Letër e kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Anastas Pandele, drejtuar delegatit të saj në Konferencën e Paqes në Paris Mid`hat Frashërit
Boston, më 25 janar 1921
The Pan Federation of America
The Hearth (Vatra) Inc
Headquartes: 456 Tremont Street
Zotit Midhat Frashëri, delegat i “Vatrës”
Hotel Campbell
Paris, France
I dashun zoti Midhat,
Me anë të kësaj letre kam nderin t’u vërtetoj marrjen e letrave tuaja datuar Paris, 24 nëntor, 26 dhjetor dhe 6 janar. Gjithashtu kabllo datuar Paris, 24 dhjetor, 7,1,9,3,17 janar.
4 janar – ju dërguam nji letër, besonjë ta kini marrë. Tani të vimë në përmbledhjen e letrave si dhe kabllove të sipër shënuar.
Është shum mirë ajo që juve bëni suggestion për shkolla që të hapen, mjerisht më duket që na ësht e pamundur tani për tani që të munt të bëjmë gjë mbi atë çështje.
Ju lutemi na shkruani se sa munt të bëhen harxhet që të munt të gjurmojm të drejtën, si në çështjen e të ndyerit Themistokli Gërmeni dhe të tjerëve, që ashtu të kemi nji bazë mbi të cilën të përfundojm.
Ju kablluam të 2 000 dollarë, edhe ju kablluam prap për vendimin e këtushëm që nuk do të dërgojmë të holla qeverisë gjer të na vinë bondet. Dje muarm nji kabllo tjetër ku na kërkojnë 50 000 dollarë, po mjerisht, sido që dëshëronj, nuk mundim të bëjm ndryshe kundër vendimit dhe marrëveshjtjeve që patmë.
Ju shkrova në letrën e fundit që “nesër” do t’u dërgojmë të gjithë ato që juve kërkoni, me vjen keq t’u thom, dhe t’u çfaq një mungim të madh, me qenë që edhe nuk i kena mbledhë ato që juve kërkoni. Shkaku është ndrrimi i sekretarëve, edhe mbyllja e huas (teftereve). Pa fjalë që, sa të lirohemi dhe të nisim me të gjitha në një vijim të mirë, do t’u dërgojm të gjitha sa juve kërkoni. Na ndieni për vonimin. Për zotin dita-ditën dëshironjë t’u shkruanj, po nuk di si shkon koha se menjëherë, pa mos parë dritën mirë, erret.
Mbyllur do të gjeni rekordin e mbledhjes të Këshillës Kombëtare mbajtur më 2-3 janar 1921, që të kuptoni rrjedhjen e bisedimeve edhe të veprimeve më mirë. Do të shikoni që Këshilla vendosi të dërgohet në Shqipëri z. Kirka me nji mision nga ana e “Vatrës”, i cili do të niset për pak ditë, sikundër ju lajmëruan më parë.
Nuk kemi as ndonjë të re këtu, po më ndieni se tani sa muarm një kabllo të çuditshme nga zoti Vrioni, ku na jep leje të dërgojm nji delegat “konditional”. Këto janë fjalët që përmban kabllo-ja: “Pas vendimit ministerial për zgjedhjen e një deputeti nga ana e “Vatrës”, Këshilla e Naltë pëlqen zgjedhjen e nji deputeti nga ana e “Vatrës”, po me kondita që kandidati të ndodhet të paktën prej tre vjetësh n’Amerikë dhe të gjindet tani atje”. Ipni leje ju lutem t’u thoni që ata të Tiranës mejtojn të bëjn edhe nji vepër ‘Capo D’Opera’ si atë që bënë me mos qasjen në Shqipëri të imzot Nolit.
T’u thom të drejtën, më duket që zotnit e Këshillës Naltë, ose nuk dinë, dhe ashtu që nuk meritojnë të mbajnë atë pozitë, ose nuk dojn të bëjn punëra pa “prapa – mejtime” dhe ca më tepër nuk meritojn atë pozitë. Neve muarm nji javë të shkuar kabllo nga zoti Vrioni si përgjigje të nji pyetje që i bëm, në qoftë se pranojn delegatë të “Vatrës” në bisedimet e mbledhjeve që do të bëhen në Shqipëri, ku na thoshte që pranonte dhe tani pas ca ditësh mir-mejtuan, edhe than- prit të vemë ca kleçka.
Komisioni i “Vatrës”, në mbledhjen e mbajtur më 16 janar, vendosi që përfaqësimi i shqiptarëve të Amerikës me anë të “Vatrës” t’i ngarkohet imzot Nolit, të cilin e lajmëruam mbi këtë vendim, ashtu edhe qeverinë.
Nuk kam tjatër, përveç lutjeve që të pranoni i nderuar zotni përshëndetjet tona plot nderime.
I juaji me besë,
Anastas Pandeli
AMPJ, V.1921, D. 52, fl.1-2.