


Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha i shoqëruar nga vatrani legjendar Marjan Cubi, Anton Raja e Bardh Tomaj ishin të ftuar specialë në dasmën e vajzës së Presidentit historik të Kosovës znj.Teuta Rugovës me z.Agron Gjeloshi. Si miqtë e bashkëpunëtorët më të ngushtë të Dr.Ibrahim Rugovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vatranët nderuan me respekt lidhjen e gjallë shpirtërore mes Dr. Rugovës, Vatrës e mërgatës Shqiptaro-Amerikane. Kryetari i Vatrës Dr. Berisha shkroi i emocionuar: “I nderuar që isha pjesë e ceremonisë së kurorëzimit dhe dasmës së Teuta Ibrahim Rugovës dhe Agron Nikë Gjeloshit. Një event i jashtëzakonshëm me tradita tipike shqiptare. Urime dhe bekime çiftit të ri, ju dëshiroj mbarësi dhe të trashëgohen” uroi në ditën e dasmës Dr. Berisha. Në darkën e mirënjohjes prej çiftit Rugova-Gjeloshi, kryetari i Vatrës i emocionuar shkroi: “Sonte në Radavcin pitoresk, nën strehën e Alpeve Shqiptare dhe gurgullimën magjepse të Drinit të Bardhë, të ftuar nga Teuta Ibrahim Rugova dhe Agron Nikë Gjeloshi. I nderuari të nderon thotë fjala popullore, Teuta dhe Agroni nderuan miqtë e etërve të tyre shqiptaro – amerikanë, Elmi Berishën, Marjan dhe Dila Cubin si dhe Bardh dhe Drita Tomaj. Pasi bashkuan zemrat dhe jetën e përbashkët me ceremoni madhështore tipike shqiptare, sonte na bashkuan me nderim dhe respekt maksimal, ashtu si ju ka hije këtij çifti brilant, duke nderuar trungun familjar dhe traditat kombëtare. Ju rritë ndera Teuta dhe Agron, paçi gjithmonë harmoni, dashuri dhe vetëm gëzime” uroi kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha.