
Sokol Paja/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me shoqatat kryesore patriotiko-kulturore, shkollat shqipe dhe klubet e studentëve shqiptarë në New York, New Jersey, Philadelphia etj organizon për herë të parë një festë madhështore të librit shqip në New York. Një ngjarje kulturore dhe atdhetare me synim themelimin e një tradite të vyer që rrit, promovon dhe bashkon shqiptarët e mërgatës rreth dijes, librit e kulturës.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra fton shtëpi botuese, autorë, grup autorësh, shkrimtarë dhe krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Evropa, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ti bashkohen festivalit të librit shqip që do të zhvillohet në New York nga datat 28 – 30 nëntor 2025. Ky festival libri është një ngjarje kulturore që promovon letërsinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporën e Amerikës e më gjerë.
Për herë të parë libri shqip i të gjitha gjinive e prej të gjitha trevave do bëhet bashkë në New York për të shënuar ngjarjen më të rëndësishme kulturore për shqiptarët e Amerikës nën udhëheqjen e Vatrës.
Komisioni i organizimit: Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku, Sokol Paja.