
“Vatra” Long Island zhvilloi mbledhjen e parë për vitin 2026. Mbledhja u hap nga kryetari Dr. Paulin Marku. Fillimisht, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu mirënjohje për secilin anëtar/e të degës për bashkëpunimin dhe realizimin me suksese të veprimtarisë atdhetare patriotike në diasporë, në SHBA.
Në mbledhje u propozua dhe u miratua unanimisht organizimi i festës së Pavarësisë së Kosovës, të cilën “Vatra” Long Island, në bashkëpunim me shkollën shqipe “Gjergj Fishta” New York, do ta organizojnë me koncert muzikor dhe katering falas për të pranishmit, më datën 15 shkurt 2026, ora 2:00 pm.
Në mbledhje u raportua bilanci financiar i degës për vitin 2025. Po ashtu, të pranishmit u njohën me rregullat dhe afatet kohore të zgjedhjes së Kryetarit të ardhshëm të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, ku kuvendi do të mbahet më 25 prill 2026.
Kryetari Dr. Paulin Marku prezantoi arritjet dhe sukseset që dega Long Island, N.Y., ka pasur në zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme me komunitetin shqiptar në Long Island dhe pjesëmarrjet nëpër evenimente të ndryshme me interes kombëtar.
Të pranishmit diskutuan dhe propozuan disa projekte të rëndësishme, të cilat i shërbejnë komunitetit shqiptar dhe hedhin hapa të rëndësishëm në trashëgiminë shqiptare ndër breza. Bashkimi i komunitetit shqiptar dhe rritja e pjesëmarrjes në aktivitete kulturore atdhetare në mërgatë është qëllimi i degës tonë.
Një falënderim të veçantë shprehu edhe për mbështetjen dhe bashkëpunimin me prindërit dhe shkollën shqipe “Gjergj Fishta” New York, të cilët kanë dëshmuar seriozitet, sukses dhe arritje në përmbushjen e programit mësimor për mësimin e gjuhës amtare, historisë kombëtare dhe vlerave kombëtare shqiptare.
Komuniteti shqiptar në Long Island është një zë i fortë dhe themeli i të ardhmes së ruajtjes së vlerave kombëtare shqiptare këtu në tokën e bekuar, në vendin e lirisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të pranishmit në mbledhje ishin: Paulin Marku, Afrim Gega, Besnik Bajraktari, Klaudio Turkaj, Prend Ndoja, David Turkaj, Valdrin Mulaj, Bashkim Kastrati, Tonin Marku, Nesti Syku.