-PAS MITINGUT, KREU I DEMOKRATËVE, KANDIDAT PËR KRYEMINISTËR I QVERISË SË NDRYSHIMIT, REZERVOI NJË TAKIM ME DELEGACIONIN E VATRËS/
– PAS NGJARJES NË ELBASAN, VATRA BËN THIRRJE PËR Ç’TENSIONIMIN E FUSHATËS ZGJEDHORE, SHMANGIEN E DHUNES, GJUHËS SË URREJTJES, HEQJEN DORË NGA SHITBLERJA E VOTËS/
- BASHA: Dua ta nis sot duke falenderuar miqtë e veçantë, që na janë bashkuar në këtë manifestim vullneti për këtë demokraci, për shtetin e së drejtës, për liri, për të drejta e njeriut, kryesinë e shoqatës atdhetare shqiptare-amerikano VATRA….
DURRËS-21 Prill 2021- Mitingun e mbrëmjes të së Mërkurës në Durrës, Kreu i dmeokratëve, kandidati për Kryeministër i Opozitës z. Lulzim Basha, e nisi më njoftimin falenderues për pjesmarrjen e delegacionit të Vatrës. Ai tha: Mirë se ju gjejë vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, rini e Durrësit, në këtë mbrëmje magjepsëse, me zemrën e zemrës së Ilirisë dhe Shqiptarisë. Edhe 3 ditë e gjysmë e ndan Durrësin nga vota më masive për ndryshim, për çlirim, për bashkim, për fitore. Fitoren më të thellë, më të bukur, fitoren më të pastër e të merituar të këtij qyteti që bën krenarë çdo shqiptare e çdo shqiptar. Ndaj dua ta nis sot duke falenderuar miqtë e veçantë, që na janë bashkuar në këtë manifestim vullneti për këtë demokraci, për shtetin e së drejtës, për liri, për të drejta e njeriut, kryesinë e shoqatës atdhetare shqiptare-amerikano VATRA, për kontributin e saj në shekullin e kaluar nuk ka fjalë të shkruhet, po jam i bindur se me ta, me vëllezërit dhe motrat tona shqiptaro-amerikane, me diasporën e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë në Europë, së bashku do të çelim derën e merituar të anëtarësimit në Bashkimin Europian….
Pas mbylljes së mitingut, kryedemokrati Basha, rezervoi një takim me përfaqësuesit e Vatrës dhe kandidatët për deputetë e stafin elektoral të qarkut të Durrësit. Z. Elmi Berisha prezantoi ekipin që e shoqëron gjatë kësaj vizite, me qëllimin e mirë të Vatrës, për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri e tranzicionit të vështirë. Kryetari i Vatrës i tha kryedemokratit se Vatra mbështet demokracinë. Ai theksoi se, edhe pse Vatra në themel është apolitike, që në themelimin e saj e në vijim, në momentet decisive, kur Kombi është rrezikuar nga zhbërja, me politikën e saj Kombëtare, Vatra ka shpëtuar Shqipërinë.
Kryedemokrati Basha e falenderoi Vatrën për pjesmarrjen e saj gjatë këtyre zgjedhjeve, që janë jetike për Demokracinë Shqiptare.
Redaksia e Diellit u lidhe me Kryetarin Berisha dhe kërkoi prononcim për ngjarjet e fundit,veçanërisht ato në Elbasan dhe ditë më parë në Kavajë. Berisha tha se Vatra kërkon që të ç’tensonohet fushata zgjedhore, të shmanget gjuha e urrejtjes, të hiqet dorë nga shit-blerja e votës dhe të mbahen larg zgjedhjeve të fortët e kriminuar.Shqipëria, theksoi ai, është në provë me vetëveten dhe duhet ta fitojë këtë betejë për të realizuar më pas integrimin Europian.
Në fakt, këto ditë, duke përcjellë informacionet dhe takimet e delegacionit të Vatrës, ka komente, veçanërisht në rrjetet sociale se Vatra nuk po bën mirë që ndërhyn mes partive politike shqiptare. Vatrës askush nuk mund t’ia heq të drejtën e pjesmarrjes në proceset demokratike në Shqipëri; këtë të drejtë Vatra e ndjenë obligim dhe e ka fituar me kontributet e saj Kombtare.
“VATRA”, ashtu si gjatë të gjithë jetës së saj 109 vjeçare(28 Prill 1912- 2021) në Shtetin e madh të Demokracisë Botërore-SHBA,e sheh veten si Shërbëtore të Kombit dhe një urë lidhëse mes Amerikës dhe Vendlindjes.Në këtë pozicion ne përpiqemi të ruajmë asnjanësinë politike, por mbetemi luftëtarë të fortë të progresit Kombëtar dhe integrimit real të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Urojmë që Shqipëria ta fitojë betejën e 25 Prillit, që nuk është betejë me armiq, por betejë mes vetes!