Në frymën e vëllazërisë dhe bashkëpunimit, sot në Boston u prit një delegacion i kryesisë së VATRES, dega Queens, nga New York-u. Vizita kishte për qëllim forcimin e lidhjeve mes dy degëve të VATRES dhe diskutimin e projekteve të përbashkëta për të ardhmen.
Delegacioni nga Queens, i kryesuar nga Dr. Skënder Myrtezani dhe anëtarë Akri Çipa, Rezart Naska, Viktor Xamo, Ndre Deda dhe Sami Kurdina, të cilët u pritën ngrohtësisht nga kryetari i VATRES në Boston, z. Mentor Maksutaj, së bashku me anëtarët e kryesisë: z. Petrit Alibeaj, z. Ervis Dhima dhe z. Subi Çako.
Vizita filloi me homazhe në varrin e Fan Nolit dhe memorialin e publicistit Faik Konica, të dy figura të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare, ku tashmë vetëm Noli prehet në varrezat e Bostonit.
Pas homazheve, palët u takuan në një kafe pune, ku diskutuan për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy degëve, vizitat e ndërsjella dhe planet e përbashkëta për komunitetin shqiptar në SHBA. Një nga temat kryesore të diskutimit ishte mundësia për kthimin e eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri. Delegacioni nga Queens shprehu interesin për të komunikuar me drejtuesit e Kishës së Nolit për të sqaruar dëshirën e tij për vendin e fundit të prehjes.
Të dy palët premtuan të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në ditët dhe muajt e ardhshëm, me qëllim forcimin e lidhjeve mes komuniteteve shqiptare në SHBA dhe promovimin e interesave kombëtare shqiptare.
VATRA vazhdon të mbetet një urë e rëndësishme për bashkimin dhe mbështetjen e shqiptarëve kudo që janë.
(Vatra Boston)