Perparim Rama*
Vëllazën të dashun,
Nuk di me e shprehë me fjalë sa i lumtur jam që sot po më jepet mundësia me folë me ju, e kështu, edhe me krejt bashkëkombasit e mi në Amerikë, në këtë përvjetor të federatës mbarëshqiptare Vatra, e cila sivjet po hyn në dekadën e dytë të shekullit të dytë, të veprimtarisë së vet. Ju e dini se erdha prej Prishtine veç me qenë këtu fizikisht midis jush.
Është një përvjetor ky për t’u pasë lakmi edhe prej vetë Shqipërisë, sepse Vatra u kriju në vitin tashmë të largët 1912, madje disa muaj para se shqiptarët në trojet e veta të shpallnin shtetin e tyre të mëvetësishëm.
E themeluar nga intelektuali, atdhetari dhe veprimtari i palodhshëm i çështjes shqiptare, Fan Noli, Vatra është jo vetëm ndër më të vjetrat, por edhe ndër të rëndësishmet organizata që ka themelu kombi ynë.
Ka pasë kohë madje, sikur ajo gjatë Luftës së Parë Botnore, kur Vatra e ka lujtë rolin e një qeverie shqiptare në ekzil, sa madje ka dërgu Fan Nolin dhe Faik Konicën në Evropë, që prej andej të avokonin për interesat tanë kombëtarë.
“Monument historik i vetëdijes dhe i kulturës kombëtare”, kështu e pati cilësu, me shumë të drejtë, Arshi Pipa, një tjetër intelektual i jashtëzakontë, prej të cilit ende mundemi me mësu shumë, e që e drejtoi Vatrën në vitin kthesë, 1991.
Vatra ka bërë dhe ende vazhdon e palodhshme, të kryejë punë të jashtëzakonshme, të shumta, të larmishme, e që mbeten ndër kontributet më madhore për fuqizimin e qenësisë shqiptare. Aktivitetet e saj shtrihen që prej lobimeve në Kongresin Amerikan, te angazhimet për demokratizimin e politikës shqiptare, për çlirimin e Kosovës, e deri te kontributet e panumërta në gjithë ato fusha nëpërmjet organit të saj, gazetës Dielli.
Po përfitoj, prandaj, nga ky bashkëbisedim me ju, që me i ba disa kërkesa, si kryetar i Kryeqytetit të Kosovës. E para, na ndihmoni që edhe flamuri i Kosovës të valojë si i barabartë në oborrin e Selisë së Kombeve të Bashkuara këtu në Nju Jork, pikërisht në metropolin ku edhe Vatra jonë e ka selinë e saj. Njëherësh kërkojmë prej jush, si Kosovë, ndihmesën tuaj për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, dhe në të gjitha strukturat e tjera të rëndësishme të botës demokratike.
Por përveç kërkesave, kam ardhë te ju edhe me oferta. Prishtinën, që e kemi marrë me e udhëheqë, kemi ndër mend ta transformojmë në një qytet të vlerave më bashkëkohore urbane, afariste, kulturore, turistike, ekologjike. Prandaj do të ketë shumë projekte, shumë nevojë për partneritete publiko-private, shumë punë për shumë lloj biznesesh, e sidomos për ato të infrastrukturës fillimisht, rrugore e banesore. Prandaj po vij me mesazhin për biznesmenët shqiptarë të ShBA-së, të çfarëdo profili qofshin, që t’i shohin ofertat tona për Prishtinën moderne. Ejani të bashkëpunojmë. Fuqizohemi më shumë kur fuqizojmë njëri-tjetrin. Forcohemi kur dëshmojmë se dimë e mundemi ta ndërtojmë bashkë vendin tonë.
Sot, hapësira shqiptare po ndërvepron, lidhjet shpirtërore po thellohen dhe komunikimi po intensifikohet e po shpeshtohet dita-ditës. Megjithatë, ne që jemi në Ballkan, gjithmonë mbetemi me njëfarë ndjesie se nuk po bëjmë sa duhet, se na presin edhe shumë punë, se urat lidhëse mes nesh munden e duhen me qenë më të shumta, se prirjet divergjente disi do të na shpërbëjnë.
Prandaj ju, të nderuar bashkatdhetarë, anëtarë të federatës Vatra, duke qenë me seli në një kryeqendër aq të rëndësishme të globit, me tagrin që jua jep historia dhe emrat e mëdhenj të kombit tonë që Vatrën e themeluan dhe e udhëhoqën, ju e gëzoni edhe autoritetin moral që ta përhapni frymën tuaj përbashkuese e mbarëshqiptare edhe në Ballkan e në gjithë botën.
Ne, si Kryeqytet i Kosovës, lidhjet me Vatrën duam me i mbajtë të përzemërta dhe gjithmonë e më të forta, sikurse me çdo organizëm tjetër mbarëshqiptar.
Në fund, po ju lë me urimin:
Gëzuar 110 vjetorin! Federata Panshqiptare Vatra u shekulloftë sërish!
*Kryetari i Komunës së Prishtinës, fjalë përshëndetëse në 110 vjetorin e Vatrës.