Gjatë vizitës së tij në Kosovë, me 30 Shtator 2020, Kryetari i VATRËS z. Elmi Berisha ka nderuar me Mirënjohjen e Artë Heroin Kombëtar, Legjendën e Kosovës, Adem Jashari.
Mirënjohja iu dorëzuar prej kryetarit Berisha, zotit Bekim Hamëz Jashari, Kryetar i Skenderajt. Në tekstin e Mirënjohjes shkruhej: Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA” nderon me Mirënjohjen e Artë Komandantin Legjendar të luftës për çlirimin e Kosovës, Heroin e Kombit, Adem Jashari (pas vdekjes).
Vatra vlerëson figurën legjendare të Adem Jasharit si arkitekt dhe komandant i Lëvizjes popullore për çlirimin e Kosovës, i cili me vizionin dhe heroizmin e tij, me qëndresën dhe sakrificat sublime të familjes, frymëzoi popullin e Kosovës në betejën finale për Liri!
Adem Jashari me heroizmin dhe sakrificat sublime të tij dhe të familjarëve, mbetet simbol i qendresës në mbrojtjen e trojeve të Arbërit ndaj spastrimit etnik të pushtuesit serb; mbetet simbol i lirisë dhe Paqes!
Duke nderuar figurën legjendare të Adem Jasharit Vatra nderon Familjen JASHARI dhe të gjithë luftëtarët e Lirisë.
Në statusin e tij në facebook kryetari i Skenderajt, nipi i heroit, Bekim Hamëz Jashari shkroi: Në një takim miqësor prita Kryetarin e Federatës Panshqiptare- Vatra, Elmi Berisha, së bashku me bashkëpunëtorë, me të cilët biseduam rreth bashkëpunimit në realizimin e projekteve të përbashkëta. Pata nderin që në emër të familjes sime të pranoj një mirënjoje nga “Vatra” për kontributin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në çlirimin e vendit.
E falënderova Kryetarin Berisha për angazhimin e tij dhe lobit shqiptar në SHBA në përkrahje të shtetit tonë.Ishte konkluzion i përbashkët që shteti ynë nuk ka krijuar kushte të favorshme për investime nderkombëtare dhe për më tepër pengesat burokratike po pengojnë zhvillimin ekonomik të shtetit tonë.
Kryetari i Vatrës shoqërohej nga Vatranët Gjok Deçkaj dhe Naim Dedushaj.
MIRËNJOHJE E ARTË EDHE PËR FAMILJEN HARADINAJ
Po me 30 Shtator 2020 Kryetari i Vatrës nderoi me “Mirënjohjen e Artë” familjen Haradinaj, duke vlerësuar kontributin e kësaj familje që i dha luftës së Kosovës komandant dhe dëshmorë.
Mirënjohja iu dorëzuar z. Ramush Haradinaj i cili falenderoi Vatrën edhe përmes një statusi në facebook.Në tekstin e Mirënjohjes shkruhej: Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderon me Mirënjohjen e Artë familjen Haradinaj për sakrificat dhe kontributin e dhënë në luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Vatra vlerëson heroizmin dhe sakrificat e familjes Haradinaj, e cila nuk kurseu as jetët e bijëve të saj për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Ajo i dha Kosovës dëshmorë e heronj.
E gjithë familja Haradinaj ishte pjesë dhe kontribuse e luftës për liri dhe frymëzuese në betejën kundër pushtuesit serb.
Vatra nderon birin e familjes, z. Ramush Haradinaj,i cili tregoi akte heroizmi në krye të UÇK-së për zonën e Dukagjinit.
Edhe pas lufte familja Haradinaj ishte kontributore për ndërtimin e shtetit dhe demokracisë në Kosovë. Ramush Haradinaj me trimëri e zgjuarsi përballoi akuzat për krime lufte të ngritura nga Tibunali i Hagës, duke mbrojtur jo vetëm veten dhe familjen, por edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.