Sokol Paja/
Boston, 26 Mars 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA mori pjesë në promovimin e librit “Album” të At Fan Nolit përgatitur për botim nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Biblioteka Memoriale “Fan Noli”, Boston. “Albumi” i At Nolit përgatitur nën përkujdesjen e Dr. Arjeta Ferlushkaj, Neka Doko dhe Adnan Mehmeti përbën një vlerë të madhe për lartësimin e veprës së At Fan Nolit dhe letërsisë kombëtare shqiptare. Mikpritjen e delegacionit zyrtar të Vatrës me në krye kryetarin e Vatrës z.Elmi Berisha, Dr. Pashko Camaj, Besim Malota, Dr. Paulin Marku, Paulin Mërnaçaj, Rafaela Prifti, Drita Shala, Editori i Diellit e shumë vatranë nga e gjithë Amerika e bëri At Theofan Koja, rektor i Katedrales Ortodokse Shqiptare, Shën Gjergj dhe Neka Doko, përgjegjëse e Bibliotekës Memoriale “Fan Noli”, Boston.Nën moderimin e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mëhill Velaj, promovimi i “Album” të At Nolit filloi me një minutë heshtje në nderim të At Nolit, Konicës, A. Athanas e shumë personaliteteve të tjera të kombit shqiptar. At Theofan Koja, rektor i Katedrales Ortodokse Shqiptare, Shën Gjergj në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rolin At Fan Nolit në historinë e Vatrës, Diellit, Kishës Ortodokse e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën e tij At Koja vlerësoi punën e shkëlqyer që Vatra po bën nën drejtimin e kryetarit z.Berisha dhe stafit të tij duke e kthyer Vatrën në ditët e saj më të lavdishme. Në fjalën përshëndetëse kryetari i Vatrës u ndal te rëndësia e figurës së At Fan Nolit në letërsinë shqiptare, historinë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në Amerikë. Për kontributin e tij të shquar dhe angazhimin fetar e kombëtar, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA nderoi me “Mirënjohje” At Arthur Liolin me motivacionin: “Very Reverend Arthur E. Liolin Chancellor Emeritus of Saint George Albanian Orthodox Cathedral Boston for fifty years of devotion to the faith and a lifetime of outstanding dedication in service of the Albanian community in its ongoing spiritual journey while leading by example in a profoundly transcendental style impacting future generations of Albanian Americans”, mirënjohje e cila u tërhoq nga i biri Evans Liolin. Pas ceremonisë së nderimit, programi i promovimit “Album” të At Nolit vazhdoi me: “Një libër që na frymëzon” nga Adnan Mehmeti, president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, Recitime nga “Albumi”, “Frekuencat e shpirtit nolian-proza poetike” nga Neka Doko, përgjegjëse e Bibliotekës Memoriale “Fan Noli”, Boston, “Fan Noli, “Albumi” dhe ne” nga Dokt.Arjeta Ferlushkaj Kotrri, studiuese e letërsisë, “Mbi vjershën ‘Thomsoni dhe kuçedra’ të Fan Nolit” nga Sevdai Kastrati, studiues, Recitime nga “Albumi”, “Një “Album”, shumë perspektiva” nga Rafaela Prifti, editore në gjuhën angleze tek gazeta “Dielli”, organ i “Vatrës”, “Një ditë nga jeta e Nolit sipas dokumentave të FBI-së” nga Agron Alibali, studiues, “Testamenti vargëror që na duhet në breza” nga Namik Selmani, shkrimtar dhe në fund përshëndeti aktivitetin dhe Thanas Gjika, studiues. Ky promovim përbën një ngjarje shumë të shënuar kulturore në mërgatën shqiptare të Amerikës.