popullit. (Gazeta, Dielli, 1944, fq1). Nga ana tjeter regjimi u perpoq që me ane të një huaje te mbajë nën kontroll kolonitë e Amerikës. Sipas udhëheqjes shqiptare “shtrirja e huasë në këtë vend, përveç anës ekonomike ka edhe efektet e saj politike. Në këtë vend ndodhen afër 70.000 vetë me origjinë shqiptare të shpërndarë në mjaft qëndra të ndryshme”.(Arkivi i Ministrise se Puneve te Jashme [AMPJ], 1945). Më tej kjo fushatë synonte që të përdorej për t’u “vënë në dije shqiptarëve të emigruar përparësitë e mëdha që ka bërë vendi ynë në sajë të pushtetit të sotëm në të gjitha fushat ekonomike e të kulturës dhe perspektivat që ngrihen në të ardhmen, si rezultat do të bëhet e mundur shtimi i radhëve të bashkatdhetarëve që e aprovojnë dhe e mbrojnë pushtetin tonë të sotëm”. (AMPJ, 1945). Menjëherë “Vatra” angazhohet për t’i arrdhur në ndihmë Shqipërisë. Ndihmat e para do të ishin ne ushqime dhe në para. Më 1947 sekretari i “Vatrës” Qerim Panariti i dërgon një letër Ministrisë së Tregtisë në të cilën sqaron shumën e të hollave që po dërgohet dhe sasinë e ushqimeve. Shuma e përgjithëshme që zotëronte në ato momente “Vatra” ishite 10 mijë dollarë. Gjithashtu u mblodhën fonde të cilat do të shërbenin për të blerë ilaçet.(AQSH, 1947). Një fushatë e madhe u shtri në të gjithë Amerikën për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve të sapo dalë nga lufta. Shumat e mbledhura kishin arritur në gati 20,000 dollarë. (Gazeta, Dielli, 1945, fq,1).
Megjithësë ne dukje punët e “Vatrës” po ecnin mirë dhe pa pengesa në skenë del orgnizata tjetër në Amerikë, “Shqipëria e Lirë”. Kryetar i kësaj organizatë ishte Chostandine A. Chekrezi një anti-zogist i thekur. Në pamundësi për të analizuar biografinë e tij, sepse kërkon me tepër vend, është e nevojshme që të analizojmë arsyen e ngritjes së kësaj organizate e cila me kalimin e kohës do të kthehet në vasale të bindur të regjimit komunist. Në qoftë së “Vatra” u krijua nga një grup atdhetarësh dhe intelektualësh krejtësisht shqiptar, organizata “Shqipëria e Lirë” është një krijim me ndikim te theksuar amerikan.(Bland dhe Price, 1981, fq, 72). Çekrezi diti të shfrytëzonte mjaft mirë përçarjen e “Vatrës” dhe u ofrua si një kondidat i besueshëm për të krijuar bashkimin e të gjithë shqiptarëve të Amerikës. Por ndërsa “Vatra” kërkonte që bashkimi të bëhej me Zogun kryetar, këtë gjë Çekrezi nuk mund ta lejonte jo vetëm për të kaluarën e tij por edhe për faktin se fuqitë e mëdha (Amerika dhe Anglia) nuk e donin Zogun përsëri si udhëheqës. Në kujtimet e tij Çekrezi nuk e përmend mënyrën e kalimit nga kampi i Francës për në Amerikë por ndalon vetëm tek krijimi i organizatës “Shqipëria e Lirë”.(Cekrezi, 2013, 31). Duke qënë se “Shqipëria e Lirë” u krijua me ndihmën e Amerikës edhe programi i saj ishte tepër i qartë: “Bahkëpunim me aleatët dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara”.(Çekrezi, 2013,fq, 13).
E rëndësishme është që të theksohet arsyeja e braktisjes nga ana e Çekrezit të këtij ideali demokratik duke u lidhur më Enver Hoxhën. Sipas tij arsyeja e largimit nga organizata “Shqipëria e Lirë” është së kjo organizatë mori pikpamje krejtësisht komuniste.(Cekrezi, 2013, 91). Kjo është pjesërisht e vërtetë. Kthesa kryesore vjen nga qëndrimi i ri amerikan kundrejt Shqipërisë. Tashmë Enver Hoxha ishte një aleat i luftës dhe nuk mund të mënjanohej kollaj nga skena politike shqiptare. Si rezultat i kësaj Çekrezi e kishte plotësisht mundësinë për t’u vetofruar si një përkrahës i palodhur i Shqipërisë. Më 8 prill 1945 Çekrezi i dërgon një letër të gjatë Enver Hoxhës nga Amerika në të cilën i shpreh përgëzimet më të thella për fitoren e pashembullt në histori. Më pas ai e njofton se “pas një sërë mosmarrëveshjesh midis pjestarëve të Komitetit Qëndror dhe Këshillit të Shqipërisë së Lirë, u vendos që organizata jonë t’i japë gjithë përkrahjen qeverisë s’uaj pa rezerva dhe pa kondita”. (AMPJ, 1945). Këtë gjë Çekrezi e bënte në emër të linçimit të tij si protagonist në jetën politike shqiptare sepse ai nuk mund ta pranonte që “Vatra” një organizatë nacionaliste të fitonte simpatinë e regjimit. Por siç do ta shohim më poshtë ngjarjet lëvizën në drejtim të kundërt me Çekrezin. Me pamundësinë për të qënë protagonist dhe me drejtimin e ri që mori organizata “Shqipëria e Lirë” më 20 maj 1945 Çekrezi largohet përfundimisht nga kjo organizatë duke e lënë rrugën e hapur që të penetronte agjentura komuniste.
Përçarjen midis “Vatrës” dhe “Shqipërisë së Lirë” e shfrytëzuan mjaft mirë komunistët shqiptarë. Megjithë besnikërinë e “Shqipërisë së Lirë” dhe “Vatrës” sigurimi komunist ishte në djeni se Çekrezi dhe disa anëtarë të “Vatrës” kishin simpatinë e Departamentit të Shtetit. Në fund të fundit ata aktivitetin e tyre e zhvillonin në Amerikë dhe për këtë sigurimi interesohej që këta të ishin krejtësisht besnik të qeverisë komuniste. Ministria e Jashtme i dërgon një letër Legatës sonë në Jugosllavi në të cilën kërkon të ruhet mirë Çekrezi dhe Fan Noli. Në këtë mënyrë do të dilte se kush ishte më besnik ndaj qeverisë së re. Sipas legates rezulton se “Komandanti ka marrë nga Qerim Panariti një letër në të cilën demaskon përpjekjet e Çekrezit për të mbledhur dhe organizuar gjithë “plehërat” kundër qeverisë s’onë. (AMPJ, 1945). Në këtë letër Çekrezi kërkon që të bindi Fan Nolin për bashkëpunim. Është tentuar që iniciativën ta mari vetë Fan Noli madje për këtë Çekrezi i është ulur edhe ne gjunjë.(AMPJ, 1945) Kjo letër është shkruar më 17 Janar 1945. Pikërisht pse dështoi kjo përpjekje Çekrezi u dëtyrua që t’i përulej Enver Hoxhës dhe të hiqte dorë përfundimisht nga “Shqipëria e Lirë”. Me tej raporti thote: “Natyrisht qëndrimi zyrtar i legatës duhet të jetë i njëjtë me atë që ka thënë komandanti, pra të aktivizohet grindja mes Fan Nolit dhe Çekrezit në mënyrë që të dalin të palarat e tyre dhe duke demaskuar politikën anglo-amerikane karshi Shqipërisë” (AMPJ, 1945).
Vatra dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikes
Me largimin e Çekrezit dhe me nënshtrimin e “Shqipërisë së Lirë” kundrejt qeverisë komuniste e vetmja organizatë që mund të shërbente për të afruar Shqipërinë me Amerikën ishte “Vatra”. Për këta qëllim “Vatra” angazhoi të gjitha pontecialet e saj duke filluar me memorandumet, telegramet apo edhe letrat e shumta që u dergoheshin fuqive të mëdha për të njour qeverinë shqiptare dhe për të bërë të mundur antarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në kushtet kur qeveria shqiptare e Enver Hoxhës nuk u lejua të merrte pjese në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San-Francisko, Federata Pan Shqiptare “Vatra” i doli edhe një herë për zot vendit duke dërguar njeriun që i kishte kushtuar jetën Shqipërisë, pikërisht Charles Telford Erickson.(Berisha, 2012, fq, 282). Por sado që Erickson nuk përfaqësonte popullin shqiptar dhe Shqipërinë por thjesht një organizatë në emigracion ai punoi me vullnet të fort dhe të admirueshëm duke shfrytëzuar të gjitha lidhjet që kishte me zyrtarët amerikan. Nga ana tjetër po në emër të “Vartrës” u angazhua Fan Noli duke ndërmarrë udhëtime të shumta në të gjithë Amerikën dhe duke takuar shumë nga personalitetet e shteteve të mëdha dhe të vegjël. Për çdo informacion që merrte ai njoftonte Qeverinë Shqiptare dhe Legatën tonë në Jugosllavi. Noli shfrytëzoi edhe Kishën Ortodokse Shqiptare në Amerikë si një mundësi për të njohur Shqipërinë nga fuqitë perëndimore, duke organizuar çdo te diele mesha ne mbrojtje te Shqiperise dhe kufijeve te saj te cilat rrezikoheshin nga Greqia. Në vitin 1945 Kisha Ortodoksa Autoqefale Shqiptare në Amerikë i dërgon një letër udhëheqësve kryesor të Luftës së Dytë Botërore, midis tyre edhe Presidentit Roosevelt, ku i kërkon që: “Së pari , të njihni zyrtarisht qeverinë e formuar në Berat nën lidershipin e Kolonel-Gjeneral Enver Hoxha; së dyti, të lejohet kjo qeveri të dërgojë një delegacion nëpër kryeqytetet kryesore të Kombeve të Bashkuara për të prezantuar dëshirat dhe nevojat e popullit shqiptar; së treti, të ftohet qeveria shqiptare të dërgojë përfaqësues në Konferencën e Paqes; së katërti, të ndalohet copëtimi i Shqipërisë nga fqinjët e fuqishëm dhe të garantojnë integritetin dhe pavarësinë; së fundi, të lejohet ushqimi, veshmbathjet dhe ilaçet për në Shqipëri, këtij populli të cilët kanë vuajtur nga Italia dhe agresioni Gjerman që nga prilli 1939.” (AQSH, 1945).
Në një letër që Departamenti Amerikan i Shtetit i dërgonte Nolit shprehte mirenjohjen e tyre për Shqipërinë por theksonte së “në Konferencë janë ftuar vetëm guvernat anëtare të Kombeve të Bashkuara, pra ata që e kanë firmosur, dhe duke marrë parasysh këtë situatë, Departamenti beson se nuk do të jetë e udhës të këshilloj që ky vendim të shtrohet përsëri për duskutim” (Gazeta, Dielli, 1945, fq, 1). Nëpërmjet këtyre refuzimeve që i bëheshin “Vatrës” dhe Shqipërisë po vihej re një hije dyshimi në lidhje me qëllimet e vërteta të fuqive perëndimore karshi Shqipërisë. Ajo që kishte ndodhur ishin dalja në skenë e kufizimeve të reja nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta kushtëzuar Shqipërinë me zhvillimin e zgjedhjeve të reja demokratike dhe njohjen e të gjitha traktateve diplomatike të lidhura mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë përpara vitit 1939. Duke parë këto kërkesa të reja “Vatra” e kuptoi se çështja e njohjes ose jo të regjimit shqiptar tashmë nuk ishte në dorën e saj. Këtë e ka bërë të qartë edhe një tjetër delegat i “Vatrës” për çështjen shqiptar Charles C. Hart . Në një letër që i dërgon John Nasses anëtar i organizatës “Shqipëria e Lirë” ai shpreh “keqardhjen që paratë për çështjen shqiptare po shpenzohen kot. Megjithëse nuk jam në gjendje të jap këshilla mund t’ju them se Peshkop Noli dhe bashkëpuntorët e tij nuk e njohin situatën ndërmjet qeverisë Shqiptare dhe asaj Amerikane, për rrjedhojë ata po veprojnë në terren të rrezikshëm” (AMPJ, 1946).
Nga ana tjetër është kryetari i “Vatrës” Vasil Pani i cili i dërgon një letër sekretarit të Jashtëm Britnaik për të shprehur kënaqësin e fitores së aleatëve dhe për mundësinë e njohjes shumë shpejt të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Enver Hoxha. (Gazeta, Dielli, 1945, fq, 3). Duke parë hapat e ngadaltë që po bëheshin në drejtim të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Vatra po e kuptonte që shpresat për një pranim të Shqipërisë në OKB duheshin kërkuar jo vetëm tek Departamenti i Shtetit por edhe tek udhëheqja shqiptare. Rrjedhimisht proçesi i afrimit të Shqipërisë me perëndimin kishte ngecur. Askush nuk mund të deklaronte për ngjarjet që do të pasonin më tej. Vatra ka qënë shumë këmbëngulëse pranë Departamentit të Shtetit për njohjen e qeverisë së Enver Hoxhes. Por ridimensionimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe krijimi i dy blloqeve të Lindjes dhe Perëndimit nuk mund të linte pa prekur edhe Shqipërinë. Natyrisht shumë vite më vonë Enver Hoxha kishte qënë dakort që njohja e traktateve të bëhej pa probleme. Njohja e dokumentacionit arkivor vitet e fundit, sipas disa studiuesve të Luftës së Ftohtë, tregon se Enver Hoxha ishte ngurues për pikën që e bënte Shqipërinë “kombin favorizues” për Shtetet e Bashkuara, si rrjedhojë e presionit Jugosllav dhe atij Sovjetik. (Kaba, 2013, fq, 193). Këta të fundit e këshilluan qeverinë shqiptare që të mos i njihte të gjitha traktatet dhe marrëveshjet ndërmjet dy vendeve, por vetëm një pjesë të tyre, duke lënë mënjanë sidomos traktatin që i njihte SHBA si “komb të favorizuar”. (Kaba, 2013, fq, 193).
Por edhe vetë natyra e shtetit Shqiptar kishte ndryshuar. Ajo ishte bërë më e mbyllur dhe më mosbesuese dhe pasojat e saj do të ndiheshin edhe në koloninë shqiptare të Amerikës. Prania e shumë të arratisurve politik në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë do të bënte që regjimi të ishte shumë i vëmendshëm ndaj veprimtarisë së tyre. Frika më e madhe është që asnjë ish-i arratisur të mos penetrojë në ambientet e “Vatrës” apo të “Shqipërisë së Lirë”. Nga legata jonë në Beograd vjen mesazhi se në “Amerikë kanë mbërritur dy agjent të vjetër të fashizmit, bashkëpunëtor të Ballit dhe Legalitetit dhe nën maskën e njerëzve të Frontit Demokratik të Shqipërisë përpiqen të mashtrojnë dhe spekullojnë Shqiptarët e Amerikës, si të tillë jemi të autorizuar të sqarojmë opinionin e Shqiptarëve të Amerikës se të tillë njerëz jo vetëm nuk përfaqësojnë Frontin dhe luftën tonë por kërkohen prej qeverisë për të dhënë llogari për veprtimatrinë e tyre.” (AMPJ, 1946). Në këtë mënyrë qevria shqiptare ishte e gatshme të hiqte dorë nga njohja e Amerikës dhe të mbyllej në vetvete se sa të lejonte që këto organizata të kapeshin nga të arratisurit dhe agjentet e perëndimit. Duke parë këto deklarata Fan Noli përpiqet që të fitoj terren në sytë e regjimit duke akuzuar anëtarët e organizatës “Shqipëria e Lirë” se “kjo organizatë ka qënë krijuar prej agjentësh provokatorë me famë të përbotshme dhe akoma sundohet prej tyre. Këta gangsterë duke pretenduar se janë besnik me qeverinë tuaj janë duke u korresponduar me emigrantët fashistë shqiptarë në Itali dhe Greqi.” (AMPJ, 1946).
1. Konkluzione
Si përfundim mund të themi që proçesi i njohje së Shtetit Shqiptar nga ana e Fuqive të mëdha ishte një proçes politik dhe i diktuar nga rrjedhat e kohës të cilat i diktonte Lufta e Ftohtë. Federata Pan Shqiptare “Vatra” nuk e humbi kurrë rëndësinë e saj por kishte kaluar një kohë shumë e gjatë që kur “Vatra” pati marrëdhënie të drejtpërdrejta me Shqiperinë. Në fund të fundit kjo ishte edhe synimi kryesor i regjimit, që t’i mbante sa më larg të ishte e mundur këta njerëz nga vendi i tyre dhe të përpiqej të krijonte tek ata imazhin e një Shqipërie të lumtur dhe demokratike. Në një promemorje të bërë nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste kjo iniciativë shfaqet qartë. Në promemorje thuhet se “E vërteta është se në kolonitë e Shtetve të Bashkuara, e cila është më e madhja e më e forta, në organet drejtonjëse egzistojnë edhe elementë armiqë, me gjithë që qëndrimi i tyre hë për hë është në favorin tonë”. (AQSH, 1949). Më tej promemorja vazhdon “ata presin sigurisht rastin e volitshëm kur me një kthesë, të tërheqin me vehte edhe masat e kolonisë”. (AQSH, 1949). Për rrjedhojë duke qënë se “Çështja e kolonive përbën një problem të rëndësishëm për shtetin t’onë pse rreth 350.000 njerëz të këtyre kolonive, përbëjnë një forcë politike të madhe si dhe një burim moral e material. Nga ana tjetër egziston edhe detyrimi për të mos e lënë këtë masë të bjerë në thonjtë e reaksionit ose të asimilohet dhe të humbasë.” (AQSH, 1949). Të gjitha sa u thanë më sipër tregojnë qartë angazhimin serioz të Qeverisë Shqiptare për të mos lejuar asnjë organizatë shqiptare në emigracion të ndërhyjë ne punët e brendshmë të Shqipërisë. Për këto qëllime u sakrufikuan shumë njerëz dhe u hoq dorë nga afrimi me perëndimin. Këto fakte me kalimin e kohës “Vatra” po i kuptonte dhe po fillonte të distancohej por “Shqipëria e Lirë” u mbajt peng për shumë vite duke paraqitur një realitet tjetër shqiptar, realitet të cilin ata vetë do ta preknin kur do të vizitojnë Shqipërinë.
Erjon Dervishi/
Doktoran prane Qendres se Studimeve Albanologjike, Tirane
09.10.2014