Vatra mësoi me dhimbje lajmin tragjik të humbjes së jetës në një aksident tragjik të studiuesit Eduard Grishaj, vëllai i nënkryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”, z. Alfons Grishaj. Federata VATRA dhe gazeta e saj DIELLI shpirtërisht ndodhen pranë Alfonsit, duke i shprehur atij dhe familjes Grishaj ngushëllimet më të thella.
Siç njoftoi media, aksidenti tragjik ku humbi jetën Eduardi ndodhi mbrëmjen e së Mërkurës, 17 Mars 2021, në aksin Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur”Kryqëzimi i Dajçit”. Një kamion që udhëtonte drejt Lezhës, në të njejtin drejtim me Benzin e Eduardit, ka tentuar të kalojë në anën e djathtë të rrugës, por ka ndodhur përplasja fatale që i mori jetën Eduartit,studiues i njohur dhe përgjegjës i Fondit PIPA në Bibliotekën e Muzeut Historik-Shkodër.
Komuniteti shqiptar ka pasur rast ta përcjellë studuesin Eduard Grishaj gjatë Simpoziumi Shkencor “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, që u organizua me 2018 në Michigan me rastin e Vitit të heroit Kombëtar, ku ai paraqiti kumtesën e tij.
Tragjedia erdhi pasi Eduardi i kishte mbijetuar një dyluftimi të vështirë me Covid-19.
Kryetari i Vatres z. Elmi Berisha, Presidenti i Nderit z. Agim Rexhaj,Redaksia e Gazetes Dielli, dega e Vtares ne Michigan, i përcjellin ngushëllimet më të thella Familjes Grishaj në SHBA dhe Shqipëri.
Kryesia e Vatrës, Këshilli i saj, degët dhe të gjithë vatranët ngushëllojnë nënkryetarin e Vatrës z. Alfons Grishaj me familje e miqtë.
Pushoftë në Paqe shpirti i Eduard Grishaj!