

Sokol Paja/
New York, 27 Nëntor 2022- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë organizoi SIMPOZIUM SHKENCOR me temë: “110 VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË DHE PROCESI I NDËRTIMIT TË SHTETIT KOMBËTAR”. Me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta drejtuese të Federatës Vatra, mediave shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, specialistëve të fushës së historisë e shkencave albanologjike, vatranëve e veprimtarëve në komunitetin shqiptar të Amerikës, përkujtuan me nderim, respekt e lavdi, kontributin e burrave të nderuar të kombit shqiptar në Pavarësinë e Shqipërisë dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë për shtetin, popullin dhe kombin shqiptar. Federata Vatra edhe këtë herë tregoi seriozitet dhe lidership të padiskutueshëm në organizimin e veprimtarive patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës. Në fjalën e tij kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha foli rreth rolit të Vatrës në historinë e lavdishme të shtetit e kombit shqiptar dhe ndihmën konkrete shumëdimensionale të Federatës Vatra në momentet kyçe ku vatranët dhe shqiptarët e Amerikës ndihmuan shtetin e kombin tonë. Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj në fjalët e tij për të pranishmit falenderoi autoritetet e Vatrës z.Berisha, z.Rexhaj, Dr.Marku, Dr.Demiraj, z. Mujaj, z. Rakaj dhe editorin e Diellit për punën e shkëlqyer dhe akademike në rritjen e nivelit të Diellit. Vatra do punojë për bashkimin Kombëtar dhe zhvillimin e shtetit e kombit tonë, tha ndër të tjera z.Grishaj. Sekretarja e Vatrës znj.Nazo Veliu në fjalën e saj para të pranishmëve falenderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën që i kanë dhënë Shqipërinë që nga Presidenti Willson e deri në ditët e sotme. Pas pjesës ceremoniale dhe fjalëve përshëndetëse, drejtuesi i Simpoziumit Shkencor dr. Paulin Marku në fjalën e tij diskutoi rreth rëndësisë së Simpoziumit, rolin dhe meritat e kumtuesve dhe kontribuesve shkencor në Simpoziumin kushtuar 110 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky aktivitet shkencor i shkëlqyer bashkoi në Vatër studiues, profesorë, gazetarë, mësues, profesionistë të fushës, ekspertë të periudhës së Pavarësisë të cilët me kontributet e tyre shkencore falë kërkimeve në dokumente (vendase dhe të huaja), monografi, artikuj shkencorë dhe nëpërmjet hulumtimeve në shtypin periodik të kohës, (shqiptar dhe të huaj) paraqitën fakte e risi shkencore për tu lavdëruar. Kumtesat dhe programi i Simpoziumit Shkencor:
• Beqir Meta, Pavarësia e Shqipërisë dhe hapat e parë të qenësishëm drejt konsolidimit të saj dhe shtetit shqiptar.
• Bernard Zotaj, Parësia dhe Ismail Qemali.
• Muharrem Dezhgiu, Roli i bektashinjve në sendërtimin e Shtetit Kombëtar (vitet 20-të, Shek. XX).
• Idriz Lamaj, Pavarësia e Shqipërisë në këndvështrimin historiografik të Rexhep Krasniqit.
• Fran Shkreli, Kreshniku kombëtar Ded Gjo’ Luli “Malësori që mujti”.
• Paulin Marku, Qëndrimi i deputetëve shqiptar në parlamentin e Stambollit për çështjen shqiptare dhe sfidat për Pavarësinë e Shqipërisë.
• Marjana Bulku, Rilindja Kombëtare dhe Kongresi i Manastirit, roli dhe kontributi historiko-kulturor në ruajtjen dhe konsolidimin e unitetit dhe identitetit kombëtar.
• Rafael Floqi, 1913 – Farsa e “Trashëgimtarëve” të fronit të Shqipërisë.
• Besim Muhadri & Bedri Muhadri, Roli dhe kontributi i Kristo Floqit në Pavarësinë e Shqipërisë dhe në ndërtimin e institucioneve të Shtetit Shqiptar.
• Majlinda Lacaj, Rilindësit kombëtar shqiptar, roli dhe kontributi i tyre historik dhe kulturor në funksion të unitetit dhe mbijetesës së kombit shqiptar.
• Zef Ujkaj, Planet e aleatëve ballkanik dhe ideja e Pavarësisë së Shqipërisë.
• Sokol Paja, 20-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, pasqyrim në gazetën “Dielli”.
Bordi organizativ i Simpoziumit Shkencor:
• Paulin Marku (kryetar)
• Idriz Lamaj. (anëtar)
• Fran Shkreli (anëtar)
• Marjana Zeneli Bulku (anëtare)
• Pashko Camaj (anëtar)
• Sokol Paja (anëtar).
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në trojet etnike, shqiptarët në çdo shtet të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqtë dhe aleatët e kombit shqiptar. Rroftë përjetë e mot, në shekuj të shekujve flamuri i kombit tonë, historia jonë e lavdishme, rraca jonë e bukur shqiptare, progresi e perspektiva e shenjtë kombëtare.